2017-09-15 11:32:00

Papa në meshën e Shën Martës: Zoja e Dhimbshme na ndihmon të kundrojmë Jezusin


Në Meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku na fton sot të kundrojmë Zojën e Dhimbshme, në këmbët e kryqit, në ditën e solemnitetit të saj liturgjik:

“Të kundrojmë Nënën e Jezusit, ta kundrojmë këtë shenjë kontradiktore, sepse Jezusi është fitimtar, por mbi Kryq, mbi Kryq. Është kontradiktë kjo, nuk kuptohet… Duhet fe për ta kuptuar, së paku, për t’iu afruar këtij misteri”.

Shën Maria, vuri në dukje Papa, e dinte dhe “jetoi me shpirtin të shporuar”. Ndiqte Jezusin dhe dëgjonte komentet e njerëzve, herë në favor e herë kundër Tij, por rrinte gjithnjë pas të Birit. Prandaj themi se ajo “është dishepullja e parë” e Krishtit, nënvizoi Ati i Shenjtë në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, e dyta pas pushimeve verore. Maria e mbante në zemër këtë “shenjë kontradikte”. E së fundi, i takoi të qëndrojë në heshtje, tek këmbët e Kryqit. Ndoshta, vërejti Papa Françesku, komentet e njerëzve e përvijonin si nënën e njërit prej tre keqbërësve, por ajo mbeti aty, pa u fshehur, për të Birin:

“Këto që po them tani janë pak fjalë për të ndihmuar në kundrimin e heshtur të këtij misteri. Në atë çast, Ajo na lindi të gjithëve: lindi Kishën. ‘Grua’ – i thotë i Biri – ‘ja bijtë e tu’. Nuk i thotë ‘nënë’, i thotë ‘grua’. Grua e fortë, e guximshme; grua, që ishte aty për të thënë: ‘Ky është im Bir: nuk e mohoj’”.

Prandaj, përfundoi Papa Françesku, nuk duhet reflektuar për Ungjillin e  sotëm; ai duhet kundruar. “Shpirti Shenjt i tregoftë secilit prej nesh për çfarë kemi nevojë”, u lut Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.