Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa përshendet të rinjtë kolombianë: ëndërroni punë të mëdha

Papa përshëndet të rinjtë nga ballkoni i Pallatit kardinalor - AFP

07/09/2017 18:00

Pas vizitës në katedralen e  Bogotasë, Papa Françesku doli në ballkonin e Pallatit kardinalor për të përshëndetur 22 mijë të rinjtë e mbledhur në sheshin Bolivar. “Paqja qoftë me ju!” i përshëndeti Ati i Shenjtë me fjalët e Jezu Krishtit. Menjëherë bëri të qartë synimin e udhëtimit të tij: “Desha të vij deri këtu si shtegtar i paqes dhe i shpresës e dëshiroj t’i jetoj këto çaste takimi me gëzim, duke falenderuar Zotin për gjithçka të mirë, ka bërë në këtë komb, në jetën e çdo njeriu”.

         Duke kujtuar çastet e vështira e të errta, që kanë përjetuar në historinë e vendit të tyre, Papa Françesku theksoi se Zoti nuk i ka harruar kolombianët dhe se i inkurajon gjithmonë për të kërkuar e dëshiruar paqen e vërtetë e të qëndrueshme.

Papa të rinjve: mos kini frikë nga e ardhmja

         Para Atit të Shenjtë, të rinj nga vende të ndryshme të Kolombisë, të cilët Papa i nxiti ta mbajnë gjallë gëzimin e zemrës së tyre rinore, gëzimin e takimit me Zotin. “Flaka e dashurisë së Krishtit – u tha – e bën të fuqishëm këtë gëzim dhe të mjaftueshëm për të ndezur botën mbarë. Pra, çfarë mund t’ju pengojë për ta ndryshuar këtë shoqëri e për t’i realizuar synimet tuaja? Mos kini frikë nga e ardhmja! Kini guximin të ëndërroni punë të mëdha!”

Të rinjtë dinë “të njohin” e “të kuptojnë”

         E më pas, Ati i Shenjtë, duke përdorur një sërë fjalësh kyçe, shtjelloi gjendjen e detyrat, që u dalin përpara të rinjve kolombianë. Të rinjtë, tha fillimisht janë në gjendje ta “njohin” e ta shohin vuajtjen e të tjerëve. “Ndjejeni në mish e mobilizohuni nga vuajtja e vëllezërve tuaj kolombianë! – theksoi Papa. E na ndihmoni edhe ne të moshuarve të mos mësohemi me dhimbjen dhe braktisjen”.

         Së dyti, të rinjtë janë të aftë “të kuptojnë” se bota nuk është bardh e zi, por ka një sërë ngjyrash të tjera, prandaj, përveç sinjalizimit të gabimeve, është e nevojshme edhe një aftësi tjetër, më konstruktive. “Të kuptosh – nënvizoi Papa – se pas gabimit – sepse gabimi është gabim e nuk duhet fshehur – ka një pafundësi arsyesh, që e lehtësojnë atë. Sa nevojë ka për ju Kolombia, që të vihet në vendin e atyre, të cilët, breza më parë, nuk mundën, ose nuk ditën e nuk e kuptuan mënyrën e drejtë për t’i parë gjërat!”.

Për të rinjtë është e lehtë “të takohen” e “të falin”

         Të rinjtë e kanë të lehtë “të takohen”, përmendi Papa fjalën tjetër të përshëndetjes së tij. “Ju – u tha të pranishmëve në sheshin Bolivar të Bogotasë – mund të na mësoni se kulturë takimi nuk do të thotë të mendojmë, të jetojmë e të reagojmë të gjithë njësoj; do të thotë ta dish se pavarësisht nga ndryshimet, jemi të gjithë pjesë e diçkaje më të madhe, që na bashkon e që s’varet prej nesh, jemi pjesë e këtij vendi të mrekullueshëm”.

         Papa i ftoi të rinjtë “të falin”, vërtet diçka shumë e vështirë, por kush më mirë se rinia di ta bëjë këtë? “Ju – theksoi Papa – na ndihmoni në këtë ndjet për të lënë pas shpine gjithçka na ka fyer, duke parë drejt së ardhmes pa u penguar nga urrejtja, sepse na bëni ta shikojmë realitetin që kemi përpara, gjithë Kolombinë, që dëshiron të zhvillohet; atë Kolombi, që ka nevojë për të gjithë e që ne të moshuarit duhet t’jua dorëzojmë juve”.

Të rinjtë ndihmojnë në “shërimin” e plagëve e në “zbulimin” e vendit

         Të rinjtë, vijoi Ati i Shenjtë, duhet t’i ndihmojnë të gjithë “të shërojnë” plagët e zemrës, sepse dëshpërimi e mosbesimi e sëmurin shpirtin e krijojnë ambiente ku nuk gjenden rrugëzgjidhje për problemet e madje, ku bojkotohen edhe ata që i gjejnë. Kështu vritet shpresa, denoncoi Papa, i cili i ftoi të rinjtë ta mbushin Kolombinë me utopitë e tyre të shëndetshme, që i japin asaj oksigjen.

         Duhet gjetur guximi për “të zbuluar” vendin e vërtetë, theksoi me forcë. Atë vend, që fshihet e nuk duket në titujt e gazetave, por që është pjesë e shoqërisë e ka nevojë për të gjithë. Papa iu referuar burimeve natyrore të Kolombisë dhe i nxiti të rinjtë ta kundrojnë bukurinë  natyrore të vendit pa e shfrytëzuar atë.

         Vetëm kështu, mund “të ndërtohet” vendi, që ëndërrojmë. “Ju ftoj të impenjoheni – jo të sillni menjëherë rezultate – në përtëritjen e shoqërisë, që ajo të jetë e drejtë, e qëndrueshme, e frytshme… Ju inkurajoj t’i besoni Zotit, i vetmi që na mbështet e na inkurajon për të kontribuar kështu, në pajtimin e paqen”, përfundoi Papa para se të largohej nga ballkoni për t’u takuar me ipeshkvijtë kolombianë.

07/09/2017 18:00