2017-09-10 12:44:00

Papa Françesku në Kolombi, takohet me klerin: djalli hyn nga portafoli


“Thirrjet për një përkushtim të veçantë vdesin kur duan të ushqehen me ndere, kur nxiten nga kërkimi i një qetësie personale e nga ngjitja në shkallët e niveleve shoqërore, kur motivi është ‘të ngrihem në kategori’, kur shikon vetëm interesat materiale, për të arritur deri tek gabimi i etjes për fitime”. Kështu tha Papa Françesku në takimin me klerin kolombian e familjet, kur në Evropë ishte tashmë natë – veprimtaria e tij fundit në Medellin, në Qendrën “La Macarena”. Pasi dëgjoi dëshmitë e një meshtari, të një murgeshe të klauzurës e të një familjeve, Ati i Shenjtë u kujtoi të pranishmëve fjalë të thëna edhe më parë mbi përkushtimin e klerit:

“Siç kam thënë edhe herë të tjera – u nënvizoi meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve e seminaristëve – djalli hyn nga portafoli. Kjo nuk ndodh vetëm në fillim, të gjithë duhet të kemi kujdes, sepse korrupsioni i burrave dhe i grave të Kishës nis kështu, pak nga pak, e pastaj – siç e thotë edhe Jezusi – lëshon rrënjë në zemra e përfundon për ta larguar Zotin nga jeta”.

Nuk mund t’i shërbeni edhe Zotit, edhe pasurisë, citoi Papa Françesku Ungjillin sipas Mateut. “Nuk mund të përfitojmë nga kushtet tona fetare e nga mirësia e njerëzve tanë për t’u shërbyer e për të përfituar të mira materiale”. Ka situata, denoncoi më tej Ati i Shenjtë, sjellje e vendime, që janë shenja të thatësirës shpirtërore e të vdekjes, të cilat nuk mund e nuk duhet ta ngadalësojnë fluksin e limfës, që ushqen e jep jetë. Ati i Shenjtë iu referua atyre meshtarëve, që e kanë njollosur shpirtin me lloj-lloj shpërdorimesh:

         “Helmi i gënjeshtrës, – ngriti zërin Papa – i gjërave të fshehura, i manipulimit dhe i abuzimit të popullit të Zotit, të më të brishtëve e sidomos, shpërdorimi i të moshuarve dhe i fëmijëve nuk mund të ketë vend në bashkësitë tona; janë degë, që kanë vendosur të thahen e që Zoti na urdhëron t’i presim”.

         Papa Françesku i ftoi meshtarët dhe rregulltarët të veprojnë “me vështrimin e me ndjenjat e Jezu Krishtit”, i cili nuk sillet si gjykatës, por si samaritan i mirë, duke ia njohur vlerat popullit të vet, por edhe plagët e mëkatet. Meshtari e rregulltari duhet të jetë si Krishti, që di ta zbulojë vuajtjen e heshtur e mallëngjehet para nevojave të njerëzve, sidomos kur ata pësojnë padrejtësi, jetojnë në varfëri çnjerëzore, në indiferencë, ose vuajnë nga pasojat e korrupsionit e të dhunës.

         “Jemi burra e gra të pajtuara, për të pajtuar – vijoi Papa. – Fakti, që jemi thirrur prej Zotit, nuk na jep ndonjë çertifikatë sjelljeje të mirë e përsosmërie; nuk jemi të veshur me ndonjë aureolë shenjtërie. Jemi të gjithë mëkatarë e kemi nevojë për faljen e mëshirën e Zotit, që të ngrihemi në këmbë përditë; Ai na e shkul nga shpirti gjithçka që s’shkon e që e kemi bërë keq, e hedh jashtë nga vreshti dhe e djeg. Na purifikon, që të prodhojmë fryte të reja. Kjo është besnikëria e mëshirshme e Zotit për popullin e vet, pjesë e të cilit jemi edhe ne. Ai nuk do të na braktisë kurrë në anë të rrugës. Zoti bën gjithçka për të mos e lënë mëkatin të fitojë e t’ia mbyllë portat e jetës sonë së ardhmes plot shpresë e gëzim”.

         Sipas Atit të Shenjtë, “thirrja e Zotit nuk është peshë e rëndë, që na e shuan gëzimin. Hyji nuk na do të zhytur në trishtim e lodhje nga veprimtaritë e përjetuara keq, pa përshpirtërinë që e bën të lumtur jetën e madje, edhe mundimet”. “Gëzimi ynë ngjitës – përfundoi Papa Françesku takimin me klerin e rregulltarët kolombianë në Medellin – duhet të jetë dëshmia e parë e afërsisë dhe e dashurisë së Zotit. Jemi mbarështues të vërtetë të hirit të Tënzot, vetëm kur e bëjmë të dukshëm gëzimin e takimit me Të”.








All the contents on this site are copyrighted ©.