2017-09-17 07:00:00

Rome Half Marathon Via Pacis: mesazh për paqen dhe dialogun ndërmjet kulturave dhe popujve


“Jo” dhunës e luftrave në emër të fesë, “jo” racizmit, bullizmit, diskriminimeve. Mesazhi, që deshi të përçonte sot, me 21 kilometrat e saj, Gjysëm Maratona e Romës “Via Pacis”, është pa dyshim në favor të dialogut, të miqësisë, të paqes, të gjithëpërfshirjes e të solidaritetit. 2 mijë vetë nga 43 vende të ndryshme të botës, vrapuan përgjatë lumit Tiber e në qendër të kryeqytetit italian, duke bashkuar idealisht në një “Via Pacis” vende të rëndësishme kulti si Bazilika e Shën Pjetrit, xhamia, sinagoga, kisha valdeze dhe kisha ortodokse, për të përfunduar në Sheshin e Shën Pjetrit, ku dorëzuan disa kuti-shtyllë transparente, që simbolizojnë shtyllat e paqes.

Përkrah kësaj gjysëm maratone, edhe 5 km të tjera për t’u dhënë të gjithëve mundësi të marrin pjesë: familjeve, fëmijëve, të moshuarve e njerëzve me probleme për të ecur. Gjithsej, 4 mijë vetë.

 Nisma u realizua nga Këshilli Papnor i Kulturës dhe nga bashkia e Romës, në bashkëpunim me federata sportive e skuadra futbolli romake dhe italiane. Çmimi i kësaj maratone i jepet një projekti solidariteti në fushën e sportit, kuptuar edhe si edukim ndërkulturor e ndërfetar.








All the contents on this site are copyrighted ©.