2017-09-11 14:26:00

Imzot Semeraro: puna e C9-ës për reformën, në përfundim e sipër


Filloi sot në Vatikan mbledhja e 21-të e Këshillit të Kardinajve këshilltarë, që do të përfundojë më 13 shtator. Organizmi i themeluar nga Papa Françesku më 28 shtator 2013, ka për detyrë të ndihmojë Atin e Shenjtë në mbarështimin e Kishës Universale e të studiojë rishikimin e Kushtetutës Apostolike “Pastor Bonus” të Kuries Romake. Mbi veprimtarinë e atij, që njihet me shkurtimin “C9”, na njeh sekretari i Këshillit të Kardinajve, imzot Marcello Semeraro, ipeshkëv i Albanos:

Papa, në të vërtetë, nuk e ndjen veten “reformator”… në se e nisi këtë punë të reformës së Kuries, e bëri nën shtytjen e sugjerimeve, që dolën nga mbledhjet para Konklavit. Ne shohim se ka zgjedhur, së paku fillimisht, anëtarët e Këshillit të Kardinajve ndërmjet atyre që janë në krye të dioqezave, apo të Kishave vendase, në kontinente të ndryshme. Pra, kemi një synim të dyfishtë: të dëgjohen zërat e Kishave lokale, për të vijuar pastaj me reformën e Kuries Romake.

Si do ta përshkruanit metodën e punës së C9-ës? Cilat janë tiparet dalluese, sipas jush?

Metodën e punës do ta përshkruaja përmes disa foljeve. Së pari, Këshilli i Kardinajve ka dëgjuar e dëgjon. Gjithçka nisi në tetor 2013 me relacionet e kontributet e ipeshkvive, të dikastereve të Kuries Romake dhe të shumë njerëzve, që na kanë shkruar. Folja e dytë: Këshilli pasi dëgjon, reflekton. Reflekton mbi propozimet e mbi mënyrën për të ecur përpara; bën edhe verifikime. Pra, dëgjon, reflekton, verifikon. E së fundi, mund t’i bëjmë një propozim Papës, sepse Këshilli i Kardinjave nuk vendos, ka vetëm pushtet këshillues.

Papa merr pjesë aktive në punime e në diskutime. Cili është qëndrimi i tij ndaj punimeve të C9-ës?

Zakonisht, Papa është i pranishëm e sidomos dëgjon. Ndërhyn kur propozon përvojën e tij personale si kryeipeshkëv në Buenos Aires apo në gjendjen aktuale të jetës së Kishës. Përveç kësaj, siç thashë, Këshilli i Kardinajve nuk është themeluar vetëm për reformën e Kuries; qëllimi kryesor, kur të ketë përfunduar kjo fazë reforme e Kuries Romake, do të mbetet bashkëpunimi me Papën, shprehja e mendimeve dhe e këshillave për argumente të ndryshme, për të cilat është i nevojshëm këshillimi. Për shembull, dihet se shpesh Këshilli i Kardinajve e ka përqendruar vëmendjen në realitetin e dhimbshëm të abuzimit me të miturit. Kjo, në vetvete, nuk bën pjesë në reformën e Kuries Romake e, megjithatë, Papa deshi të dëgjojë mendimin e Këshillit. Pra, kur është rasti për të saktësuar e për të ndërhyrë, Papa ndërhyn, por me shumë delikatesë. Ai, kryesisht, dëgjon.

Shumë duan të dinë në ç’pikë ka arritur reforma…

Përsa i përket reformës së Kuries Romake, kemi bërë tre të katërtën e rrugës: po përfundon. Natyrisht, po plotësohet propozimi për t’iu parashtruar Papës. Ati i Shenjtë ka realizuar tashmë disa bashkime të Këshillave Papnore: do të thosha se përsa u përket laikëve, familjes e jetës ka një lloj homogjeniteti e vijueshmëri tematike; Dikasteri për promovimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor nuk është thjesht bashkim i strukturave të mëparshme, por zbatim i projektit të dokumentit konciliar “Gaudium et Spes”; me rëndësi të madhe, edhe një dikaster tjetër, Segretaria për Komunikimin, që kryen detyra kryesisht baritore, të themi, ato që më parë ishin të Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore. Por, së bashku me detyrën baritore të orientimit, Segretaria për Komunikimin ka edhe një përgjegjësi të jashtëzakonshme administrative. Për shkak të rëndësisë që ka tema e komunikimit, është Dikaster qendror në planin e reformimit të Kuries.

Pra, rruga e reformës po përfundon?

Tani për tani, kemi bërë tre të katërtat e udhës: mendoj se pas disa muajsh, rishikimi do të jetë i plotë e Papa do të ketë në dispozicion propozimet për të gjitha Dikasteret. Pastaj, i takon atij të vendosë si e kur t’i zbatojë. Ati i Shenjtë, deri tani, ka parapërlqyer një zbatim gradual, duke lënë kohë edhe për një farë verifikimi e përshtatjeje. Në ndonjë rast, Papa ka ndërhyrë për korregjime, sepse në kalimin nga teoria në praktikë kanë dalë probleme, që duhen zgjidhur. Pra, aktualisht, Papa po ndjek planin e zbatimit gradual.








All the contents on this site are copyrighted ©.