2017-09-08 14:48:00

Papa Françesku ipeshkvijve të Kolombisë: kumtojeni lirisht Fjalën e pajtimit


“Kolombia ka nevojë për shikimin tuaj, shikim ipeshkvijsh, për ta mbështetur në guximin e hapit të parë drejt paqes përfundimtare, drejt pajtimit, mohimit të dhunës si metodë për kapërcimin e pabarazive, që janë në rrënjë të vuajtjeve, drejt heqjes dorë nga udha e lehtë, por pa dalje, e korrupsionit”. Ky, një nga fragmentet kryesore të fjalimit që Papa Françesku u drejtoi ipeshkvijve të vendit latinomaerikan, gjatë takimit me ta, në Bogota.

Duke kujtuar vizitat e Palit VI dhe të Gjon Palit II, Françesku u përqendrua në kuptimin e motos së shtegtimit: “Të bëhet hapi i parë”. Në të vërtetë - kujtoi - është Hyji, Zoti i hapit të parë e Jezusi, i hapit të paprapsueshëm të flijimit mbi Kryq. E është Ai, që u jep atyre, të cilët e pranojnë, lirinë për ta bërë gjithnjë hapin e parë, pa e humbur rrugën. Mos e humbisni kurrë këtë liri - i nxiti ipeshkvijtë Françesku. - Ndërtoni një Kishë, që i ofron këtij vendi dëshmi shprehëse të udhës së përparimit.

Ipeshkvijtë duhet të jenë në vijë të parë, “për ta prekur trupin e plagosur të historisë” së vendit të tyre e të njerëzve të tyre. Ju - pohoi - nuk jeni teknikë, as politikanë, jeni Barinj, e si të tillë, duhet ta kumtoni me liri Fjalën e pajtimit e të mëshirës. Nga buzët tuaja, si barinj të ligjshëm të Krishtit, siç jeni, Kolombia ka të drejtën të dëgjojë të vërtetën e Zotit, përgjigjen e një pyetjeje, të cilën Ai e përsërit vazhdimisht: “Ku është yt vëlla?”. Kjo pyetje nuk mund të mbetet pa përgjigje. Për të nuk mund të heshtet, as atëhere kur ai, që e dëgjon, s’ mund të bëjë tjetër, veçse të ulë sytë e, i pështjelluar, të bëlbëzojë turpin e vet. Sepse ndoshta e shiti vëllain për një dozë droge, ose, për shkak të parimit të rremë, sipas të cilit qëllimi i përligj mjetet.

Papa i ftoi ipeshkvijtë të mos ia ndajnë sytë njeriut konkret. Nuk ju sjell receta, as nuk dua t’ju lë një listë detyrash - u tha – “por ju ftoj ta kryeni detyrën tuaj me qetësi”,

Papa u kërkoi ipeshkvijve t’i rijapin identitet popullit të tyre. I mbushi me entuziazëm. I ftoi ta ruajnë identitetin e Kishës së lirë e guximtare e, posaçërisht, t’i japin vendit e popullit të tyre paqen e Krishtit, duke e dëshmuar Ungjillin e Tij, larg logjikave politike, në zemrën e mesazhit të krishterë. Por nuk munguan as theksimet e reja, për t’i dhënë Kishës limfë të re e hov të ri.  E pikërisht duke folur për të rinjtë, Papa i ftoi ipeshkvijtë ta ngrenë zërin për t’u kujtuar të gjithëve se “një shoqëri, që joshet nga mirazhi i trafikut të drogës, krijon në trup të vet metastaza, tregton vetë ferrin e mbjell kudo korrupsionin, duke i ntrashur parajsat fiskale”. Françesku nuk i harroi priftërinjtë, për të cilët kërkoi formin e afërsi, as rregulltarët e rregulltaret, që i quajti “Shuplakë kerigamatike që i jepet mendësisë së botës”.

Mendimin e fundit, para se t’ia besonte Kolombinë Pajtores, Zojës së Rruzares së Chiquinquira, Papa ia kushtoi Kishës në Amazonë, “Kam dëgjuar - kujtoi - se në disa gjuhë amazonike, në vend të fjalës ‘mik’  përdoret shprehja ‘krahu tjetër imi’. Të jeni, prandaj, krahu tjetër i Amazonës. Kolombia nuk mund ta presë njërin krah - përfundoi – pa u gjymtuar në fytyrë e në shpirt”.

Këto, theksimet kryesore të takimit të Papës me ipeshkvijtë, gjatë të cilit, siç pohuan më pas vetë prelatët, Papa qe shumë pranë tyre, shumë atëror, si atë, që i do të bijtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.