2017-09-14 12:14:00

Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i ri i Sapës: dua të shërbej e jo për të qenë i shërbyer!


Sot paradite, më 14 shtator, në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, në Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’ në Vau-Dejës, u shugurua ipeshkvi ri i dioqezës së Sapës, imzot Simon Kulli, gjatë  kremtimit solemn të Meshës Shenjte, e më të njëjtin rast,  përuroi edhe  fillimi i shërbesës së tij baritore si ipeshkëv udhëheqjen e Kishës dioqezane të Sapës.

Meshën solemne dhe ritin e shugurimit ipeshkëvnor e kryesojë Nunci Apostolik në Shqipëri, shkëlqesia tij Imzot Charles Brown, në bashkëkremtim me kryeipeshkvin e Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafrën, i cili mbajti edhe homelinë e rastit, ipeshkvijve të ri të sapo shuguruar imzot Gjergj Meta e imzot Giovanni Peragina, ipeshkvijve të të gjitha dioqezave të Shqipërisë, të kryedioqezës së Tivarit të Malit Zi, të Kosovës e të vendeve tjera. Në këtë festë të Kishës dioqezane të Sapës pati një pjesëmarrje të madhe meshtarësh, rregulltarësh, rregulltaresh e besimtarësh ardhur nga të gjitha viset, personalitete nga shoqëria dhe autoritete.

Në homelinë e Meshës së shugurimit ipeshkëvnor të dom Simon Kullit, kremtuar më 14 shtator 2017, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau Dejës, imzot Angelo Massafra, mes tjerash iu drejtuar ipeshkvit të ri të Sapës: “Zgjedhja e kësaj date për të kremtuar një shugurim ipeshkëvnor është shumë domethënëse: qoftë sepse na jep mundësi të reflektojmë mbi vlerën shpëtimtare të Kryqit të Krishtit, i njëjti që, si flamur, që sot e tutje Dom Simoni do ta mbajë sigurisht me nder në kraharorin, qoftë sepse përmbyll një periudhë hiri që ka parë tre presbiterë të shuguruar ipeshkvij të kësaj Kishe të Hyjit që është në Shqipëri”.  Duke u ndalur te domethënia e misionit ipeshkëvnor imzot Massafra nënvizoi: "Plotësia e meshtarisë që dom Simoni do ta marrë pas pak merr rëndësi jo aq për atë që ai do të bëjë tani e tutje, sesa në emër të “kujt” do t’i kryejë detyrat e tij si ipeshkëv. Prandaj, pikënisja është Jezusi, të cilin ai do ta përfaqësojë për grigjën që i besohet, domethënë Dioqeza e Sapës". E në vijim theksoi “Po të lë në duart e Shpirtit Shenjt për misionin që ke për të kryer në Shqipëri”.

Në pjesën e fundit të Meshës, para bekimit të parë si ipeshkëv, Imzot Simon Kulli iu drejtuar të pranishmëve, duke thënë se "..lus Shpirtin Shenjt që të më ndriçojë për të kuptuar më mirë, çka kërkon nga unë, e të më dhurojë forcën dhe urtinë që të më aftësojë të marr përsipër e të zbatoj besnikërisht detyrat që burojnë nga shugurimi ipeshkvor".  E për misionin e tij ipeshkëvnor në drejtimin e dioqezës së Sapës, ipeshkvi ri imzot Kulli theksoi:  "Sipas shembullit të Krishtit, që erdhi në botë, edhe unë si ipeshkëv do të mundohem të veproj “për të shërbyer e jo për të qenë shërbyer”."Zgjedhja në detyrën e Ipeshkvit për mua është një mundësi e re për t’i shërbyer më mirë Zotit dhe popullit sipas shembullit të Krishtit, që erdhi në botë “për të shërbyer e jo për të qenë shërbyer”. Prandaj, ju ftoj të gjithëve, të nxitur nga Dashuria e Krishtit, “Më ndihmoni që t’ju ndihmoj”.

Fjalimi i Imzot Simon Kullit me rastin e Shugurimit Ipeshkvor, kremtuar në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau Dejës, me 14.09.2017.

Shkëlqesi të nderuara,

I nderuar Nunci Apostolik,

Të dashur vëllezër në Episkopat dhe në meshtari,

Të dashur rregulltar ë e rregulltare,

Përfaqësues të komuniteteve fetare,

Autoritete shtetërore e civile,

I nderuar kryetari i bashkisë Vau-Dejës,

Të nderuar miq e dashamir të ardhur nga shumë vende të ndryshme,

Vëllezër e motra në Krishtin.

Falenderoj Atin “I cili dërgoi Birin e vet që kushdo që beson në Të, të ketë jetën e pasosur” dhe më thërret të udhëheq grigjën e tij.

