2017-09-08 13:10:00

Papa në Meshë: të davaritet errësira e urrejtjes, e padrejtësive, e sulmeve kundër jetës.


Tokë “me pjellori të papërfytyrueshme”. Kështu e quajti Papa tokën kolombiane gjatë Meshës Shenjte, kremtuar në parkun Simon Bolivar të Bogotasë, e para e këtij shtegtimi apostolik, kushtuar paqes e jetës, tema kryesore të etapës së shtegtimit të Françeskut në kryeqytet. E nuk ishte e rastit që, pak para se të arrinte Françesku, në parkun e mbushur përplot që në mëngjes nga më se një milion njerëz, pavarësisht nga shiu  me rrëshekë, u kremtua një takim në mbrojtje të jetës. Gjatë rrugës për në park, Papa u ndal për të bekuar një grup handikapatësh, që morën pjesë në këtë ngjarje të madhe. Françesku i përqafoi e vijoi të ecë i shoqëruar prej tyre, drejt tribunës së bardhë vigane, ku do të kremtonte Meshën.

Duke e marrë shtytjen nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës, në të cilin Jezusi predikon pranë Detit të Galilesë, simbol i pafundësisë, ku jetojnë mbarë popujt, Françesku vërejti se toka kolombiane mund të japë fryte për të gjithë, por edhe në vendin latinoamerikan, ashtu si gjetiu, errësira e kërcënon dhe e shkatërron jetën. Është errësira e padrejtësisë dhe e pabarazisë shoqërore. Terri korruptues i interesave personale a të grupit, që konsumon në mënyrë egoiste e të shfrenuar, atë që duhet të ishte në shërbim të mirëqenies të të gjithëve. Errësira e mungesës së respektit për jetën njerëzore, që grin e korr ditë për ditë një mori njerëzish të pafajshëm, gjaku i të cilëve ngre zërin deri në qiell. Është errësira e etjes për hakmarrje dhe e urrejtjes, që njollos me gjak njeriu duart e atyre, të cilët duan ta bëjnë vetë drejtësinë! Janë retë e zeza të njerëzve, që nuk preken fare përballë dhimbjes së viktimave të panumërta!

Në përshëndetjen drejtuar Papës, edhe kardinali Rubén Salazar Gómez, kryeipeshkëv i Bogotasë e kryetar i Konferencës ipeshkvnore latino-amerikane, e kujtoi këtë errësirë, si sulm i vdekjes mbi jetën. E Papa i siguroi besimtarët se vetëm Jezusi është i aftë për ta davaritur. Ashtu si Kombi kolombian - kujtoi - edhe Kisha vendase e ka përvojën e angazhimeve baritore të kota e të pafrytshme, por ia beson veten Krishtit, Fjala e të cilit jep fryt edhe atje, ku errësira i bën të pafrytshme të gjitha përpjekjet dhe përpëlitjet njerëzore.

Urdhëri për t’i hedhur përsëri rrjetat, që na e kujton Ungjilli, nuk i drejtohet vetëm Simon Pjetrit. Atij - shpjegoi Papa - i takoi të dalë në det të hapur, ashtu si atyre që, në Kolumbi, i morën të parët nismat për paqen e për jetën. Të hedhësh rrjetat - vijoi - do të thotë të pranosh përgjegjësinë. Në Bogotá e në Kolombi - vërejti - është për udhë një bashkësi e pafundme, e thirrur për t’u bërë rrjetë e fortë, që i përmbledh e i nxit të gjithë të punojnë të bashkuar për mbrojtjen e jetës njerëzore, posaçërisht kur është e brishtë dhe e pambrojtur, duke krijuar bashkësi të gjalla, të drejta, vëllazërore, nëse e dëgjojnë dhe e pranojnë Fjalën e Zotit. E kështu do të ungjillëzohen e do ta ndjekin Jezusin, duke e dashur jetën në të gjitha fazat e saj, duke e respektuar e duke e promovuar.

Përballë një turme të pafundme, ndërmjet së cilës edhe viktimat e luftës dhe grupe venezuelanësh, me flamuj e figure të Pajtores së tyre, Zojës së Koromotos, Papa, që pak pas Meshës qe takuar me një grup ipeshkvijsh venezuelanë, i ftoi të gjithë ta shikojnë njeri-tjetrin si vëllezër, shokë udhe, bashkëpunëtorë në shërbim të Atdheut të përbashkët. Bogotà e Kolombia janë vende ku “Jezusi kaloi e kalon, për të ofruar praninë e Tij  e Fjalën e Tij të frytshme”. E Ai na fton të mendojmë për familjet “shenjtërore e jetës”, për t’u bërë vend në shfrytëzimin e pasurisë së përbashkët, përtej interesave meskine e të veçanta, e për t'i ndihmuar më të ligshtit, duke i mbrojtur të drejtat e tyre – theksoi Papa.

“E aq më tepër në një konktekst historik dhune e përçarjeje Jezusi na nxit të rrezikojmë së bashku - vijoi - ta lëmë mënjanë egoizmin tonë e ta ndjekim, duke e mposhtur frikën, që nuk vjen nga Zoti, që paralizon e vonon punën e ngutshme të ndërtuesve të paqes e të mbrojtësve të jetës”. Vetëm kështu mund të dilet në det të hapur: e ky është edhe urimi për këtë popull.

Në natën e Bogotasë, të ndriçuar nga fishekzjarret, udhët e kryeqytetit ishin përsëri plot, për ta ndjekur Françeskun nga tribuna e Meshës, në nunciaturën apostolike, ku e priste një grup fëmijësh e adoleshentësh me kufizime mendore, brishtësi që, siç u shpreh Françesku, është “thelb i njeriut”.     








All the contents on this site are copyrighted ©.