2017-09-11 17:44:00

Papa Françesku: Kolumbia vend me të ardhme; shtegtimi, prekës


"Popull fisnik, që nuk ka frikë t’i shprehë mendimet e ta bëjë të dukshme, atë që ndjen”. Katër ditë të plota mjaftojnë për të folur me dashuri të sinqertë për një popull, që deshi t’i tregojë se e do me të vërtetë; katër qytete, e kudo, e njëjta hare në rrugë, në Meshët, kudo.

Admirim për Kolombinë

Papa e hapi kështu konferencën e shtypit gjatë fluturimit të kthimit nga Kolumbia. Pa pyetje, por me një vlerësim spontan, që e shprehu mrekullisht mirë, atë që kishte në zemër. Gjatë bisedës, një mozaik temash, sipas interesave gjeopolitike të gazetarëve. Venezuela dhe qëllimet e presidentit Maduro, emigrantët e SHBA dhe synimet e presidentit Trump, ferri i emigrantëve nga Libia, vlerësimi i Italisë me porta të hapura  dhe përgjegjësitë e qeverive botërore lidhur me klimën, që gjithnjë më shpesh po krijon tragjedi.

Nëse njerëzit e duan paqen

Për mirësjellje, gjatë shtegtimit, pyetjet e para i takojnë kronistëve të vendit të sapovizituar dhe dy kolegëve, që marrin mikrofonin dhe i luten Papës të flasë për Kolombinë e pas ndeshjeve të armatosura e për korrupsionin. Guerrilja - pohon Françesku - ishte sëmundje, por nuk mungojnë as hapat, që ngjallin shpresë. Falënderoj shumë ELN (Ejército de Liberación Nacional) - pohon - duke kujtuar këtë sigël të guerriljes kolombiane që, ndryshe nga FARC, nuk flet për paqe, por vetëm për armëpushim. E perceptova - shton - se "dëshira për të ecur përpara në këtë proces, shkon përtej bisedimeve”, është dëshirë e vetvetishme, e në të – nënvizon - ndjehet forca e popullit që, megjithatë, duhet ndihmuar me afërsi, me lutje  e, sidmos, me mirëkuptim.

Të korruptuarit dhe “modeli Kolombia”

Korrupsioni është një nga temat e forta të papnisë e Françesku kujton librin e shkruar mbi këtë argument si dhe bindjet e shprehura për të korruptuarin - njeri - pohon - të cilin e lodh kërkimi i faljes, ndaj edhe harron t’ia kërkojë Zotit, i cili nuk do t’ia mohonte e që, sidoqoftë, është i vetmi që do të mund ta shpëtonte një njeri të tillë. Tema e popullit protagonist i fateve të veta  ripreket në përgjigjen e Papës për gazetarët e gjuhës spanjolle, që e pyesin “nëse është e mundur të përsëritet modeli i Kolombisë”, domethënë, bisedimet me shumë zëra. Sigurisht, mundet, madje ka ndodhur - gjegjet Papa - por fakti - vijon - është se më shumë se  OKB-ja, se politikanët e teknikët, "procesin e paqes e çon përpara vetë populli, kur e merr në duart e veta”. Përndryshe, kompromiset peshojnë shumë pak.

Gjëmët e natyrës e përgjegjësia

Dekania, pra e para e grupit të gazetarëve, është edhe e para, që interesohet për shëndetin e Françeskut pas aksidentit të ditës së fundit në Kolombi, mbi vetull e mbi mollëzën e faqes. Papa mjaftohet me një batutë e pastaj i jep përgjigje pyetjes lidhur me temën ambientale. Uraganet, që po rrënojnë zona të tëra të Amerikës Qendrore, janë dramë – pohon – e cila i kujton secilit përgjegjësitë e veta morale, duke përfshirë edhe qeveritarët, që i kanë edhe ata, të tyret. Mjafton të pyesësh shkencëtarët, se ta tregojnë. Madje janë jashtëzakonisht të qartë.

