Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa Françesku në takimin e pajtimit: Kolombi, hape zemrën e mos kij frikë nga e vërteta

This picture released by Vatican newspaper L'Osservatore Romano shows Pope Francis plants a tree during a prayer meeting for reconciliation at Las Malocas Park in Villavicencio, Colombia, Friday, Sept. 8, 2017 - ANSA

09/09/2017 08:00

“Kolombi, hape zemrën…dhe pajtohu. Mos kij frikë as nga e vërteta, as nga drejtësia. Të dashur kolombianë: mos kini frikë ta kërkoni e ta jepni faljen. Mos i rezistoni pajtimit, që ju afron, ju bën vëllezër e ju mundëson të kapërceni armiqësitë. Është koha për t’i shëruar plagët, për të hedhur ura, për t’i limuar ndryshimet. Është koha për t’i shuar urrejtjet, për të hequr dorë nga hakmarrjet e për të krijuar një bashkëjetesë, bazuar mbi drejtësinë, të vërtetën dhe mbi një kulturë takimi vëllazëror. Banofshim në harmoni e vëllazërim, siç dëshiron Zoti! T’i lypim të na bëjë ndërtues të paqes e aty ku ka urrejtje e mëri, të çojmë dashuri e mëshirë”. Kjo, thirrja e Papës Françesku për popullin kolombian, nga parku “Las Malocas” në Villavicencio, dje pasdite me orën vendase, ndërsa afrohej mesnata në Evropë.

 E çfarë më mirë se lutja, që i atribuohet Shën Françeskut të Asizit, mund t’i shërbente Atit të Shenjtë për të folur mbi paqen, mbi fundin e vështirë të konfliktit gjysëm shekullor kolombian, në atë strukturë të mbyllur, që zinte 6 mijë vetë, siç ishte ajo, ku dje, ishin mbledhur viktima të dhunës, ushtarakë e agjentë të policisë, ish-guerrilas. Njëri pas tjetrit, duke ndezur e vendosur një qiri në këmbët e Kryqit, dhanë dëshminë e jetës së tyre katër vetë, të gjithë me histori të dhimbshme nga vitet e konfliktit. Papa i përmendi një e nga një në fjalën e tij.

“Ju – u tha – mbani në zemrën e në trupin tuaj, gjurmët e historisë së gjallë e të afërt të popullit, shenjuar nga ngjarje tragjike, por edhe plot gjeste heroike, humanitet të madh e vlera të larta shpirtërore feje e shprese”. “Sa mirë na bën t’i dëgjojmë këto histori! – iu drejtua Ati i Shenjtë të pranishmëve. – Jam i mallëngjyer. Janë histori vuajtjesh e hidhërimesh, por edhe, e sidomos, histori dashurie e faljeje, që na flasin për jetë e për shpresë, na kërkojnë të mos e lëmë urrejtjen, hakmarrjen dhe dhimbjen të bëhen zotër të zemrave tona”.

Në altar, Kryqi i Bojayà-së, para të cilit, më 2 maj 2002, u masakruan dhjetra njerëz të strehuar në kishën ku ndodhej. “Duke e parë – theksoi Papa Françesku – kundrojmë jo vetëm ç’ndodhi atë ditë, por edhe sa e sa dhimbje, sa e sa vdekje, sa e sa jetë të përgjysmuara e sa e sa gjak të derdhur në Kolombi, në dhjetëvjeçarët e fundit. Kur e shohim Krishtin, kështu, të gjymtuar e të plagosur, Ai na flet. Nuk ka krahë e trupi i tij nuk është më, por ruan fytyrën e me të na sheh e na do”.

Urrejtja nuk e ka fjalën e fundit, pavarësisht se konflikti shkaktoi më se 250 mijë të vdekur e më se 7 milion refugjatë. E këtë e treguan më së miri dëshmitë, që Papa i përmendi me emër. Pastora Mira, quhej gruaja, që humbi gjithçka, edhe burrin e fëmijët, gjatë konfliktit, i cili për të, ishte kthyer në ferr. E megjithatë, gjeti forcën ta vinte gjithë dhimbjen e saj në këmbët e Krishtit. Dje, ajo vendosi të linte pranë Kryqit të Bojayà-së, i cili i dha forcën për të falur, këmishën që e bija i pati dhuruar djalit Jorge Anìbal, të dy të vrarë nga guerrilasit. “Me ndihmën e Krishtit të gjallë në mesin e bashkësisë – tha Papa – është e mundur të fitojmë mbi urrejtjen, ta mundim vdekjen, të fillojmë nga e para e t’i japim jetë një Kolombie të re”.

