2017-09-12 11:51:00

Nepal: shqetësimi i liderëve të krishterë për Kodin e ri Penal, që dënon të gjitha kthimet në fe të tjera


Bashkësia e krishterë e Nepalit është jashtëzakonisht e shqetësuar për ligjin e ri në Kodin Penal, i cili dënon të gjitha kthimet në fe të tjera, veprimtaritë e ungjillëzimit e prozelitizmin.

Kjo masë, që do të hyjë në fuqi në gusht të vitit 2018, parashikon se kushdo kapet në vepra prozelitizmi, që synojnë kthimin e ndokujt në një fe tjetër, ose “minojnë fenë apo besimin e një kaste, grupi etnik apo bashkësie tjetër” mund të dënohet me burgosje deri në pesë vjet. Përveç kësaj, kush fyen ndjenjat fetare të një grupi besimtarësh mund të dënohet deri me dy vjet burg dhe me pagesën e një gjobe prej 2 mijë rupish nepaleze (rreth 16 euro). Ajo mund t’u vihet edhe të huajve, pra, edhe misionarëve. Të krishterët denoncojnë problemet, që mund t’u sjellë ky ligj në veprimtarinë e tyre të ungjillëzimit, por edhe pengesat, që mund të hasin të gjithë ata, të cilët duan të kthehen në fenë e krishterë, ose në ndonjë fe tjetër, duke kufizuar kështu lirinë fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.