Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: cirku dhuron gëzim, sepse na kthen në fëmijëri

Shfaqje cirku para Papës në Sheshin e Shën Pjetrit - ANSA

15/09/2017 14:01

Cirku dhuron gëzim “sepse na kthen në fëmijëri”. Ai ka “një bukuri artizanale, të ndryshme nga ajo që prodhojnë ndërmarrjet e mëdha të argëtimit”, sterile dhe pak njerëzore. Cirku është edhe “karuzeli, që nuk resht së mrekulluari, zgjon një gëzim të ëmbël në të vegjël e në të mëdhenj”. Kështu tha sot Papa Françesku, në takimin me njerëzit e cirkut, që bëjnë pjesë në Shoqatën Italiane të Ushtruesve të Spektaklit të Rrugës, me rastin e 70-vjetorit të themelimit. Fjalë, që i pati theksuar edhe në takimin e mëparshëm me këtë botë, në qershorin e vitit të kaluar, kur i quajti aktorët e rrugës “zejtarë të festës” dhe të së bukurës, të thirrur për të ushqyer ndjenjat e shpresës e të besimit.  

 “E pranoj – pohoi sot Ati i Shenjtë – se unë preferoj bukurinë tuaj, që parfumon më shumë nga habia, magjepsja e që është fryt i orëve e orëve të punës së rëndë”.

E Papa Françesku përshkoi historinë e çdo familjeje të cirkut, që e trashëgojnë artin e tyre bir pas biri. Mendoj se në origjinën e shfaqjeve e të karvaneve tuaja, theksoi Bergoglio, gjejmë gjithnjë dikë – një gjysh, një gjyshe, një stërgjysh – që është apasionuar pas këtij lloj spektakli, që ndjeu thirrjen e këtij gëzimi e prandaj, ishte i gatshëm të bëjë edhe sakrifica të mëdha.

“Është thirrje, që shndërrohet shpejt në mision – vërejti Papa – misioni për t’u ofruar njerëzve - fëmijëve, por edhe të rriturve e të moshuarve - raste për një argëtim të shëndoshë, të pastër, pa nevojën për ta ulur cilësinë”.

E di mirë, vijoi Françesku, se jeta e njeriut të cirkut nuk është e lehtë. I duhet të shkojë gjithnjë për udhë e kjo shkakton vështirësi për familjet. Shpesh hasen pengesa në marrjen e shesheve për shfaqje, në gjetjen e hapësirave për karvanet e cirkut, në mikpritjen e bashkësive të ndryshme, që jo gjithmonë e vlerësojnë këtë lloj arti.

“Mos u shkurajoni – u tha Papa Françesku anëtarëve të Shoqatës – por vazhdoni rrugën, që qytetet e fshatrat tona të mos e humbasin shijen e kësaj bukurie të veçantë, përmes pranisë suaj, përmes artit dhe gëzimit tuaj”.

Udha juaj, vijoi Ati i Shenjtë, ndriçohet nga feja, e cila jetohet në familje. Familja, i këshilloi Papa njerëzit e cirkut, ecën bashkë me Zotin, me besim në Provaninë Hyjnore. Kjo fe gjendet edhe në famullitë, që cirku i has rrugës, në të cilat Françesku i ftoi aktorët e gjimnastët të ndalen për të marrë pjesë në meshë, për t’u përgatitur për Sakramentet, për një këshillë a një ndihmë vëllazërore.

“Uroj – theksoi Papa – që ndërmjet bashkësive tuaja udhëtare e bashkësive famullitare të ketë gjithnjë takim, dëshirë për t’u njohur, të përjetohen çastet e jetës e të lutjes”.

15/09/2017 14:01