2017-09-18 14:30:00

Ipeshkvijtë evropian në Minsk për të folur për rinjtë dhe Evropën


Me ftesën e imzot Tadeusz Kondrusiewicz, kryeipeshkëv i Minsk-Mohilev, do të zhvillohet nga data 27 shtator deri më 1 tetor në kryeqytetin bjellorus Asambleja plenare e përvitshme e Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (Ccee), takim i nivelit të lartë kishtar në të cilin marrin pjesë presidentët e të gjitha konferencave episkopale që përfaqësojnë 45 shtetet e kontinentit të vjetër. Do të flitet për te rinjtë dhe Evropën.

Për herë të parë në historinë e Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës, asambleja mbërrin në Bjellorusi për të takuar komunitetin katolik të vendit, e me këtë rast, për të kremtuar së bashku 750-të vjetorin e përmendjes së parë të qytetit Minsk në Kronikat e kohës (të njohura si Kronika e Nestori-it a Kronika e viteve të kaluara) dhe 500 vjetorin e shtypjes së Biblës, librit të parë që është shtypur në gjuhën bjelloruse.

Në qendër të punimeve të tyre, ipeshkvijtë katolikë të Evropës do të kenë temën e rinjve, në mënyrë të veçantë figurën e të rinjve në realitetin e sotëm me: dëshirat e tyre, nevojat e tyre, frikët e tyre, pritshmëritë dhe marrëdhëniet e tyre me Kishën. Pastaj, ipeshkvijtë do të flasin mbi sfidat tjera që ka bota bashkëkohore, e cila ndryshon vazhdimisht. Pikërisht për këtë, ipeshkvijtë do të rishqyrtojnë a rimendojnë veprimtarinë baritore të Kishës dhe mënyrat më të përshtatshëm për t’ua propozuar Ungjillin kategorive të veçanta të shoqërisë bashkëkohore.

Pas Simpoziumit Evropian që u mbajt marsin e kaluar në Barcelonë, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve dhe përgjegjësve për baritorinë rinore, vokacionale, shkollore e universitare, Plenarja e ipeshkvijve evropian në Minsk përbënë një moment të mëtejshëm të përgatitjes për Sinodin e ardhshëm të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, që është në program në Romë në vjeshtën e vitit 2018.








All the contents on this site are copyrighted ©.