2017-09-15 00:00:00

Më 15 shtator, Kisha katolike përkujton Zojën e Dhimbshme.


Përkujtimi i sotëm i Shën Marisë së Dhimbshme na fton të jetojmë përsëri momentin vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën që i bashkohet mundimeve të të Birit e rri afër Tij të lartuar mbi kryq. Amësia e saj merr mbi kalvar përmasën universale. 

Festa e Zojës së Dhimbshme që kremtojmë sot lindi nga Urdhri i Shërbëtorëve të Marisë në shekullin XVII e pikërisht në vitin 1714. Nisi të kremtohej në të dielën e tretë të shtatorit, pastaj me reformën e  Papës Piut X, kremtimi u vendos më datën 15 shtator, për t’i lënë hapësirën e duhur  kremtimit të liturgjisë të së dielës, e kështu kjo datë mbeti e pandryshueshme edhe pas reformës së kalendarit liturgjik të Kishës që  Pali VI e bëri menjëherë pas Koncilit të II të Vatikanit.

Po cila është domethënia shpirtërore e këtij përkujtimi liturgjik?

Domethënia e këtij kujtimi liturgjik është vendosur e mund të kuptohet nën hijen e Ngadhënjimit të Kryqit. Festa e dhimbjes së Zojës së Bekuar, nuk ka të bëjë me një dhimbje që loton, dërmon; është dhimbje shëlbuese që vepron - ashtu si kryqi i Zotit  tonë Jezu Krishti nuk është thjeshtë kryq i atij që vuan, por kryq i Atij që shpëton e që mbart mbi vete peshën e mëkateve të mbarë njerëzimit. Kështu edhe Maria, që merr pjesë në veprën shëlbimpruese të Krishtit, është nën hijen e kryqit dhe e bashkuar me Kryqin e të Birit.

Maria ishte deri në fund tek këmbët e Kryqit.

Askush më mirë se Ajo nuk mund të na mësojë ta marrim mbi vete kryqin tonë e të ndjekim pas Jezusin….
Ky  pra është këndvështrimi teologjik. Koncili II i Vatikanit na jep këtë figurë të Virgjërës Mari pranë kryqit: “Kështu Virgjëra Mari eci në shtegtimin e fesë dhe e ruajti të paprekur besnikërinë e saj ndaj të Birit deri në kryq ku, jo pa ndërmjetësinë e planit hyjnor, ndenji duke vuajtur thellësisht së bashku me të Birin, duke bashkëjetuar me shpirtin e nënës, flijimin e Tij dhe duke e pranuar me dashuri flijimin që ajo vetë e kishte lindur. E, në fund, nga goja e Birit që po jepte shpirt mbi Kryq, dëgjoi fjalët që e bënë Nënë të të gjithëve: ‘Grua, ja biri yt!’. Prandaj mund të themi se figura e Virgjërës Mari pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me Birin, jo vetëm që merr pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në zemrën e vet amtare".

E atëherë nuk mund të mos lindë pyetja: çfarë lidhje ka ndërmjet Virgjërës Mari tek këmbët e kryqit e kryqit tonë?.

Ka shumë lidhje dhe kuptim. Na tregon se edhe ne së bashku me Të, mund të marrin pjesë, përmes Kishës, në misterin e shëlbimit të botës, duke e mbartur me Jezusin kryqin tonë të përditshëm.

Jezusi takohet me Nënën udhës sv Kryqit

Nuk jemi vetëm, jemi shumë, jemi popull, e shikimi i Zojës së Bekuar na ndihmon ta shohim njëri-tjetrin me syrin e vëllait, të motrës. Të shkëmbejmë gjithnjë vështrime vëllazërore! Maria na e mëson këtë shikim, përpiqet të na marrë në krahë. Të na shoqërojë. Të na mbrojë. Të na prijë kah Golgota, për të gjetur fillin e humbur të jetës. Të mësohemi ta shikojmë njëri-tjetrin nën vështrimin amtar të Marisë, që s’shihte tjetër, veç dritës së Kryqit, mbyllur brenda një rrotulle terri! Shpesh herë na duket se disa njerëz kanë më pak nevojë për ne, nësa janë pikërisht ata, që kanë më shumë. Njerëzit e braktisur, të sëmurë, pa gjë mbas shpirtit, fëmijët e rrugës, ata që nuk e njohin Jezusin, që nuk e kanë ndjerë kurrë ngrohtësinë e prehrit të Virgjërës Nënë. Në Marinë shumëkush gjen forcën e Zotit për t’i mbartur me durim vuajtjet dhe kapitjet e jetës” (Evangelii gaudium , 286). Në të gjejmë forcën e Zotit, për t’u bërë ballë shqetësimeve, që  mbarojnë vetëm nëse do të  kemi fatin e madh të trokasim në portat e qiellit! Në kërkim të Emrit të Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.