2017-09-13 11:53:00

Motu proprio e Papës kushtuar përkthimeve të teksteve liturgjike


U bë  e njohur këto ditë Letra Apostolike në formë “Motu proprio” e Papës Françesku “Magnum Principium”, me të cilën modifikohet kanuni 838 i Kodit të së drejtës kanonike, që ka të bëjë me përdorimin e gjuhëve vendase në liturgji. Qëllimi - lexohet në këtë Letër - është që disiplina kanonike e kanunit në fjalë, aktualisht në fuqi. “të sqarohet më mirë”  e të vihet në dukje më mirë edhe kompetenca e Selisë Apostolike lidhur me përkthimin e librave liturgjikë.

Para se të shpjegojë me hollësi si duhet lexuar kanuni 838 i Kodit të Kishës Katolike, “Motu proprio” shpjegon pse Kisha po i kushton vëmendje të veçantë kësaj teme, duke kujtuar se parimi i rëndësishëm, i konfirmuar nga Koncili II Ekumenik i Vatikanit, “sipas të cilit, me qëllim që lutja  liturgjike, e përgatitur për popullin, të mund të kuptohet, ipeshkvijve iu ngarkua detyra e vështirë e përdorimit të gjuhës së popullit në Liturgji, e përgatitjes dhe e miratimit  të  varianteve të librave liturgjikë. Kisha ishte plotësisht e vetëdijshme për flijimin, pra, për humbjen e pjesshme të gjuhës së saj liturgjike, domethënë të latinishtes, e njëkohësiht, edhe për vështirësitë që mund të dilnin gjatë kryerjes së kësaj detyre, sa të vështirë, aq edhe të rëndësishme.

Nëse nga njëra anë ishte e nevojshme të favorizohej pjesëmarrja e gjithë besimtarëve në kremtimet liturgjike “me unitetin thelbësor të ritit romak” , nga ana tjetër do të duhej të kalonte jo pak kohë që gjuhët vendase  të mund të bëheshin gjuhë liturgjike, “të lëmuara, si latinishtja liturgjike, me elegancë e stil e me solemnitetin e koncepteve, me qëllim që të ushqenin fenë”. E të shumta qenë Ligjet liturgjike, Udhëzimet, Letrat qarkore e Nxitjet Apostolike  që u hartuan për ta arritur këtë qëllim. Nuk duhet harruar se për besimtarët Fjala e Zotit “është mister: kur shqiptohen fjalët, posaçërisht kur lexohet Shkrimi Shenjt, Zoti u flet njerëzve, vetë Krishti në Ungjill i flet popullit të vet”.

“Motu Proprio”, nënvizon, prandaj, rëndësinë që ka besnikëria e plotë ndaj teksteve origjinale: “ Duhet t’i përçohet besnikërisht një populli të caktuar, përmes gjuhës së tij, çka Kisha  ia përçon një populli tjetër përmes gjuhës latine, me fjalë të tjera “çdo përkthim i teksteve liturgjike duhet të përputhet me doktrinën e drejtë”.

Nuk duhet të çuditemi, prandaj, nëse në këtë fushë u hasën vështirësi në bashkëpunimin ndërmjet Konferencave ipeshkvnore dhe Selisë Apostolike. Prandaj, lexohet në Letrën Apostolike, “Është i nevojshëm bashkëpunimi plot besim reciprok, vigjilent e krijues ndërmjet Konferencave ipeshkvnore dhe Dikasterit të Selisë Apostolike, që ka për detyrë  të merret me Liturgjinë kishtare, domethënë, me Kongregatën për Kultin Hyjnor dhe Disipilinën e Sakramenteve”. Prej këndej, nevoja, e theksuar nga Papa Françesku, “për ta bërë më të qartë disiplinën kanonike aktualisht në fuqi e, posaçërisht, kompetencën e Selisë Apostolike lidhur me përkthimin e librave liturgjikë”.

Në këtë kuptim, kanuni 838 duhet lexuar si vijon:

Kan. 838 - § 1.  Rregullimi i liturgjisë kishtare varet vetëm nga autoriteti i Kishës: kjo është në kompetencën pikërisht të Selisë Apostolike e, sipas normës të së drejtës, të Ipeshkvit dioqezan.

§ 2. Është kompetencë e Selisë Apostolike të rregullojë liturgjinë kishtare të Kishës universale, të botojë librat liturgjikë, t’i rishikojë  përshtatjet e miratuara sipas normës të së drejtës nga Konferenca ipeshkvnore si dhe të vigjëlojë që normat liturgjike të zbatohen kudo besnikërisht.

§ 3. I takon Konferencave ipeshkvnore të përgatisin besnikërisht variantet e librave liturgjikë në gjuhët e përdorura, të përshtatura hijshëm brenda kufijve të caktuar, t’i miratojnë e t’i botojnë librat liturgjikë për zonat që u përkasin, pas miratimit nga ana e Selisë Apostolike.

§ 4. Ipeshkvit dioqezan në Kishën që i është besuar, i takon, brenda kufijve të kompetencave të tij, të japë, në lëndën liturgjike, norma, të cilave të gjithë duhet t’u përmbahen.

“Motu proprio” kërkon që modifikimet e kanunit 838  të kenë pasoja mbi nenin 64§ 3 të Kushtetutës Apostolike Pastor bonus si dhe mbi ligje të tjera, posaçërisht mbi ato, që përmbahen në librat liturgjikë, në lëndën e përkthimit e të përshtatjes. Papa, në  përfundim, kërkon “nga Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disipilinën e Sakramenteve, të modifikojë ‘Rregulloren’ në bazë të disiplinës së re, t’i ndihmojë Konferencat Ipeshkvnore për të kryer detyrën e tyre si dhe të përpiqet për ta gjallëruar gjithnjë më shumë jetën liturgjike të Kishës Latine”.

Dispozitat, që përmbahen në “Motu proprion” e datës 3 shtator, do të hyjnë në fuqi më 1 tetor 2017.








All the contents on this site are copyrighted ©.