2017-09-08 16:13:00

Një tërmet i fuqishëm në Meksikë: 90 të vdekur, rrënime në Oaxaca


Një tërmet i fuqishëm 8,2  ballë të shkallës Rihter ka goditur Meksikën, në kufi me Guatemalën. Të paktën 90 të vdekur, dy prej të cilëve fëmijë, është bilanci i përkohshëm i  jetëve të humbura. Ka akoma njerëz që janë nën rrënoja të një hoteli 6 katesh, pjesërisht i rrënua, në shtetin Oaxaca. Dëme kanë pësuar edhe autostrada e spitalet publike. Presidenti Nieto tha se ‘lëkundja e tokës ka qenë më e fuqishmja e një qind vjetëve të fundit’. Epiqendra ishte rreth 100 km në jugperëndim të qytetit Pijijiapan, në një thellësi prej gati 70 km. Paralajmërime për tsunami u lëshuan menjëherë për Meksikën, Guatemalën, El Salvadorin, Kosta Rikën, Nikaraguan, Panamanë dhe Hondurasin. 

Dallga më e madhe e konfirmuar aktualisht është 1 metër, por ekspertët thonë se në vazhdim ato mund të mbërrijnë deri në 3 metra, ndërsa brigjeve perëndimore amerikane duket se nuk i kanoset ndonjë rrezik. Një numër i madh banesash u rrafshuan në shtetin e Chiapas dhe Oaxacas, dy prej zonave më të varfra të Meksikës, të cilat rezultojnë dhe më të goditurat nga fatkeqësia natyrore, pasi ndodhen shumë pranë epiqendrës. 

Aq i fuqishëm ishte tërmeti, sa ndërtesat janë lëkundur dhunshëm deri në Mexico City që ndodhet 1 000 km larg. Njerëzit kanë vrapuar të tmerruar nëpër rrugë, disa me pizhame në trup, ndërsa lagje të tëra mbetën në errësirë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Lëvizja e tokës zgjati deri në një minutë.  Nëse konfirmohet magnituda e tij prej 8,1, atëherë ky tërmet do të jetë edhe më i fuqishëm se ata që goditën vendin në vitin 1985 dhe 1995. I pari e pati epiqendrën në afërsi të Mexico City dhe shkaktoi mijëra të vdekur. 

Ipeshkvijtë katolikë të Meksikës bëjnë thirrje për të ndihmuar ata persona që vuajnë nga tërmeti. Në Chiapas Mbrojtja civile asiston popullsinë e goditur nga tërmeti e informon përmes Twitter-it. Edhe Kisha katolike është aktivizuar për të ndihmuar njerëzit e goditur nga tërmeti.  Viktimat e tërmetit sipas njoftimeve zyrtare janë 90.  Chiapas, shteti më jugor i Meksikës, është më i godituri nga tërmeti që është regjistruar mbrëmë vonë në brigjet e paqësorit. Portali Alerta Chiapas njofton se dioqeza e San Cristóbal de las Casas ka urdhëruar mbylljen e ndërtesa fetare të Kishës në vend në pritjen që Mbrojtja civile të verifikojë gjendjen e tyre dhe dëmet.








All the contents on this site are copyrighted ©.