2017-09-14 00:00:00

Papa Françesku e Lorenca, që punonte si vullnetare pa shpërblim!


Tashmë Papa Françesku është kthyer nga shtegtimi në Kolombi, në Vatikan, duke marrë me vete, e duke lënë pas, kujtime të paharruara. Njëri prej tyre, ai i takimit me Lorencën Pérez, një grua shtatmadhe, me lëkurë të zezë. Është 77 vjeçe e që prej më se një gjysëm shekulli punon si vullnetare, gjithnjë me buzë në gaz. Gatuan për fqinjët e saj, në një mensë të përbashkët të lagjes së vjetër San Francisco në Cartagena de Indios. Qytet, që shtrihet përballë Detit të Karaibeve, etapë e fundit e shtegtimit kolombian të Françeskut. Papa e gjeti në shtëpinë e saj  të vogël, me mure të bardha, në fund të një rrugice të ngushtë. E ndërmjet Papës së Romës e indianes plakë u zhvillua një takim, që mund të shërbejë si mësim për gjithë të krishterët.

“Disa njerëz më pyesin: pse e humbet kohën kot, kur s’të paguan kush! Kohë pa fìtim, domethënë kohë e kotë. Ndërsa fjala “fitim” tashmë është sinonime me fjalën “para”. Për shumëkënd, por jo për Lorencën. Ajo e di se “fitim” nuk do të thotë vetëm të mbushësh xhepat me para. Ajo beson se fiton, duke punuar pikërisht pa para, paradoks i kohëve moderne, ky. Ajo, gruaja buzagaze indiane, lëkurëzezë, tashmë e moshuar, ndjehet e lumtur duke punuar, pa shpërblim, për të tjerët. E ky është shpërblimi më i madh që mund të marrë. Sepse e di që kur punon për tjetrin falas, bën punën e vetë Zotit, punon për Të.  Gjë që, në botën e sotme të përhumbur në vorbullën e numërimit të etshëm të parave, të fituara me çdo kusht, tingëllon ndoshta si diçka tepër e çuditshme, në mos po si një lloj marrëzie, së cilës i ka kaluar qëkur koha. Po jo kështu për Papën, që, ndërmjet kujtimeve më të çmuara të marra me vete nga Kolombia, do ta ruajë përgjithnjë si perlë të zezë, kujtimin e gruas, që dinte të punonte për Zotin, duke punuar për të afërmin!

Me që e mori vesh se vizita, që po i bënte Papa, ishte e vetmja private gjatë shtegtimit në Kolombi, Lorenca, vullnetarja e përjetshme, u shqetësua. Ç’do t’i thoshte Papa? E ajo, si do t’i përgjigjej, duke e pritur “në shtëpizën e bardhë”, ku shkelnin vetëm fqinjët, që shijonin çdo ditë gjellët e saj?

“Nuk e di fare çfarë do t’i them - mendoi kur e lajmëruan për vizitën. Di vetëm se do t’i kërkoj bekimin, e gjunjëzuar para Tij, si para Krishtit, mëkëmbës i të cilit është”

E kështu edhe bëri, duke mbetur në kujtesën e Françeskut si një shtatore bronzi e bamirësisë, në gjunjë, me dorën e Tij mbi kokë në shenjë bekimi. A mund të thuhet se Lorenca punoi gjithë jetën për të tjerët, pa marrë kurrë asnjë shpërblim? 








All the contents on this site are copyrighted ©.