Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

16 vjet pas 11 shtatorit: “Nuk do të jemi kurrë siç doni ju”

11 shtatori i vitit 2001 - RV

11/09/2017 12:29

Ngjarjet i njohin të gjithë. Si sot, më 11 shtatorin e vitit 2001, pra, 16 vjet më parë, 19 anëtarë të organizatës terroriste Al Kaida, morën në dorë katër avionë civilë dhe i përplasën, dy kundër Kullave Binjake në Nju Jork, një kundër Pentagonit, ndërsa tjetri, që ishte menduar kundër Shtëpisë së Bardhë në Uashington, u përplas në një fushë pranë Shanksville të Pensilvanisë. Pasagjerët dhe ekuipazhi ishin munduar, pa ia dalë, ta kontrollonin sërish avionin. Në atentate gjetën vdekjen 2.995 vetë, ndër të cilët 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë nga 70 kombësi të ndryshme, ndërmjet të cilëve edhe shqiptarë.

Pas 16 vjetësh, a ia ka arritur terrorizmi botëror t’i shtijë frikën së ashtuquajturës “botë perëndimore”? Natyrisht, shumë ujë ka rrjedhur nën ura e njerëzit ndjehen më të pasigurtë se atëherë. Al Kaida nuk është më, por lindi Isis. Shtohen atentatet terroriste. Rritet edhe ksenofobia e u vihen lloj-lloj pritash emigrantëve, të huajve, ose thjesht, atyre që konsiderohen ndryshe, por në një gulsh humaniteti, njerëzimi, mbledh pas çdo atentati forcat e tij më të mira dhe ulërin “Nuk do të jemi kurrë siç doni ju”.

Sepse, pavarësisht nga përpjekjet, pavarësisht nga ata avionë, që më 11 shtator, u vërsulën për të vrarë, ndërsa njerëzit ishin në punë, më 12 shtator, të gjithë ishin sërish aty, në punë, me sytë e përlotur nga dhimbja e nga tymi i Kullave Binjake, por me kokën lart.

Më 11 mars 2004, ndërsa në Madrid, burra e gra ecnin me nxitim në hyrje-daljet e metrosë, terroristët goditën sërish, duke bërë të shpërthejnë 192 vetë në një tunel të mbyllur, pa shpëtim. Por më 12 mars, burra e gra të tjera shpejtonin nëpër tunele për të kapur trena të tjerë, me zemrën të shtrënguar nga ankthi, por me kokën lart.

Atentati tjetër, ai i gazetës satirike “Charlie Hebdo”, u përpoq të vriste lirinë, por të nesërmen, sa e sa gazetarë e njerëz të lirë u ulën para kompiuterave që të shpiknin një mënyrë të re për të qeshur, edhe pse u vinte për të qarë. Koka, lart!

Po ata që ikën për pushime në Tunizi, shtrirë nën diellin e plazhit të Sousse-s, apo ata që shikonin mrekullitë e historisë në muzeun e Bardos? Terroristët i qëlluan, por nuk mundën të ndalonin të nesërmen njerëz të tjerë, nën diellin e plazheve e në muzetë e botës, kokën kaq lart sa arrinte qiellin.

Provuan terroristët ta thyenin këtë njerëzim edhe në aeroportin e Brukselit: gati për t’u nisur, pati nga ata që nuk u nisën dot. E megjithatë, të nesërmen, në aeroporte të tjerë, radhë të gjata njerëzish me valixhe, që ndoshta dukeshin më të rënda, aq sa e kishe të vështirë të mos e ulje kokën, por edhe pse me mundim, e mbaje sërish lart.

Terroristët u përpoqën edhe në Nicë, në Berlin, në Barcelonë, të merrnin jetë me kamion, ndër fishekzjarre, në mesin e tezgave të Krishtlindjes e të njerëzve, që shëtisnin të qetë. Vranë ata që festonin, por të nesërmen, me zemrën e shenjuar me shirit të zi, njerëzimi ishte sërish gati të gjente çfarëdolloj shkaku për festë dhe e mbante sërish kokën lart, pavarësisht nga njëmijë arsyet për t’ia përkulur dhunës.

E pastaj?... E pastaj provuan në koncerte, në Paris e Mançester: rok e këngë të lehta. Terroristët goditën në zemër të jetës, aty ku këndohet, kërcehet, ku njerëzit përqafohen e puthen, ku djersiten, ku ka kaq shumë gëzim për të jetuar, për të qenë të pranishëm, kaq shumë adrenalinë, energji dhe hare, sa vetëm ata, që e urrejnë jetën, mund t’u shkojë ndërmend t’i kthejnë vende të tilla në varre. Përpjekjet për ta vrarë këtë shpirt “perëndimor” kanë qenë të shumta, e megjithëse çdo herë, njerëzimit i është dashur të mbyllë tabute, e ka mbajtur gjithnjë kokën lart. Terroristët nuk ia kanë arritur qëllimit.

E nuk do t’ia arrijnë as nesër, as kurrë. Sepse njerëzimi do të vazhdojë të jetojë, të udhëtojë, të shkojë në punë, me pushime, në muze e në koncerte. Do të vazhdojë të jetojë e do ta gjejë mënyrën për këtë, pavarësisht nga përpjekjet për t’i shtënë frikën deri në atë pikë, sa të mbyllet në shtëpi, të mbulojë kokën e të rrisë mjekrrën.

E do ta bëjmë këtë, të gjithë ne “normalët”, të çdo lloj feje, sepse nuk duam ta shesim lirinë, që na ka kushtuar shumë më tepër vdekje nga ato, për të cilat terroristët na detyrojnë sot të derdhim lot. Do ta bëjmë duke ndarë me ta atë të drejtë për liri, që sanksionohet në çdo Kushtetutë demokratike, duke u dhënë mundësinë për ta bërë të tyren nëse duan, por natyrisht, duke respektuar kulturën, fenë dhe traditat e tyre. Nuk do të përpiqemi t’u imponojmë lirinë tonë, por asnjë terrorist nuk duhet të shpresojë se do të na bindë të heqim dorë nga e jona, përmes strategjisë së frikës.

Sepse, ndoshta, është e vërtetë: sot kemi më frikë se në atë 11 shtatorin e vitit 2001, por jemi akoma edhe më të sigurtë se duhet të rezistojmë me kokën lart. Sepse e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të jetë plot me muzikë, koncerte, udhëtime, muze, pushime, metro e tregje Krishtlindjesh. E duke marrë hua frazën e adoleshentëve, kur nuk duan t’i lënë të rriten të lirë, themi me kokën lart: “Nuk do të jemi kurrë siç na doni ju”.

11/09/2017 12:29