2017-09-13 14:52:00

Takim i Shën Egjidit: fetë t’i japin shpirtin botës


Besimtarët të jenë më të guximshëm, të bashkohen shpirtërisht, sepse takimi dhe dialogu i çarmatosin dhe i ndalin njerëzit e dhunshëm. Kjo është thirrja për paqe e njerëzve të Kishës, mbledhur në Mynster e në Osnabryk të Gjermanisë, në përfundim të tri ditëve të Takimit ndërkombëtar “Rrugët e paqes”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. I pranishëm, edhe kardinali shqiptar, Ernest Simoni (Troshani).

Të ndalen konfliktet, terrorizmi, që vret të pafajshmit, si edhe çdo formë dhune, pasi prej saj vuajnë të gjithë, sidomos më të varfërit e më të brishtët: kjo është kërkesa, që doli nga Takimi i Gjermanisë, në të cilin fetë u impenjuan të mos e mbështesin dhunën në emër të Zotit, të mos instrumentalizohen për të shërbyer si fitil ndezës për luftrat e terrorizmin, por t’i japin botës një shpirt, i cili ta shpëtojë atë nga globalizimi, që mendon vetëm për ekonominë e për tregun. Kështu lexohet në thirrjen përfundimtare, nënshkruar nga të pranishmit.

Në Mynster arriti zëri i vendeve të ndryshme, ku dhimbja nuk resht. Vlejnë për të gjithë, fjalët e ipeshkvit armeno-katolik të Halebit në Siri, imzot Butros Marayatti: “Lufta nuk zhduket me luftë, por me dialog, me falje e pajtim”, theksoi ai, duke përmendur emrat e dy peshkopëve sirianë, siro-ortodoksit Mar Gregorios Yohanna Ibrahim dhe greko-ortodoksit Paul Yazigi, rrëmbyer tashmë, që prej katër vjetësh.

Do të jetë Bolonja, kryedioqezë e rëndësishme italiane, selia e edicionit të ardhshëm të Lutjes për paqen 2018.








All the contents on this site are copyrighted ©.