Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Benedikti XVI: lutje për viktimat e 11 shtatorit 2001

Memoriali me emrat e viktimave të 11 shtatorit 2001, në Nju Jork - EPA

11/09/2017 17:12

Papa Benedikti XVI pati shkuar në Ground Zero, në prill të vitit 2008, gjatë vizitës së tij në SHBA. E me atë rast, Ati i Shenjtë i drejtoi Hyjit këtë lutje që u lartua nën Kryqin e besimit e të shpresës, pikërisht në atë vend ku më 11 shtatorin e vitit 2001 ndokush pati bërë pyetjen tepër të vështirë “Ku ishte Zoti?”.

Lutja
O Hyj i dashurisë, i mëshirës e i pajtimit,
drejtoi sytë e Tu mbi ne, popull i feve e i traditave të ndryshme, mbledhur sot në këtë log, skenë e dhunës dhe e dhimbjes së pabesueshme.
Të lutemi që, me mirësinë Tënde Hyjnore,
t’u japësh pushimin e pasosur e dritën e pambaruar
të gjithë atyre që vdiqën në këtë vend;
të parëve, që vrapuan të japin ndihmën e tyre:
zjarrfikësve, policëve, punonjësve të ndihmës së shpejtë e personelit të Kapitenerisë së Portit, së bashku me të gjithë burrat e gratë e pafajshme, viktima të kësaj tragjedie vetëm sepse puna e tyre e shërbimi i tyre i thirri këtu më 11 shtator 2001.

Të lutemi, me mëshirën tënde,
t’i shërosh ata
që sot, për shkak të pranisë së tyre këtu
i ndjejnë fort dhimbjet e plagëve e të sëmundjeve .

Shëroi, o Zot, edhe familjet, që vuajnë e qajnë ende,
e të gjithë ata që humbën të dashurit në këtë tragjedi.
Jepu forcën ta vijojnë rrugën e jetës
me guxim e shpresë.

Kujtojmë edhe ata që vdiqën,
u plagosën
e të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur
në të njëjtën ditë, në Pentagon e në Shanksvil, në Pensilvani.

Zemrat tona bëhen një me zemrat e tyre,
rrahin njëherësh me to.
Lutja jonë përfshin gjithë dhimbjen e tyre.

O Zot i paqes, jepi paqen tënde kësaj bote plot dhunë -
Paqe në zemrat e të gjithë burrave e grave,
e paqe ndërmjet Kombeve të tokës!

Bëj t’i kthejnë hapat në udhën tënde të dashurisë,
ata që i kanë mend e zemër
të prishura nga urrejtja.

O Hyj i mirëkuptimit:
të dërrmuar nga përmasa e përbindshme e kësaj tragjedie,
kërkojmë dritën tënde e udhëheqjen Tënde,
ndërsa jemi para një ngjarjeje kaq të llahtarshme.

Të lutemi që njerëzit, jetët e të cilëve u kursyen,
të jetojnë në një mënyrë të tillë,
që të mos e bëjnë të kotë
flijimin e atyre që këtu e humbën jetën.

Ndihmona e ngushëllona,
përforcona në shpresë
e na jep urti e guxim
të punojmë pa u lodhur kurrë për një botë
ku mbretëron paqja e dashuria e vërtetë ndërmjet Kombeve e në zemrat e të gjithëve!

Në Graund Zirou ende shohim pasojat e urrejtjes në ditët tona. E pikërisht këtu, ne gjunjëzohemi për t’u lutur në heshtje, përpara syve të Zotit, për t’i kërkuar dritë e ngushëllim, që të mund të shpresojmë përsëri e përsëri edhe përballë kraterit të Graund Zirou.

Me lutjen e tij në prill 2008, Papa Benedikti XVI i ftoi të gjithë të kujtojnë se këtu, vërtetë u përjetua përvoja e urrejtjes dhe e dhimbjes, por jo më pak, e pikërisht në çastin e tragjedisë, edhe përvoja e solidaritetit dhe e dashurisë, sepse shumë njerëz dhanë jetën e tyre, për të shpëtuar të tjera jetë.

Ky është një mesazh që vijon e që duhet të bëhet gjithnjë më i fuqishëm, në mënyrë që të shkohet përpara, me dëshirën për të ndërtuar së bashku një shoqëri më të mirë, duke ia prerë rrënjët urrejtjes e terrorizmit e duke u ngritur përsëri në këmbë, edhe pas goditjeve të tilla. Kështu mund të themi se edhe ky është një mesazh i madh, jo vetëm për popullin e Amerikës, po edhe për të gjithë njerëzimin. Ky është mesazhi për bazën e respektit e të dinjitetit të njeriut, për të ecur përpara në rrugën e pajtimit të njerëzimit, kështu edhe Graund Zirou është çasti i lutjes, në heshtje, përballë shfaqjes të së keqes, me dëshirën për të shikuar përpara me shpresë e përgjegjësi të plotë.

11/09/2017 17:12