2017-09-08 18:02:00

Liturgjia e Fjalës e dielës së 23-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të meshës së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës. Bashkësia e besimtarëve rritet e përforcohet me gjestet konkrete të dashurisë: ndreqjen apo korrigjimin vëllazëror dhe uratën.

Kështu, leximet biblike të kësaj së diele na paraqesin përmasën kishtare në brendësinë e saj, duke pasur parasysh marrëdhëniet e anëtarëve të Kishës.  Në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele të 23-të gjatë vitit kishtar, Jezu Krishti na propozon një gjë të vështirë por të rëndësishme e të çmueshme për familjet tona, e komunitetet: korrigjimin vëllazëror. Këtë duhet ta bëjmë në kuadrin e imtimit dhe ecjes sonë pas Krishtit deri në kryq.

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu 18,15-20 vë në pah tre momente në të cilët duhet të realizohet korrigjimi vëllazëror: biseda vëllazërore me tjetrin, korrigjimi në praninë e dy a tre dëshmitarëve, njoftimi i Komunitetit, i cili është i ftuar t’i marrë vendimet e përshtatshme. Mirëpo, në të tri rastet, Ungjilli i Mateut, na fton të korrigjojmë për të nxitur drejt së mirës, për të ndërtuar, për të krijuar harmoninë, jo për të thënë se cila është e vërteta e për të ndarë a përçarë. E vërteta pa dashuri nuk është ungjillore.  Pastaj mos të harrojmë se gjykimi i Kishës nuk është përfundimtar: kjo punë i takon vetëm Zotit.

Kështu, në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na thotë ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të jetuar në mënyrë të drejtë, të mirë, pastër, të sinqertë, duke i sugjeruar njëri-tjetrit si t’i shmangemi së keqes e të bëjmë vepra me dashamirësi. Për këtë, vërtetë, kemi nevojë. Sipas mësimit ungjillor, komuniteti i besimtarëve të krishterë rritet përmes gjesteve konkrete të dashurisë: korrigjimit a qortimit vëllazëror dhe uratës. Kështu, në këto dy të diela në mënyrë të posaçme, do të dëgjojmë disa këshillime, disa nxitje nga Jezusi, drejtuar dishepujve të tij,  se si duhet të rritet e të jetojë komuniteti i krishterë. Jezusi rekomandon, këtë të diele, dy tiparet kryesore: dashurinë dhe lutjen. Të dielën e ardhshme do të na tregojë një tjetër tipare: faljen.

Në Leximin I nga Ezekieli profet (33,7-9) shohim se prania e profetit në mesin e popullit të Zotit që nuk i ndjek urdhërimet e Hyjit është për ta thirrur popullit t’i kthehet udhës së drejtë të Zotit. Në leximin e parë, Zoti na thotë: ty të kam vënë si rojtar e si zë për vëllezërit tu.

Në Leximin II Pali apostull në Letrën drejtuar Romakëve (13,8-10) thekson se dashuria është urdhri më i madh sepse të gjithë njerëzit mund përfshihen e të përmbyllën në të.  Pali na kujton se: “keni vetëm një detyrim atë të dhurimit të dashurisë reciproke” . 

Në fragmentin e Ungjillit nga Mateu (18,15-20) mësojmë se i krishteri, i përngjan profetit, është i thirrur të jetë për komunitetin porsi Ezekieli: dritë, prijës, qortim, pajtim. "Prapë po ju them, pohon Jezusi: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.” 

                 Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Ez 33, 7-9) 
Nëse ti nuk i flet të patenzonit, unë do të kërkoj gjakun e tij prej dorës sate kur ai të vdesë. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet 
Kështu thotë Zoti: “Ty, o biri i njeriut, unë do të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patënzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. Por, në qoftë se e qorton të patënzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.” Fjala e Zotit.

Psalmi 95 (94)
Ref: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd 

_____________________________
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje, 
t’i këndojmë këngë hareje!
_____________________________
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, 
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë, 
ne jemi populli i kullotës së tij, 
grigja që ai e ruan.
_____________________________
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë, 
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, 
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: 
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
_____________________________

Leximi i dytë (Rom 13, 8-10) 
Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar ligjin. Sepse: ‘Mos bëj kurorëthyerje! Mos vrit! Mos vidh! Mos lakmo!’ e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër, është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i ligjit. Fjala e Zotit 

Ungjilli (Mt 18, 15-20)
Ne qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merre me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.
Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, dhe çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.
Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.” Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.