Dhjetë vite më parë në këtë Katedrale u shugurua ipeshkvi Imzot Lucjan Avgustini, çka e bën shumë përmalluese për mua këtë ditë, pa praninë e tij fizike, por i sigurtë që po lutet e ndërmjetëson për mua e grigjën e tij para Atit. Shembulli dhe zelli i tij si bari do të mbeten të paharruar në mua dhe frymëzues për shërbimin që Nëna Kishë po më beson. ­

Kur Nunci Apostolik më thirri e më shpalli se Ati i Shenjtë më kishte zgjedhur për Ipeshkëv të Dioqezës së Sapës, më ranë ndër mend fjalët e Jeremisë profet: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!” Por Zoti m’u përgjigj: Mos thuaj: ‘Jam fëmijë!’ Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj. Mos ki kurrfarë frike para tyre, sepse unë jam me ty për të të mbrojtur (Jer 1,6-8).

Në ato çaste nuk mund të mos kujtoja Marinë, Nënën tonë, e cila me gjithë paaftësinë për të kuptuar misterin që po ndodhte në të, tha “unë jam shërbëtorja e Zotit më ndodhtë siç the ti” ashtu unë po shijoja e po habitesha për shikimin e Zotit mbi të vegjlit, po vëreja se si Zoti nuk shikonte denjësinë time apo garancitë që mund t’i ofroja unë, por kërkonte prej meje të lë veten vegël në duart e tij, të bashkëpunoj me hirin e Tij të bollshëm, siç thotë shën Pali “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” ( 2 Kor 12,9)

Që nga ai moment vazhdoj të lus Shpirtin Shenjt që të më ndriçojë për të kuptuar më mirë, çka kërkon nga unë, e të më dhurojë forcën dhe urtinë që të më aftësojë të marr përsipër e të zbatoj besnikërisht detyrat që burojnë nga shugurimi ipeshkvor.

Zgjedhja në detyrën e Ipeshkvit për mua është një mundësi e re për t’i shërbyer më mirë Zotit dhe popullit sipas shembullit të Krishtit, që erdhi në botë “për të shërbyer e jo për të qenë shërbyer”. Prandaj, ju ftoj të gjithëve, të nxitur nga Dashuria e Krishtit, “Më ndihmoni që t’ju ndihmoj”. Do përpiqem të jem plak me pleqtë, i ri me të rinjtë, i vuajtur me të vuajturit, i varfër me të varfërit dhe do të përpiqem të bëhem i ligshtë për të ligshtët, gjithçka për të gjithë në mënyrë që të shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto do t’i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të”. siç thotë Shën Pali (1 Kor 9, 22).

Dashuria e madhe e paraardhësve të mi për këtë Dioqezë më ka nxitur të pranoj me bindjen dhe fenë e sigurtë se Krishti Bariu i mirë është gjithmonë me mua, t’i prij grigjës drejt kullosave që nuk mbarojnë kurrë, i sigurtë edhe në ndërmjetësine Shën Terezës së Kalkutës, Martirëve të fesë në Shqipëri, Zojës së Këshillit të mirë, pajtores së Shqipërisë. Atyre dua t’u besoj vetveten dhe popullin fisnik të Sapës.

Dëshiroj të kujtoj bashkë me ju shembullin e fjalët e shën Agustinit, ipeshkëv: “Që kur më është dhënë kjo peshë mbi shpinë, për të cilën do t’i jap Zotit një llogari jo të lehtë, jam gjithmonë i trazuar nga shqetësimi për dinjitetin tim. Gjëja më e vështirë në kryerjen e kësaj detyre është rreziku i parapëlqimit të lavdisë personale më shumë se sa shpëtimi i tjerëve. Por nëse nga njëra anë më shqetëson ajo që unë jam për ju, nga ana tjetër më ngushëllon fakti se jam me ju. Për ju jam Ipeshkëv, me ju jam i Krishterë. I pari është emri i detyrës që më është dhënë, ndërsa i dyti është emri i hirit”.

