2017-09-09 14:48:00

Papa në Medellin: Kisha nuk është doganë, portat e saja janë të hapura për të gjithë


Sot, në ditën e përkujtimit liturgjik të Shën Pjetrit Klaver, meshtar jezuit, apostull ndërmjet skllevërve zezakë e në praninë e figures së “Virhen della Candelaria”, Papa kremtoi Meshën Shenjte në aeroportin Enrique Olaya Herrera të Medellin, në gjuhën latine e spanjolle. Mesha, që duhet të fillonte në orën 10.00 me orën vendase, 17.00 me atë evropiane, për të përfunduar në orën 12.00 vendase - 19.00 evropiane, nisi me një gjysëm ore vonesë, për shkak të kohës së keqe, që e detyroi Atin e Shenjtë të hiqte dorë nga përdorimi i helikopterit. I pritur nga imzot Ricardo Tobo’n Restrepo, nga Guvernatori, Kryetari i Bashkisë së qytetit dhe autoritete të tjera, Françesku bëri një xhiro me papamobil, për të takuar besimtarët që e prisnin prej orësh nën shi, duke u kërkuar falje për vonesën. “Ju falënderoj për durimin, këmbënguljen e guximin” - u tha. Meshën e ndoqën rreth një milion vetë, vetë, mbledhur që heret në Aeroportin Enrique Olaya Herrera të Medellin, pa pyetur fare për shiun.

U mbështet mbi tri fjalë Papa gjatë homelisë, frymëzuar nga fragmenti ungjillor i Meshës, kushtuar thirrjes së të Dymbëdhjetëve. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “Ç’do të thotë të jesh ndjekës i Krishtit?”. Të jesh ndjekës i Krishtit - shpjegoi Papa -  do të thotë t’i bindesh Zotit, të  ecësh pas Tij. Ecje, kjo, që të çon tek të gërbulurit, të gjymtuarit, mëkatarët. Kështu Jezusi e përmbush ligjin e na mëson se të ecësh pas Tij, do të thotë të shkosh tek thelbi, të përtërihesh e  të përfshihesh.

Këto, tri fjalët që shpjegoi Papa gjatë homelisë, mbajtur në Meshën e kremtuar në Medellin.

Fjala e parë, pra - kujtoi - është të shkosh në thelb. Po kjo nuk do të thotë të shkëputemi nga gjithçka, që nuk na përshtatet, sepse as vetë Jezusi nuk erdhi për ta shfuqizuar Ligjin, por për ta përplotësuar” (krh Mt 5, 17). Kjo do të thotë të hysh në thellësi të gjërave, që vlejnë për jetën. Jezusi na mëson se lidhja me Zotin, nuk mund të jetë  lidhje me normat e ligjit, e aq më pak me veprimet e jashtme, që nuk çojnë në ndryshimin e thellë të udhës së jetës. Për të qenë dishepull, ndjekës i vërtetë i Zotit – shpjegoi Françesku - nuk mjafton çertifikata e Pagëzimit. Dishepulli nuk ngujohet në një vend, por është gjithnjë në lëvizje drejt Krishtit; nuk mjaftohet me shpjegimin e doktrinës, por kërkon praninë miqësore, të gjallë, vepruese të Zotit, përmes dëgjimit të Fjalës së Tij. E kjo Fjalë – kujtoi Papa - e çon  drejt takimit me vëllezërit dhe përpjekjes për t’i plotësuar nevojat e tyre.

Fjala e dytë është të përtërihesh. Ashtu si Jezusi i “shkundte” doktorët e ligjit, që të hiqnin dorë nga ngurtësia e tyre – shpjegoi Françesku- tani Kishën e “shkund” Shpirti Shenjt, që t’i lërë rehatitë e kënaqësitë e veta. Risimi nuk duhet të na trembë. Kisha është gjithnjë në përtëritje - Ecclesia semper reformanda - Nuk reformohet sipas tekave të saja, por e bën këtë e bazuar dhe e patundur në fe, e paepur në shpresën e Ungjillit, të cilin e ka dëgjuar (cfr Kol 1,23). Risimi kërkon flijim e guxim, jo për ta ndjerë veten më të mirë e më të pagabueshëm, por për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit. Zoti i së shtunës - nënvizoi Ati i Shenjtë - na  fton t’i peshojmë mirë normat, kur vihet në lojë vetë ndjekja e Tij; kur plagët e Tij të hapura, britma e Tij, që na kujton se ka uri e etje për drejtësi, na drejtojnë pyetje të reja e na kërkojnë edhe përgjigje të reja. E në Kolombi ka shumë situata, që u kërkojnë dishepujve stilin e jetës së Jezusit, posaçërisht dashurinë e shprehur me veprime që i kundërvihen dhunës e krijojnë rreth vetes pajtim e paqe.

