Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa Françesku: ta shikojmë çdo dhimbje në perspektivën e Kryqit

Papa lutet tek këmbët e Kryqit në Villavicencio - REUTERS

13/09/2017 14:48

Në audiencën e sotme të përgjithshme,mbajtur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë përshëndetjeve drejtuar besimtarëve të grupeve të ndryshme gjuhësore, Papa Françesku kujtoi se nesër Kisha do të kremtojë Festën e Lartimit të Shenjtes Krygjë. Mos e harroni kurrë - theksoi - se nëpërmjet Kryqit të Krishtit u arrit fitorja mbi djallin, u mund vdekja, u dhurua jeta, u rikthye shpresa. Duhet të dini gjithnjë ta zbuloni e ta pranoni këtë mesazh dashurie e shëlbimi, që buron nga Kryqi i Krishtit.

Kjo festë - nënvizoi - na kujton se udha drejt shenjtërisë kalon nëpër Kryqin. Në këtë perspektivë duhet parë çdo vuajtje: sëmundja, padrejtësia, varfëria, mosuksesi.  Kryqi - u lut - qoftë për ne burim pastrimi, jete, force shpirtërore. “Duke i mbartur me Krishtin kryqet tona të përditshme dhe vështirësitë tona, mësojmë prej Tij aftësinë për ta kuptuar dhe për ta pranuar vullnetin e Zotit”.

Së fundi, Papa iu drejtua, sipas traditës, të rinjve, të sëmurëve, të sapomartuarve:

“Të dashur të rinj, forcojeni dialogun me Zotin, përhapeni dritën e Tij e  paqen e Tij;

të dashur të sëmurë, gjejeni ngushëllimin në Kryqin e Zotit Jezus, i cili e vijon veprën e shpërblimit në jetën e çdo njeriu;

e ju, të dashur bashkëshortë të rinj, përpiquni të mbani lidhje të përhershme me Krishtin e Kryqëzuar, që dashuria juaj të jetë gjithnjë më e vërtetë, më e frytshme, më e qëndrueshme”.

13/09/2017 14:48