2017-09-18 12:15:00

Papa Françesku në Shën Martë: nëse nuk lutemi për qeveritarët, mëkatojmë


Të krishterët duhet t’i shoqërojnë me lutje qeveritarët, edhe kur gabojnë. Si gjithnjë, në homelinë e meshës së sotme në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku thotë fjalë të papritura për shumicën. Ati i Shenjtë u kërkon edhe qeveritarëve të luten, përndryshe ka rrezik të mbyllen në grupin e tyre. Ndërsa, ata që janë të vetëdijshëm se i japin llogari popullit, që i ka zgjedhur, dhe Zotit, luten.

Reflektimi i Papës Françesku nis nga Leximi i parë i litugjisë së sotme dhe nga Ungjilli. Shën Pali apostull e këshillon Timoteun të lutet për qeveritarët. Në Ungjill paraqitet një qeveritar, që lutet: është centurioni, i cili e kishte të sëmurë shërbëtorin. E donte popullin, megjithëse ishte i huaj dhe, e donte shërbëtorin, prandaj shqetësohej për të.

 “Ky njeri ndjeu nevojën e lutjes”, vëren Papa. Jo vetëm sepse “e donte” shërbëtorin, por edhe sepse “ishte i vetëdijshëm se nuk është zoti i gjithçkaje, nuk është mjeti i fundit”. E dinte se sipër tij, komandon dikush tjetër. Ai kishte ushtarë, njerëz nën urdhrat e tij, por e dinte se duhej t’u nënshtrohej urdhërave të dikujt tjetër. E kjo e nxiti qeveritarin të lutet:

“Nëse nuk lutet, mbyllet në vetvete, ose në partinë e vet, në atë rreth nga i cili nuk mund të dalë; është njeri i mbyllur në vetvete. Por kur shikon problemet e veta, është i vetëdijshëm se varet nga dikush, se ekziston dikush, që ka më pushtet se ai. E kush ka më tepër pushtet se qeveritari? Populli, që ia ka dhënë pushtetin dhe, Zoti, nga i cili i vjen pushteti përmes popullit. Kur qeveritari është i vetëdijshëm për këtë vartësi, lutet”.

Papa Françesku thekson se lutja e qeveritarit është për të mirën e popullit, që i ka dhënë votën dhe beson në të. E kujton një politikan, që ulej në gjunjë dy orë në ditë para Zotit, pavarësisht nga punët e shumta. I duhet kërkuar Hyjit hiri për të qeverisur mirë, ashtu siç pati bërë Salomoni. Ndërsa, agnostikët dhe ateistët, Papa i këshillon të konfrontohen me ndërgjegjen e tyre dhe me të urtët e popullit. Por, nuk duhet të mbeten brenda grupit të vogël të partisë së tyre. Në Leximin e parë liturgjik, Shën Pali i fton njerëzit të luten për mbretërit, që ata t’u mundësojnë të gjithëve një jetë të qetë e dinjitoze, një jetë me Zotin. Një politikan, vëren Papa, ose kritikohet, ose lavdërohet, por në të dyja rastet, lihet vetëm me partinë e vet:

 “‘Jo, unë nuk e kam votuar – kam votuar timin’. ‘Unë nuk e kam votuar, le të bëjë si të dojë’. Jo! Ne nuk mund t’i lëmë vetëm qeveritarët: duhet t’i shoqërojmë me lutje. Të krishterët duhet të luten për qeveritarët. ‘O Atë, po si të lutem për këtë, që bën kaq të këqia?’ – ‘Ai ka më tepër nevojë. Lutu, bëj pendesë për qeveritarin’. Lutja e ndërmjetësimit – e thotë bukur Shën Pali – është për të gjithë mbretërit, për të gjithë ata, që kanë pushtet. Pse? ‘Që të mund të kemi një jetë të qetë e të denjë’. Kur qeveritari është i lirë e mund të qeverisë në paqe, i gjithë populli përfiton nga kjo”.

E Papa përfundon, duke u kërkuar të gjithëve të shohin brenda vetes e të gjejnë forcat për lutjen në të mirë të qeveritarëve:

“Ju kërkoj një favor: secili prej jush le të ndalet pesë minuta sot, jo më shumë. Nëse është qeveritar, ta pyesë veten: ‘A i lutem unë Atij, që më ka dhënë pushtetin përmes popullit?’ Nëse nuk është qeveritar, ‘a lutem unë për qeveritarët? Po… për këtë dhe atë po, sepse më pëlqejnë; për ata të tjerët, jo’. Por kanë nevojë ata, më tepër se këta! ‘A lutem për të gjithë qeveritarët?’ E nëse kur shqyrtoni ndërgjegjen para rrëfimit, kujtoheni se nuk jeni lutur për qeveritarët, rrëfejani këtë meshtarit. Sepse të mos lutesh për qeveritarët është mëkat”.








All the contents on this site are copyrighted ©.