2017-09-14 11:34:00

Papa në Shën Martë: misteri i dashurisë së Kryqit, jo “mazohizëm” shpirtëror


Papa Françesku rifilloi sot meshët e tij të mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, pas pushimeve verore. Në festën e Lartimit të Kryqit, Ati i Shenjtë vuri në dukje dy tundime shpirtërore para Kryqit të Krishtit: atë të një Krishti pa kryq, pra, të një Krishti të konceptuar vetëm si “mësues shpirtëror”, si edhe atë të një kryqi pa Krisht, pra, pa shpresë, një lloj “mazohizmi” shpirtëror, e quajti Papa.

Thelbi i reflektimit të Papës ishte “misteri i dashurisë” në Kryqin e Krishtit. Liturgjia flet për kryqin si për një pemë fisnike e besnike. Por nuk është e lehtë të kuptohet kryqi. Mund të bëhet vetëm përmes kundrimit. Françesku nënvizoi dy foljet, që përdor Jezusi kur ia shpjegon këtë mister Nikodemit, siç na kujton Ungjilli i sotëm. Ato janë “të ngjitesh” e “të zbresësh”. “Jezusi – theksoi Papa – zbriti nga Qielli për të na ngjitur të gjithëve drejt Qiellit… Ky është misteri i kryqit”. Vërtet, në Leximin e parë, Shën Pali thotë se Jezusi “e përuli vetveten”, duke u bindur deri në vdekjen në kryq:

“Ky është lartimi i Jezusit, ngjitja e Tij: deri poshtë, në përulje, e boshatisi vetveten për hir të dashurisë, prandaj, Zoti e lartoi, e bëri të ngjitet lart. Vetëm nëse arrijmë ta kuptojmë këtë lloj ngjitjeje deri në fund, mund ta kuptojmë shëlbimin që na ofron ky mister i dashurisë”.

Por, nuk është e lehtë, vërejti Papa Françesku, sepse gjithmonë tundohemi të marrim parasysh vetëm njërën anë të medaljes e jo tjetrën. E thotë edhe Shën Pali në Letrën drejtuar Galatasve, kur u tunduan të mos hyjnë në këtë mister dashurie, por thjesht, ta shpjegojnë atë. Ashtu si gjarpëri e pati habitur Evën dhe pati helmuar izraelitët në shkretëtirë, ashtu edhe ata u magjepsën nga “iluzioni i një Krishti pa kryq, ose i një kryqi pa Krisht”. E Ati i Shenjtë u ndal më gjatë në këto dy tundime. I pari, është ai i një Krishti pa kryq, pra, i kuptimit të Krishtit vetëm si “mësues shpirtëror”:

 “Krishti pa kryq nuk është Zoti: është një mësues, asgjë më shumë. Është ai, që kërkonte Nikodemi, pa e ditur as vetë. Është njëri nga tundimet. Po, Jezusi… sa mësues i mirë është… por pa kryq ama! Kush ju ka magjepsur me këtë imazh? - zemërohet Shën Pali. Na paraqitej Jezu Krishti, por pa kryq. Tundimi tjetër është kryqi pa Krishtin, ankthi se mbetesh aty poshtë, i përulur, me peshën e mëkatit, pa shpresë. Është një lloj ‘mazohizmi’ shpirtëror. Vetëm kryqi, pa shpresë, pa Krishtin”.

Kryqi pa Krishtin, tha Papa Françesku, do të ishte misteri i një tragjedie, si tragjeditë pagane:

 “Por kryqi është mister dashurie, kryqi është besnik, kryqi është fisnik. Sot, mund të ndalemi disa minuta e secili t’i bëjë pyetje vetes: Krishti i kryqëzuar, a është për mua mister dashurie? Kë ndjek unë, Jezusin pa kryq, mësuesin shpirtëror, që mbush me ngushëllim, me këshilla të mira? Ndjek kryqin pa Jezusin, duke u ankuar gjithnjë, me këtë ‘mazohizëm’ shpirtëror? Apo e lë veten në dorë të misterit të përuljes, të boshatisjes së plotë e të lartimit të Zotit?”

Papa Françesku e përfundoi homelinë e meshës së sotme duke iu lutur Zotit për hirin e hyrjes në këtë mister, “nuk them ta kuptojmë, por të paktën të hyjmë” tha Ati i Shenjtë, e pastaj, “me zemër, me mendje, me trup, me gjithçka, do të kuptojmë ndonjë gjë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.