2017-09-11 00:00:00

Papa: Motu proprio “Magnum principium”, për të vijuar përtëritjen e jetës liturgjike


Lutja liturgjike duhet të jetë e përshtatshme, për t’u kuptuar plotësisht nga populli”, që kështu të mund edhe të jetohet. Me një stil shprehës, besnik ndaj teksteve origjinale, por edhe e aftë për ta komunikuar kumtin e shëlbimit në çdo rrethanë gjuhësore e kulturore si dhe për të favorizuar  pjesëmarrjen e të gjithëve në liturgji,  “në mënyrë të vetëdijshme, aktive, të frytshme”, siç porosisnin etërit e Koncilit II të Vatikanit Kushtetutën “Sacrosanctum Concilium” të 1963-t. Këto, ndjetet që e nxitën Papën Françesku, mbi bazën e punës së një Komisioni ipeshkvijsh e specialistësh themeluar nga ai vetë, ta modifikojë kanunin 838 të Codex iuris canonici (Kodi i së drejtës kanonike kishtare) lidhur me botimin e librave liturgjike e të varianteve të tyre në gjuhë të ndryshme.

Me motu proprion “Magnum principium”, datuar 3 shtator e në fuqi më 1 tetorin e ardhshëm, Papa hap edhe një herë hullinë e “rishikimit të mbarë jetës liturgjike”, nisur nga Koncili II i Vatikanit. E shënon se disa nga parimet e transmetuara që nga koha e Koncilit, duhet të ripohohen më qartë e edhe të vihen në jetë” në fushën e përkthimit të librave liturgjike. Lëndë delikate e jo pa vështirësi kjo, siç e tregon debati i vazhdueshëm i këtyre dhjetëvjeçarëve, si dhe problemet e posaçme, që lindën nga puna e kryer mbi tekstet. Punë e orientuar dhe e rregulluar nga kritere të sugjeruara kohë pas kohe nga dokumentet normative themelore, posaçërisht nga  udhëzimet Comme le prévoit i 1969-tës dhe Liturgiam authenticam e vitit 2001.

Pika kryesore e Motu proprios është lidhja e Selisë Apostolike me konferencat ipeshkvnore në përgatitjen e përkthimeve të teksteve liturgjike. E pikërisht për ta bërë më të lehtë bashkëpunimin e tyre, përmes një klime “besimi reciprok, vigjilent e me frymë krijuese”, Papa e riformuloi kanonin në fjalë, duke përcaktuar posaçërisht dallimin ndërmjet “rishikimit” (recognitio) e konfirmimit (confirmatio). Të dyja këto detyra, në kompetencë të Selisë Apostolike.

I pari ka si kriter verifikimin e besnikërisë ndaj ritit romak e unitetit të tij thelbësor. E është veprimtari rishikimi dhe vlerësimi, e cila ka të bëjë me adoptimet që mund t’i bëjë çdo konferencë ipeshkvnore teksteve liturgjike, për të vlerësuar larmitë e ligjshme të popujve dhe të etnive në kultin hyjnor. Ndërsa i dyti ka të bëjë me përkthimet e përgatitura e të miratuara nga ipeshkvjtë për zonat e kompetencës së tyre. Mbi këto, Selia e apostolike ushtron vetëm një akt konfirmimi, duke e ratifikuar në thelb punën e episkopateve e duke nënkuptuar, natyrisht, benikërinë dhe përkimin e varianteve me tekstin liturgjik origjinal.








All the contents on this site are copyrighted ©.