Fjala e tretë, të përfshihesh. Të marrësh pjesë - kujtoi Papa - edhe pse ndokush mund të mendojë se kjo do të thotë të ndotësh duart, të njollosesh. Por nuk mund të jemi të krishterë, nëse ngremë vazhdimisht kartelën: “Ndalohet kalimi”-  e nëse e konsiderojmë si pronë tonën, diçka që nuk është absolutisht jona. Kisha nuk është jona, është e Zotit, Ai është zotëria i tempullit e i të korrave: në të ka vend për të gjithë, të gjithë janë të ftuar  të gjejnë këtu e në mes nesh ushqim. Ne jemi shërbëtorë të thjeshtë e nuk mund ta ndalojmë këtë takim. Përkundrazi, Jezusi na kërkon, çka i pati kërkuar dishepujve të Tij: “Jepuni ju vetë të hanë!”.  E ky është shërbimi ynë. E kuptoi shumë mirë Pjetri Claver, të cilin sot e kremtojmë në liturgji e nesër do ta nderoj në Cartagena: “Skllav i zezakëve përgjithmonë” – kjo ishte motoja e jetës së tij , sepse  si dishepull i Jezusit, e kuptoi  se nuk mund të rrinte duarkryq përballë vuajtjeve të njerëzve më të braktisur të kohës së tij, e se duhet të bënte diçka për t’ua lehtësuar këtë vuajtje.

Kisha në Kolombi është e thirrur të impenjohet më guximshëm në formimin e dishepujve misionarë - theksoi me forcë Papa - siç porositëm ne, ipeshkvijtë, mbledhur në Aparesidë në vitin 2007 - dishepuj, që dinë të gjykojnë e të veprojnë, siç propozonte dokumenti i parë latinoamerikan, i lindur në këto toka. Dishepujt misionarë, që dinë të shikojnë pa dritëshkurtësi të trashëguar, që e shqyrtojnë realitetin me sytë e zemrën e Jezusit e me të edhe gjykojnë, rrezikojnë, veprojnë, angazhohen. Erdha deri këtu pikërisht për t’ju përforcuar në fenë e në shpresën e Ungjillit - u kujtoi Papa besimtarëve, për t’i porositur, në vijim: “Rrini  të fortë e të lirë në Krishtin, që ta pasqyroni në gjithçka, rrokeni me të gjitha forcat tuaja Kryqin e Krishtit, njiheni Zotin, lëreni t’ju thërrasë e t’ju mësojë, kumtojeni me gëzim të madh”.

Të kërkojmë, me ndërmjetësimin e Marisë, Zojës së Qirave – përfundoi Françseku – “të na shoqërojë në udhën tonë si dishepuj  në mënyrë që, duke e mbështetur gjithë jetën në Krishtin, të jemi thjesht misionarë, që u çojnë të gjithëve dritën dhe gëzimin e Ungjillit!”.

Në përfundim të Meshës, Papa do të shkojë në Seminarin Konciliar të Zemrës së Krishtit, ku do të drekojë privatisht. Pas drekës do të ndalohet një copë herë në Kapelë, ku do të bëjë një foto me seminaristët dhe do të lërë një dhuratë. E, menjëherë pas, do të niset për në Hogar de San José, një shtëpi familje, ku do të pritet nga rreth njëqind fëmijë, do të dëgjojë përshëndetjen, dëshminë dhe këngët e tyre. Deri në orën 15.45 me orën vendase, 22,45 me evropianen. Do të jetë natë e thellë në Evropë, ku ne presim të agojë dita e fundit e shtegtimit  të Papës në Kolombi, edhe kjo e ngarkuar me një mori veprimtarish, që ju ftojmë t’i ndjekim së bashku nesër, e dielë, kur do të jemi pranë Papës, në etapën e fundme të shtegtimit, në Cartagena të Kolombisë! 








All the contents on this site are copyrighted ©.