2017-09-15 17:30:00

Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës: për dashuri të Zotit, gjithçka për të gjithë.


Më 14 shtator, në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, në Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’ në Vau-Dejës, u shugurua ipeshkvi ri i dioqezës së Sapës, imzot Simon Kulli, gjatë  kremtimit solemn të Meshës Shenjte, e më të njëjtin rast, përuroi edhe  fillimi i shërbesës së tij baritore si ipeshkëv udhëheqjen e Kishës dioqezane të Sapës. Në fjalën përshëndetëse drejtuar popullit të Zotit, imzot Kulli mes tjerash theksoi: “Do përpiqem të jem plak me pleqtë, i ri me të rinjtë, i vuajtur me të vuajturit, i varfër me të varfrit dhe do të përpiqem të bëhem i ligshtë për të ligshtët, gjithçka për të gjithë në mënyrë që të shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto do t’i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të”, siç thotë Shën Pali. Po mbi këtë kremtim e ngjarje kishtare, nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit.......

SHUGURIMI IPESHKVOR I IMZOT SIMON KULLIT

Ditëve të fundit Dioqeza e lashtë e Sapës ka patur për kryefjalë të saj, Shugurimin Ipeshkvor të meshtarit Dom Simon Kulli. Ishte festa e Lartësimit të Kryqit, 14 shtator 2017, që dom Simoni dëshiroi ta zgjidhte si ditën e Shugurimit Ipeshkvor të tij. Pikërisht madhështisë së kësaj feste iu shtua kremtimi solemn i Meshës shentje të këtij shugurimi, përmes së cilës shënon dhe fillimin e shërbesës së tij si bari në udhëheqjen e Dioqezës së Sapës. 

Panorama që të ofronte qyteti i vogël i Vau-Dejësit ishte pjesëmarrja e madhe e shumë shtegtarëve besimtarë që ishin nisur drejt Katedrales së Shentjërores Shqiptare Nënë Tereza. Gjithashtu një pjesëmarrje e madhe ishte edhe nga Ipeshkvinjtë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret nga të gjithë viset shqiptare, nga Italia dhe vende të tjera. Nuk munguan edhe personalitete nga shoqëria civile, si dhe miqtë dhe familjarët e ipeshkvit të ri.

Mesha solemne dhe ritin ipeshkvor u udhëhoq nga shuguruesi Nunci Apostolik Imzot Charles John Broën, si dhe bashkëshuguruesit Imzot Angelo Massafra dhe Imzot Dodë Gjergji. Këtij kremtimi iu bashkuan edhe të gjithë ipeshkvinjtë e tjerë të pranishëm, përmendim këtu ipeshkvinjtë e ri të saposhuguruar, imzot Gjergj Meta e imzot Giovanni Peragine.

Pas leximeve të ditës, u lexua Mandati Apostolik. Ndërsa në homelinë e rastit, mbajtur nga Arqipeshkvi i Shkodër- Pultit, imzot Angelo Massafra mes të tjerash iu drejtua ipeshkvit të ri: “Ke zgjedhur kryqin si simbol që spikat në stemën tënde ipeshkvore: ai këput vargojtë, prangat që burgosin ata që zgjedhin dhe dëshmojnë Krishtin e vdekur e të ngjallur, dhe ua hap atyre dyert e parajsës, ku do të shkëlqejnë si gurë të çmuar. Tashmë i përket krejtësisht Krishtit. Lëshoje veten në duart e tij që Ai të të mbajë dhe, nëpërmjet teje të drejtojë popullin kah Ati, tha arqipeshkvi.

Menjëherë u mbajt riti i Shugurimit Ipeshkvor, përmes të cilit i zgjedhuri u pyet nga shuguruesi: A dëshiron të mbash me besnikëri bindjen ndaj pasardhësit të të lumit Pjetrit Apostull? A dëshiron të kujdesesh për popullin e shenjtë të Hyjit me dashuri prej atit dhe së bashku me meshtarët dhe diakonët e tu bashkëpunëtorë, ta ushqesh dhe ta udhëheqësh në udhën e shëlbimit? Dhe përgjigjia e të zgjedhurit për shugurim ishte:  PO DUA! Më pas shugurimi u ndoq nga momente të tjera si: lyerja me krizmën: dorëzimi i Ungjilli; dorëzimi i unazës; dorëzimi i mitrës, dorëzimi i shkopit baritor duke përfunduar me përqafimin dhe vendosjen për herë të parë si ipeshkëv në katedër të katedrales. Ishin këto momente mjaft domethënëse dhe plot emocionuese.

Me bekimin kremtor të meshës, Ipeshkvi i shuguruar me mitrën dhe shkopin e bariut, i shoqëruar nga dy ipeshkvinjtë shugurues përshkoi katedralen duke bekuar popullin për herë të parë si bari i kësaj grigje. E ndërsa mbajti dhe fjalën përshëndetëse Imzot Simon Kulli iu drejtuar të pranishmëve, duke thënë se "Zgjedhja në detyrën e Ipeshkvit për mua është një mundësi e re për t’i shërbyer më mirë Zotit dhe popullit sipas shembullit të Krishtit, që erdhi në botë “për të shërbyer e jo për të qenë shërbyer”. Prandaj, ju ftoj të gjithëve, të nxitur nga Dashuria e Krishtit, “Më ndihmoni që t’ju ndihmoj”. Do përpiqem të jem plak me pleqtë, i ri me të rinjtë, i vuajtur me të vuajturit, i varfër me të varfërit dhe do të përpiqem të bëhem i ligshtë për të ligshtët, gjithçka për të gjithë në mënyrë që të shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto do t’i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të”, siç thotë Shën Pali. 








All the contents on this site are copyrighted ©.