Emigrantët: shembulli i Italisë dhe i Greqisë

Gazetarëve italianë u intereson qëndrimi i Papës për vonesat e qeverive lidhur me emigracionin. Pse - pyesin - nuk janë aq të gatshëm sa duhet, ndërsa nuk u mungon aspak shkathtësia, kur është fjala për shitjen e armëve? - Sepse njeriu është budalla - përgjigjet Papa - duke cituar Biblën, e kur vendos të mos shikojë, “nuk shikon”. E përsa i përket qëndrimit ndaj ikjes së të dëshpëruarve nga Libia, Françesku pohon se nuk e trajtoi temën gjatë takimit me Gentilonin, e sidomos, se e ndjeu për detyrë t’i shprehte mirënjohjen Italisë dhe Greqisë, që ia hapën zemrën emigrantëve.  Hapje - saktëson - që nuk mund të mos ketë parasysh edhe kapacitetin e strehimit të çdo vendi të veçantë. 

Gjithsesi - ngulmon Françesku - problemi i vërtetë  është integrimi, ose e kundërta e tij. “Zemër gjithnjë të hapur, durim, integrim e afërsi njerëzore” kërkon Papa, duke e ftuar njerëzimin të mos i harrojë “kampet e përqendrimit në shkretëtirë”, ku marrin fund ëndrrat  e një mori emigrantëve e duke e ftuar qeverinë italiane të bëjë gjithçka mundet për të zgjidhur problemet humanitare, edhe ato, që nuk mund të zgjidhen.  Gjatë përgjigjes, një nënvizim për Afrikën, mbi të cilën rëndon akoma bindja e rrënjosur thellë, domethënë, se është kontinent për t’u shfrytëzuar, më shumë se për t’u ndihmuar që të ecë me këmbët e veta.

Trump - Maduro

Duke mbetur gjithnjë në orbitën e emigracionit, Françeskut iu drejtua pyejtja lidhur me ligjin amerikan “Dreamers” (që i heq mbrojtjen e dëshiruar nga Obama, 800 emigrantëve të mitur të hyrë ilegalisht). Duke pranuar se nuk i njeh mirë termat, Papa nuk e humbet shpresën se qeveria do ta rimendojë këtë ligj.  E di se presidenti amerikan - vërejti - “paraqitet si njeri pro-life”. Nëse është vërtetë pro-jetës, e kupton edhe se familja është djepi i jetës, ndaj bashkimi i saj duhet mbrojtur, sepse kur të rinjve u shkulen rrënjët, s’u mbetet tjetër, veç rrugëdaljeve të tmerrshme të drogës, vartësive e vetëvrasjeve. Lidhur me çështjen venezuelane, që e ka aq shumë për zemër, Papa kujtoi se Selia e Shenjtë foli me zë të fortë e të qartë e, përsa u përket deklaratave të presidentit Maduro, i takon atij t’i shpjegojë. Ajo që i dhemb më shumë Françeskut, është “problemi humanitar” e, lidhur me këtë, duhet të dëgjohet mirë zëri i OKB-së, për të dhënë ndihmesën e duhur.

Kolombia ka të ardhme

Konferenca e shtypit vijon pa lëkundje, veç atyre të avionit, që u kujtojnë gazetarëve se kanë kaluar më se 40 minuta e se duhet t’i japin fund këtij dialogu kaq interesant, që rrok rrotullimin e botës! Në këtë çast Françesku  vendos ta mbyllë dialogun, ashtu si e nisi: duke folur për mbresat e pashlyeshme, që i la Kolombia. Kujtoi, sidomos, nënat e baballarët që, kur kalonte, i ngrenin fëmijët lart, që ai t’i shikonte e, sidomos, t’i bekonte, “E ky - theksoi fort Papa - është simbol i ardhmërisë plot shpresë. Një popull, që është i aftë të bëjë fëmijë e pastaj t’i bëjë të duken, si të ishin ndonjë thesar, është popull, që ka shumë shpresa për të ardhmen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.