2017-09-10 19:30:00

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: miliona njerëz shiten si skllevër, duke lypur pakëz dashuri njerëzore


Dy figura, në qendër të lutjes së Engjëllit të Tënzot, që Papa nuk e kremtoi sot në Sheshin e Shën Pjetrit, të rrahur nga shtrëngata e megjithatë përsëri plot me shtegtarë, me sytë ngulur mbi ekranet e mëdha, prej kah Françesku u fliste nga një Shesh i Kolombisë së largët, e të afërt: Figurja e Zojës së Chiquinquirá dhe figura e Shën Pedro Klaverit.

Kujtoi, në fillim, figuren e Zojës, Papa. Atë figure që për një kohë të gjatë    u braktis, iu zbehën ngjyrat, u plasarit e u mbulua me vrima. U trajtua si ndonjë copë thes i vjetër e u përdor pa kurrfarë respekti, derisa u flak në një skutë të harruar, për t’u përtirë, më pas, mrekullisht.

Asokohe - vijoi të kujtojë - një grua e thjeshtë, e devoçmja e parë e Zojës së Chiquinquirá, që sipas traditës quhej Maria Ramos, pa në këtë pëlhurë diçka të jashtëzakonshme. Pati guxim e fe ta ruante figuren e rrënuar e të zhubravitur, duke ia rikthyer dinjitetin e humbur. Diti të gjejë e të nderojë Marinë me të Birin në krahë, pikërisht në këtë pëlhurë që, për sytë e të tjerëve, ishte e përçmuar e pa pikë vlere.

Në këtë mënyrë - shpjegoi Françesku në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - u bë paradigmë e gjithë njerëzve, që në mënyra të ndryshme përpiqen t’ia rikthejnë dinjitetin vëllait të rrëzuar nga dhimbja e plagëve të jetës, njerëzve, që nuk dorëzohen e punojnë për t’u ndërtuar të rrëzuarve një banesë dinjitoze, për t’i asistuar në nevojat e domosdoshme e, sidomos, luten me ngulm t’u rikthehet shkëlqimi i bijve të Zotit, që iu rrëmbye.

Zoti na mëson, përmes shembullit të të përvuajturve - kujtoi Papa -  e të atyre, që nuk vlejnë fare para syve të botës. Nëse Marisë Ramos, një gruaje të thjeshtë, Zoti i dha hirin ta strehonte figuren e Virgjërës Mari, në varfërinë e kësaj pëlhure të zhubrosur, Izabelës, gruas indiane, e djalit  të saj, Miguel, u krijoi të parëve mundësinë ta shikojnë të shndërruar e të përtërirë pikturën e Zojës. Ata ishin të parët që e panë me sytë e njerëzve të thjeshtë këtë copë pëlhure krejtësisht të re, e në të, shkëlqimin e dritës hyjnore, që i shndërron e i bën të reja të gjitha sendet. Janë të varfërit e të përvuajturit, ata që e kundrojnë praninë e Zotit, ata, të cilëve u zbulohet pastërtisht misteri i dashurisë së Tij. Ata, të varfër e të thjeshtë, qenë të parët që e panë Zojën e Chiquinquiras e u bënë misionarë të saj, kumtues të bukurisë e të shenjtërisë së Marisë.

E në këtë Kishë - vijoi të kujtojë Papa në Engjëllin e Tënzot - i lutemi Marisë, që e quajti veten “Shërbëtorja e Hyjit” e Shën Pedron Claver, “skllav i zezakëve përgjithmonë”, si e quajti veten ditën e kushteve të përhershme. Ai i priste anijet që vinin nga Afrika në tregun e parë të skllevërve të botës së re. Shpesh i priste vetëm me gjeste ungjillëzuese, për shkak të pamundësisë për të komunikuar me këta njerëz, që flisnin gjuhë të tjera. Gjithsesi - sqaroi Papa - Shën Pedro Klaveri e dinte se gjuha e dashurisë së krishterë dhe e mëshirës kuptohen nga të gjithë. Sepse dashuria e krishterë të ndihmon ta kuptosh të vërtetën dhe e vërteta kërkon gjeste bamirësie. Pikërisht kur i vinte neveri prej tyre, ua puthte plagët. I përkorë e bamirës deri në heroizëm, pasi ngushëlloi qindra vetmitarë, çfarë ndodhi? Vdiq i braktisur, e harruan, i kaloi katër vjetët e fundit të jetës në qelinë e tij, i sëmurë, i braktisur frikshëm.

Papa e paraqiti si shembull të ndritur, njeri i cili e dëshmoi shkëlqyeshëm  përgjegjësinë dhe vëmendjen që duhet të ketë secili nga ne ndaj vëllezërve. I akuzuar padrejtësisht për zellin e jashtëzakonshëm, iu desh të përballojë kritika të ashpra e  deri këcënime, sepse shërbesa e tij dëmtonte tregtinë e skllevërve, burim i pashterrshëm pasurie për skllavopronarët e kohës.

E, për fat të keq - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - skllavëria në Kolombi e në botë vijon. Miliona njerëz shiten si skllevër, ose zvarriten rrugëve, duke lypur pakëz dashuri njerëzore, një çast dhembshurie, marrin rrugët e detit a nisen në këmbë, pasi kanë humbur gjithçka, duke nisur nga dinjiteti e nga të drejtat e  tyre,

Zoja e Chiquinquiras e Pedro Claver na ftojnë të punojmë  për dinjitetin e të gjithë vëllezërve tanë - kujtoi Papa - posaçërisht për të varfërit, emigrantët, për gjitha viktimat e  dhunës e të trafikut.  Të gjithë kanë dinjitetin e  tyre e janë  shëmbëlltyrë e gjallë e Zotit e të gjithë Zoja e Bekuar i mban në krahë, si bij të dashur.

Në përfundim, ftesa e Papës për t’i drejtuar lutjen tonë Virgjërës Nënë, që “të na ndihmojë të zbulojmë në çdo burrë e në çdo grua të kohës sonë, fytyrën e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.