Tjetër emër, tjetër vuajtje. Luz Dary, në dëshminë e saj, tha diçka shumë të rëndësishme: plagët e zemrës shërohen më me vështirësi se ato të trupit. I patën thyer gjymtyrët e ajo solli në altar patericën, “simbol – i tha Papa – të patericës tjetër më të rëndësishme, për të cilën kemi nevojë të gjithë: dashurinë dhe faljen”. Sepse në të vërtetë, Luz Dary e kuptoi se nuk mund të jetonte me hakmarrjen në zemër. Sot, ndihmon edhe viktimat e tjera të konfliktit për ta shëruar shpirtin nga mllefi e për të fituar dinjitetin e dhunuar.

Dy dëshmi të ish-guerrilasve, një grua e një burrë, marrë në radhët e rebelëve që prej së vogli: Deisy dhe Juan Carlos. Edhe ata viktima të gjendjes së atëhershme. “Ka shpresë – nënvizoi Papa Françesku – edhe për ata, që kanë bërë keq; jo gjithçka është e humbur. Por sigurisht, në këtë rilindje morale e shpirtërore të keqbërësve, drejtësia duhet të bëjë punën e vet… Është e vështirë të pranohet se kanë ndryshuar ata, që e kanë përdorur dhunën mizore për qëllimet e tyre, për mbrojtjen e trafikëve të paligjshëm dhe për t’u pasuruar, ose për të besuar, duke gënjyer veten, se po mbrojnë jetën e vëllezërve”.

E duke bërë një paralelizëm ndërmjet grurit e egjrës, që rriten bashkë në të njëjtën fushë, dhe situatës kolombiane, ku e mira dhe e keqja nuk kanë një kufi të mirëpërcaktuar, Papa Françesku theksoi: “Edhe kur vijojnë konfliktet, dhuna, ose ndjenjat e hakmarrjes, të mos e pengojmë drejtësinë dhe mëshirën që të takohen, me një përqafim, ku përmblidhet historia e dhimbjes së Kolombisë. Ta shërojmë atë dhimbje e të pranojmë çdo njeri që ka kryer krime, kur i pranon ato, pendohet dhe impenjohet ta shpërblejë dëmin, duke kontribuar në ndërtimin e një rendi të ri, në të cilin të shndrisin drejtësia dhe paqja”.

Për t’ia arritur kësaj, ngriti zërin Ati i Shenjtë Bergoglio, është e dosmosdoshme të pranohet e vërteta. Është sfidë e madhe, por e nevojshme. E vërteta është shoqe e pandarë me drejtësinë dhe mëshirën. “E vërteta – kërkoi Papa – nuk duhet të çojë drejt hakmarrjes, por drejt pajtimit dhe faljes. E vërteta, do të thotë t’u tregosh familjeve të shkatërruara nga dhimbja ç’u ka ndodhur të afërmve të tyre të zhdukur. E vërteta, do të thotë të rrëfesh ç’u ndodhi të miturve të rekrutuar nga veprimtarët e dhunës. E vërteta, do të thotë të pranosh dhimbjen e grave, viktima të dhunës e të abuzimeve”.

E gjithë këtë dhimbje, Papa Françesku e vuri në këmbët e Kryqit të Bojayà-së, me lutjen:

O Krisht i zeshkët i Bojayà-së,

që na kujton mundimet e vdekjen tënde

së bashku me krahët e këmbët

të kanë grabitur edhe bijtë e tu

që kërkojnë strehë në Ty.

 

O Krisht i zeshkët i Bojayà-së,

që na sheh me dhembshuri

e me fytyrë të paqtë;

dridhet edhe zemra jote

për të na pranuar me dashuri

 

O Krisht i zeshkët i Bojayà-së,

bëj të impenjohemi

për ta restauruar trupin tënd. Që të jemi

këmbët e tua, për të shkuar drejt

vëllait në nevojë;

krahët e tu, për të përqafuar

kë e ka humbur dinjitetin;

duart e tua, për të bekuar e ngushëlluar

kë derdh lot në vetmi.

Bëj të jemi dëshmitarë

të dashurisë tënde e të mëshirës tënde pa fund.

09/09/2017 08:00