Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Këshilli i 9 kardinajve: më shumë të rinj e gra në Kurien Romake

Këshilli Kardinajve me Papën - ANSA

13/09/2017 16:27

Përfundoi sot mbledhja e Këshillit të 9 kardinajve, që ndihmojnë Papën Françesku në mbarështimin e Kishës universale. Në konferencën për shtyp, drejtori i Sallës së Shtypit, Greg Burke, njoftoi se takimi i ardhshëm do të mbahet më 11, 12 e 13 dhjetor të këtij viti.

Gjatë mbledhjes, nënvizoi Burke - i cili sqaroi se Papa mori pjesë duke filluar nga e marta, pas udhëtimit në Kolombi - “pati një reflektim mbi tekstet papnore, që kanë të bëjnë me reformën e Kuries”. Reflektimi u drejtua nga kardinali Oscar Rodriguez Maradiaga, i cili përshkoi mendimin, që Papa Françesku pati shprehur në tekstet e takimit tradicional me Kurien Romake për Krishtlindje, në ato të dy koncistorëve, në shkurt e në tetor 2015, si edhe në tekstin e 50-vjetorit të Sinodit të Ipeshkvijve.

Këshilli, që u mblodh paradite e pasdite, studioi propozimet e reformës, që i duhen paraqitur Atit të Shenjtë. Ndër të tjera, kardinajtë diskutuan mbi Motu Proprio-n e fundit “Magnum Principium” dhe për rrjedhojat e saj mbi punën e Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve. Ndër temat e tjera të përmendura nga zëdhënësi vatikanas, Greg Burke: Kuria si mjet ungjillëzimi e shërbimi jo vetëm për Papën, por edhe për Kishat lokale; decentralizimi; roli i Nunciaturave Apostolike; përzgjedhja dhe kompetencat e personelit, që duhet të jetë më pak klerikal e më shumë ndërkombëtar, me më tepër të rinj e gra.

Gjithashtu, kardinajtë rishikuan Statutet e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, themeluar më 1 shtator 2016, ndërsa kardinali O’Malley i informoi anëtarët e tjerë të Këshillit për punimet e Komisionit Papnor për Mbrotjen e të Miturve. Përsa i përket zëvendësimit të mundshëm të kardinalit George Pell, i cili ndodhet aktualisht në Australi, Greg Burke u përgjigj se çështja nuk është diskutuar akoma.

13/09/2017 16:27