Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Lartimi i Kryqit Shenjt

Vasiliy Sazonov, perandori Kostandin dhe Shën Helena paraqesin Kryqin Shenjt - RV

14/09/2017 13:38

Sot, Kisha Katolike kremton festën e Lartimit të Kryqit, për të cilën do të flasim në emisionin e sotëm.

14 shtatori është përvjetori i gjetjes së Kryqit të vërtetë të Krishtit nga ana e shën Helenës, nënës së perandorit romak Kostandini, në vitin 320, si edhe përvjetori i shugurimit të kishës së Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, në vitin 335. Sipas traditës, shën Helena pati sjellë një pjesë të Kryqit në Romë, në atë, që më pas, do të bëhej Bazilika e Shën Kryqit në Jeruzalem. Pjesa tjetër mbeti në Jeruzalem, marrë nga persianët në vitin 614 e çuar më vonë, tirumfalisht, sërish në Qytetin e Shenjtë.

Në kremtimin eukaristik të kësaj dite, ngjyra liturgjike është e kuqe, ngjyra e Mundimeve të Krishtit, që të kujton pikërisht Kryqin e Shenjtë dhe që përdoret edhe të Premten e Madhe të Pashkëve, kur besimtarët katolikë adhurojnë Kryqin. Në Lindjen e krishterë, kjo festë krahasohet me atë të Pashkëve.

Cili është kuptimi i këtij kremtimi?

Kryqi, pavarësisht se lidhet me një nga torturat e vdekjet më të tmerrshme, është për të krishterin pema e jetës, froni, altari i besëlidhjes së re me Zotin. Nga Krishti, Adam i ri, rrodhi Kisha. Kryqi është shenjë se Krishti është Zot për të gjithë ata, që marrin pjesë në vdekjen e lavdinë e Tij përmes Pagëzimit. Në traditën e etërve të Kishës, kryqi është shenjë e Birit të njeriut, që do të duket në fundin e kohrave. Festa e e Lartimit të Kryqit lidhet me kushtimin e bazilikave kostandiniane mbi Golgotë dhe mbi Varrin e Krishtit.

Edhe apostujt, përmes ungjillëzimit të tyre, s’bënë tjetër veçse paraqitjen e “Krishtit të kryqëzuar”. I krishteri e pranon këtë të vërtetë të fesë së vet, që i thotë se ai “është i kryqëzuar me Krishtin”, në kuptimin që çdo ditë, duhet të mbajë kryqin e vet, duke i duruar vuajtjet, ashtu siç bëri Krishti kur, i rënduar nga pesha e kryqit, u detyrua të duronte sharjet dhe përçmimin e njerëzve përgjatë rrugës së Golgotës. Vuajtjet, që riprodhojnë në korpin mistik të Kishës gjendjen e vdekjes së Krishtit, janë kontribut për shëlbimin e njerëzve dhe sigurojnë pjesëmarrjen në lavdinë e të Ringjallurit.

Historia

Në shekuj, kjo festë përfshinte edhe përkujtimin e rimarrjes së Kryqit të Vërtetë nga duart e persianëve, me fitoren e perandorit bizantin Herakliu në vitin 628. Sipas traditës galeze, duke filluar nga shekulli VII, festa e Kryqit kremtohej më 3 maj. Më pas, tradita galeze u ndërthur me atë romake. Data e shtatorit mori emrin zyrtar të Ngadhnjimit të Kryqit në vitin 1963 dhe përdorej për të kujtuar fitoren mbi persianët e kthimin e Kryqit në Jeruzalem. Data e majit u mbajt për të përkujtuar gjetjen e Kryqit të Shenjtë. Kremtimi i majit u hoq nga kalendari pas reformës së Mesharit Romak në kohën e Papës Gjoni XXIII (1960/62). Kisha ortodokse i kremton akoma të dyja ngjarjet: 14 shtatori përfaqëson një nga 12 festat e mëdha të vitit liturgjik, ndërsa në festën tjetër, atë të 1 gushtit, bëhet një Procesion i Drurit të nderuar të Kryqit (siç quhet), për të kujtuar ditën kur reliket e Kryqit të Vërtetë u ngritën në krahë nëpër rrugët e Kostandinopojës për të bekuar qytetin. 

14/09/2017 13:38