Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Falja

15/09/2017 11:37

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të meshës së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Në qendër të Fjalës së Zotit të kësaj së diele është FALJA. “Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh mëkatet tua do të falen”, pohon Leximi I (Sir 28,2). Në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu (18,21-35), Jezusi i thotë Pjetrit se duhet t’i falë fyerjet jo shtatë herë, po shtatëdhjetë herë shtatë. E pse u dashka të falim dikë, që na ka bërë keq? , mund të pyesim, për t’u përgjigjur menjëherë: sepse ne të parët jemi falur e shumë herë më tepër.

Shëmbëlltyra ungjillore na thotë pikërisht këtë: ashtu si Zoti na fal, ashtu edhe ne duhet t’i falim ata, që na bëjnë keq. E kërkojmë përditë këtë, me lutjen e “Atynës”, kur themi: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë!” (Mt 6,12). Secili prej nesh, pra, mund të jetë ai shërbëtori i shëmbëlltyrës, që ka një borxh aq të madh, sa nuk mund ta shlyejë kurrë. Edhe ne, kur gjunjëzohemi para meshtarit në rrëfyestore, nuk bëjmë tjetër veçse përsërisim gjestin e shërbëtorit. I kërkojmë Zotit të ketë durim me ne, sepse e dimë mirë se kemi shumë mungesa e bëjmë shumë mëkate. E megjithatë, Zoti nuk lodhet së faluri, nuk lodhet së na dashuri.

Hyjit i vjen keq, mund të themi duke folur për kuptimin e mëshirës hyjnore, e ndjen mëshirë e dhembshuri njëkohësisht: kjo është mëshira e Tij ndaj nesh. Falja e Zotit nuk njeh kufi, shkon përtej imagjinatës sonë dhe arrin tek kushdo, që në intimitetin e zemrës, e pranon se ka gabuar dhe dëshiron të kthehet tek Hyji. Problemi lind kur kemi përpara dikë, që na ka bërë keq. Edhe Ungjilli sipas Mateut e përshkruan shërbëtorin, i cili, i mëshiruar nga i zoti, nuk tregoi të njëjtën mëshirë për atë, që i kishte borxh diçka të vogël.

Shpesh, edhe ne veprojmë kështu, kur u kemi borxh të tjerëve, kërkojmë mëshirë; kur të tjerët na kanë borxh, kërkojmë të na kthehet menjëherë, duke pretenduar drejtësi. Por nuk duhen harruar fjalët e ashpra, me të cilat përfundon shëmbëlltyra ungjillore: “Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllain tuaj” (Mt 18,35). Prandaj, nuk duhet të ndalemi vetëm tek drejtësia, pasi nuk është ky propozimi i Atit Qiellor. Dishepujt e Krishtit u mëshiruan te këmbët e Kryqit, vetëm në sajë të dashurisë së Birit të Zotit, e jo të drejtësisë së Tij.

Në përvojën tonë njerëzore, e kuptojmë fare mirë se Mëshira e Zotit bëhet edhe me e qartë po ta konsiderojmë rrugën e faljes si udhë që mund ta risojë vërtet njerëzimin, Kishën dhe botën. … Bota ka nevojë për falje, tepër njerëz jetojnë me mllefe e ushqejnë urrejtje brenda vetes, sepse nuk dinë të falin, duke shkatërruar kështu jetën e tyre dhe të tjetrit, në vend që të kërkojnë gëzimin e qetësisë e të paqes. T’i lutemi shën Nënë Terezës, të ndërhyjë pranë Zotit, që të mos heqim kurrë dorë nga falja, të jemi shenja të përvuajtura të saj e mjete të mëshirës.

Kisha i  fton meshtarët të shkojnë në rrëfyestore, sepse ashtu si në shëmbëlltyrën  ungjillore të djalit plangprishës, u duhet dëshmuar njerëzve se Zoti është gjithnjë i gatshëm ta presë krahëhapur atë, që ka gabuar, shtatëdhjetë herë shtatë. Pa i thënë “do të ma paguash”, pas çdo mëkati.

Çka tjetër është Mëshira, madje Lumturia, nëse jo ai mister i dashurisë, që na lidh përgjithmonë me Zotin, për ta kundruar pa fund? E duhet t’i kemi gjithmonë ndërmend fjalët që Jezusi u tha dishepujve: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’ju thoja:‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’? Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjn 14,2-3).

Nga Liturgjia e Fjales se Zotit

Leximi i parë   Sir 27, 30 – 28, 7

Lexim prej Librit të Siracidit

Kush e zbaton synimin e mbrapshtë, mbi të ai kthehet e nuk e di se nga i ka ardhur. Përqeshja e poshtërimi s’i ndahen krenarit dhe hakmarrja i rri në pritë si luani. Në lak do të bien ata që i gëzohen rënies së të drejtëve, para se të vdesin, dhimbat do t’i shkrijnë. Hidhërimi dhe urrejtja njënjë janë të urrejtshme, të dyja në zemër i ndryen mëkatari. Kush do të hakmerret, do të gjejë hakmarrje prej Zotit e mëkatet e tija gjithmonë i ruan para sysh. Falja padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen. Njeriu që mban hidhërim kundër njeriut, si mund të kërkojë prej Hyjit shërim?! S’ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e këndej lutet t’i falen mëkatet e tija?! Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim, e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?! Kush do të lutet për fajet e tija?! Le të bjerë në mend mbarimi yt e pusho të urresh; kujto shkatërrimin e vdekjen dhe mbaj urdhërimet. Fjala e Zotit.

 

Pslami 103

Ref: Zoti është i mirë e i madh në dashuri

——————————————-

Bekoje, shpirti im, Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im, Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

——————————————-

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

——————————————-

Sepse mirë e di si jemi të përbërë,

s’e harron se ne jemi pluhur.

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona,

as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

——————————————-

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,

aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë. 

Sa është lindja larg perëndimit,

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

——————————————-

 

Leximi i dytë   Rom 14, 7-9

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete, dhe asnjëri nuk vdes për vete. E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim, jemi të Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve. Fjala e Zotit.

 

Aleluja: Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti:

duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha juve.: Aleluja

 

Ungjilli   Mt 18, 21-35

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Pjetri iu afrua Jezusit dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë! Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi të bëjë llogari, ia sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. E, pasi nuk kishte t’i kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ Edhe zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.  Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të vetin, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyti duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ Por ai nuk deshi dhe shkoi e e shtiu në burg deri të kthente detyrimin. Kur shërbëtorët tjerë – shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin. Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” Fjala e Zotit.

 

15/09/2017 11:37