Më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë para Zotit, për Atin e shenjtë Françeskun, që më besoi udhëheqjen e kësaj kishe dioqezane.
Falenderoj Prindërit e mi, babën e nënën, këtu të pranishëm, që më rritën dhe mbollën në mua dëshirën t’i shërbej Kishës së vuajtur e popullit martir në Shqipëri.
Falenderoj Vëllezërit e mi me familjet e tyre, këtu të pranishëm, që i kam patur gjithmonë pranë më lutje e ndihmë për nevojat e mia, gjithë farefisin dhe të afërmit e mi, miq e dashamir që më kanë përcjellë me lutje e dashamirësi.
Një falenderim i veçantë shkon për të afërmit e mi që kanë kaluar në amshim: gjyshërit e mi, Meshtarët që më kanë dhënë shembull me dëshmimin e fesë me jetën e tyre; dom Martin Trushi, dom Injac Dema, dom Genc Tuku, pader Shtjefën e pader Kostandin Pistulli dhe Mons. Lucjan Avgustinin që më rritën e shoqëruan në thirrjen meshtarake, nga të cilët mësova shumë e mua më mbetet të lutem për ta e të kërkoj ndërmjetësinë e tyre në misionin tim.
Dëshiroj të falenderoj të gjithë dioqezën e Sapës, në veçanti besimtarët e Pistullit, ku u linda dhe u rrita, mbi të gjitha një dëshmitare të gjallë këtu e pranishme, e cila më ka pagëzuar, motër Maria Kaleta. Gjithashtu dëshroj të falenderoj besimtarët e famullisë “shën Nikolli Vau Dejës, ku shërbeva për 14 vite si famullitar. Më keni shoqëruar gjithmonë me lutje, dhe ju lutem vazhdoni të më përcillni që të jem shërbëtor i denjë i grigjës që më është besuar.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time autoriteteve më të larta kishtare këtu të pranishëm, ju të dashur vëllezër në episkopat, Shuguruesin tim, imzot Charles Brown, nunc Apostolik, dy bashkëshuguresit imzot Angelo Massafra dhe imzot Dodë Gjergji, i cili që në hapat e parë të meshtarisë sime dhe të rithemelimit të kësaj dioqeze, më ka mbështetur dhe qëndruar afër.
Falënderoj të gjithë meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, misionarët e misionaret, seminaristët e pranishëm nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Italia e Gjermania; jeni familje e mrekullueshme që Zoti ka në vreshtin e vet, qëndroni në dashurinë e Tij, e cila na nxit të bëjmë të dukshme fytyrën e mëshirshme të një Ati që na do e na nxit të duam njëri - tjetrin si na ka dashur Ai.
Falënderoj për praninë e tyre miqtë e ngushtë të dioqezës sonë, Arqipeshkvin e Pescarës, Imzot Tommaso Valentinetti, imzot Massimo Camisasca, ipeshkëv i Reggio-Emillia- Guastalla, Imzot Mario Russotto, Ipeshkëv i Caltanisetës,
Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkëv i Tivarit,
Imzot Zef Gashin,
Imzot Dode Gjergjin Ipeshkev i Kosoves,
Imzo Gjergj Frendo, Arqipeshkëv i Tiranë – Durrës,
Imzo Cristoforo Palmieri,
Imzot Hil Kabashin,
Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës,
Imzot Ramiro Moliner Inglez,  ish nunc apostolik në Shqipëri,
Falenderoj dy Ipeshkvinjtë e saposhuguruar, vëllezërit e mi në Episkopat, Imzot Giovanni Peragine dhe imzot Gjergj Meta; urime në misionin tuaj të ri! Le të ecim bashkë drejt shenjtërisë dhe në shërbim të denjë të popullit të vuajtur shqiptar.
Miq të shumtë nga Ferrara, Reggio Emilia, Caltanissetta, Cremona, Bari e nga Gjermania etj.
Falenderoj familjen e dashur Avgustini për praninë e tyre.
Falenderoj Provincialet dhe eproret e motrave te bashkësive të ndryshme sot të pranishme në këtë katedrale.
Falenderoj autoritetet fetare të Kishës Ortodokse dhe të Komunitetit Mysliman, shenjë e dukshme e harmonisë fetare;  miq të besimeve tjera të cilët më nderojnë me praninë e tyre në këtë kremtim të gëzueshëm
Falenderoj Shtëpinë e Bamirësisë, një prani reale e Kishës në shërbim ndaj më nevojtarëve, të gjithë të sëmurët e të varfërit për praninë e tyre.
Falenderoj autoritetet civile e shtetërore, mbi të gjithë z. Zef Hila, kryetarin e bashkisë Vau-Dejës për kontributin e tij në mikpritje si zot shtëpie në këtë qytet, dhe të gjithë kryetarët e bashkive të pranishëm në këtë kremtim.

- Në këtë dioqezë ku jam rritur e kam shërbyer, një tokë martire e vaditur me gjak dhe me shembullin e parardhësve të mi, Budit, Bardhit, Mjedës, Serreqit, Kolecit, Thaçit, Prennushit, Volajt, Gjergjit, Avgustinit, dëshiroj të hedh hapat e mi si Bari e t’i ndjek si udhërrëfyes në veprimtarinë time.

-          Rruga që është hapur përmes martirëve të lumë të kësaj Dioqeze, nga Fran Mirakaj, dom Ndoc Suma, dom Luigj Prendushi dhe atë Daniel Dajani do të jenë edhe gjurma e hapave të mi dhe frymëzim për të harxhuar jetën time në shërbim të Ungjillit, për të bërë të prekshme Dashurinë e Krishtit.

- Nga zemra dua të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, klerin dioqezan të kësaj dioqeze për mbështetjen, afërsinë dhe bashkëpunimin gjatë vitit si administrator dioqezan si dhe komisionet organizative të këtij kremtimi.

- Falenderoj të rinjtë e të rejat që pa u kursyer kanë organizuar gjithçka, Korin e përbashkët të katedraleve Sapë, Shkodër e Lezhë e shumë të tjerë në punët organizative.

- Së fundi falenderoj të gjithë ju, vëllezër e motra në Krishtin të kësaj Dioqeze, përcillni përshëndetjet dhe bekimet e mia të gjithë atyre që keni në shtëpitë tuaja, sidomos pleqve, fëmijëve, të sëmurëve e të varfërve.

Lutuni për mua, që të jem Bari sipas Zemrës së Krishtit.

Faleminderit, Zoti ju bekoftë!








All the contents on this site are copyrighted ©.