2017-09-18 18:28:00

Papa kremton ditëlindjen e 100-të të atë Stefanizzi, ish-drejtor i RV


“Shumë vjet jete të frytshme e shërbimi bujar”. Në një telegram me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, Papa Françesku i kremton me këto fjalë 100 vjetët, që mbushi sot jezuiti, atë Antonio Stefanizzi, për një kohë të gjatë drejtor i Radio Vatikanit. Në tekst, Ati i Shenjtë e bekon rregulltarin dhe kujton “me mirënjohje, veprën e tij kompetente”, “në shërbim të Selisë së Shenjtë, sidomos në fushën e mjeteve të komunikimit shoqëror”.

Sot, rreth mesditës, Sekretari i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Lucio Adrian Ruiz, shkoi për vizitë te atë Stefanizzi për t’i çuar një përshëndetje të përzemërt nga ana e Prefektit të dikasterit, imzot Dario Edoardo Viganò, e nga të gjithë punonjësit. Duke i dhuruar një ikonë të Zojës së Bekuar, imzot Ruiz e falenderoi rregulltarin për shërbimin e tij si drejtor i Radio Vatikanit e në veçanti, për këndvështrimin e përparuar mbi komunikimin, që bëri të mundur përhapjen e mesazhit të Papëve në botë dhe zhvillimin e informacionit vatikanas me të njëjtin hap me kohën.

Nga ana e tij, atë Stefanizzi shprehu gëzimin për afërsinë e Sekretarisë për Komunikimin dhe kujtoi kohën kur ishte drejtor i Radio Vatikanit, duke shprehur mbështetjen për risimin e komunikimit të Selisë së Shenjtë, gjithnjë në shërbim të Kishës universale.








All the contents on this site are copyrighted ©.