Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Dom Mark Hasi në përvjetorin e vdekjes

Martiret e Kishes katolike shqiptare - RV

11/09/2017 12:17

Më 11 Shtator 1981 u nda nga jeta në Ballsh, duke vuajtur dënimin, Dom Mark Hasi famullitar i famullisë kishtare të Shkodrës. Prifti shqiptar dom Mark Hasi qe një predikatar i shquar, tërheqës, bindës. I dashuruar përherë në Ungjillin e Krishtin e në kombin e tij shqiptar, çka dëshmoi me vepra e jetë deri në martirizim.

Dom Mark Hasi lindi në Malin (Shkodër) në vitin 1920. Mësimet e para e të mesme i kreu në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Studimet e larta i bëri pjesërisht në Padovë e i përfundoi në Shkodër. Meshën e parë e kremtoi më 24 shkurt 1945 në Katedralen e Shkodrës. Menjëherë pas shugurimit meshtarak, dom Mark Hasi u emërua zv/famullitar i Shkodrës e më vonë edhe sekretar i Kishës.

U arrestua për herë të parë në dhjetor të vitit 1947 në Shkodër nga regjimi komunist dhe u dënuar me 7 vjet burg “Për agjitacion e propagandë”. E kreu tërë dënimin e u lirua në vitin 1954. Nga ky vit e deri më 1967 shërbeu përsëri në famullinë kishtare të Shkodrës.

Pas mbylljes së Kishave më 1967, është arrestuar për të dytën herë më 7 prill po të atij viti. Kësaj here u dënua me pushkatim po më të njëjtin motivacion, si herën e parë. Ju shtua edhe një akuzë tjetër, natyrisht jo e vërtetë, “Për tradhti ndaj Atdheut”, sipas regjimit komunist. Po dënimi iu kthye në 25 vjet burgim, nga të cilat bëri 14 vjet e gjysmë, pse vdiq më 11 shtator 1981 në Ballsh.

Eshtrat e tij qëndruan këtu deri në vitin 1992. Pas rihapjes së Kishave e rifitimit të lirisë eshtrat e këtij martiri u sollën në Shkodër dhe u rivarrosen në Rrmaj më 22 janar 1992. Me këtë rast u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore në shenjë nderimi e mirënjohjeje për dëshminë e tij të dashurisë e besnikërisë ndaj Zotit e Atdheut.

11/09/2017 12:17