Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa Françesku: rrënjët e krishtera të jenë garancia e paqes për Kolombinë

Papa në Kolumbi - REUTERS

13/09/2017 13:05

“Me vizitën time desha të bekoj përpjekjen e popullit kolombian në procesin e pajtimit, për të dalë nga një gjysëm shekulli konflikti”. Kështu u shpreh sot paradite Papa Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar bilancit të shtegtimit të tij të fundit apostolik në Kolombi, nga i cili u kthye në Vatikan të hënën e kaluar.

Kolombia, si pjesa më e madhe e vendeve latino-amerikane, është vend,  në të cilin rrënjët e krishtera janë të kërthndezta - kujtoi - E nëse ky fakt e bën edhe më të mprehtë dhembjen për tragjedinë e luftës, që e dërmoi, përbën njëkohësisht edhe garancinë e paqes, themelin e patundur të ndërtimit, limfën e shpresës së pamposhtur.  

“Mëshira edhe e vërteta do të takohen, drejtësia e paqja do të merren ngrykë”. Këto fjalë të Psalmit 85 i citoi në katekizmin e audiencës së përgjithshme Papa, duke kujtuar mbrëmësoren e lutjes për pajtim kombëtar, në të cilën morën pjesë si viktimat e konfliktit, ashtu edhe ish-luftëtarët e Farc. Xhelatë e viktima së bashku! Ky kremtim - shtoi - përmban profecinë e asaj që ndodhi të premten e kaluar në Kolombi; profecinë dhe hirin hyjnor për këtë popull të plagosur, që të rilindet e të ecë drejt një jete të re. Këto fjalë profetike hirëplote i pamë të mishëruara - vijoi Papa - në historitë e dëshmitarëve, që folën në emër të shumë e shumë të tjerëve të cilët, duke u nisur nga plagët e tyre, me hirin e Krishtit, dolën nga vetvetja e i hapën udhën takimit, faljes, pajtimit.

Në vijim Françesku kujtoi impenjimin e të krishterëve të Kolombisë që, duke ecur pas Jezu Krishtit, bëhen vërtet kripë, dritë, tharm në botë! E frytet e begata shihen qartë. Një nga këto fryte - shtoi - janë Hogares, shtëpitë ku të rinjtë e fëmijët e plagosur nga jeta, mund të gjejnë një familje, ku duhen, mirëpriten, mbrohen e shoqërohen në kërkim të rrugëve të reja të jetës. E fryte të tjera, të begata si vilet në vresht, janë thirrjet për jetë meshtarake e rregulltare, që munda t’i bekoj e t’i inkurajoj me gëzim, në një takim të paharrueshëm me rregulltarët e familjarët e tyre.

Në Cartagena, qytet i Shën Pjetër Klaverit, apostull i skllevërve, u fol kryesisht për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të tij themelore. Shën Pjetër Klaveri, ashtu si kohët e fundit shën Maria Bernarda Butler, dhanë jetën për të varfrit e të shtypurit, duke treguar, kështu, udhën e revolucionit të vërtetë, atij ungjillor, jo ideologjik, që i çliron me të vërtetë njerëzit dhe shoqërinë nga skllavëria e djeshme, e, për fat të keq, edhe e sotme. Në këtë kuptim “të bësh hapin e parë,” do të thotë  të afrohesh, të përkulesh, të takosh korpin e vëllait të plagosur e të braktisur. E ta bësh këtë me Krishtin, Zotin që u bë skllav për ne. Falë Tij ka shpresë në botë, sepse Ai  është mëshira e paqja.

Populli kolombian është gazmor, vuan, por pa e humbur kurrë shpresën - vijoi të theksojë Papa - duke përshëndetur me shumë dashuri besimtarët kolombianë, të pranishëm në audiencë.

“Një nga gjërat, që më preku më shumë - ritregoi - ishte turma e, në zemër të saj, baballarët e nënat, që i ngrinin fëmijët sa më lart, për të marrë bekimin e Papës". E në sytë e tyre shkëlqente krenaria e prindit për fëmijët, që spikasinin  mbi  turmën. “Nuk mund të mos mendoja me vete se një popull i aftë të bëjë fëmijë e t’i shikojë me krenari e shpresë, është popull me të ardhme!”.

13/09/2017 13:05