2017-09-07 15:29:00

Papa - Kolombisë: “Nuk është ligji i të fortit, por forca e ligjit, ajo që e mban në këmbë bashkëjetesën"


Sot, në orën 09.00 me orën vendase, 16.00 me atë evropiane, Papa u takua me autoritetet e vendit në Plaza de Armas della Casa de Nariño. Të pranishëm, Trupi Diplomatik, sipërmarrësit, përfaqësues të shoqërisë civile e të botës së kulturës, gjithsejt 750 vetë. Takimi nisi me përshëndetjen e Presidentit të Republikës, Juan Manuel Santos Calderón, për të vijuar me atë të Papës, që mbajti këtu, fjalimin e parë, të mirëseardhjes, drejtuar Kolombisë e kolombianëve, për të hyrë më pas në Pallatin presidencial, për një vizitë mirësjelljeje Presidentit: 

“Vij në Kolumbi - theksoi Ati i Shenjtë në fillim të fjalës së tij drejtuar mbarë popullit kolombian - në gjurmët e paraardhësve të mi, të të Lumit Pali VI e Shën Gjon Palit II e, si ata, më shtyn dëshira të ndaj me vëllezërit e mi  kolombianë dhuratën e fesë, të rrënjosur thellë në këto troje, e shpresën që rreh njëherësh me zemrën e të gjithëve. Vetëm kështu, me fe e shpresë, mund të kapërcehen vëshirësitë e panumërta të udhës e të ndërtohet një vend, që të jetë Atdhe e shtëpi për të gjithë kolombianët”.

Vend të bekuar në një mori mënyrash - e quajti Françesku Kolombinë - i dyti vend në botë për biolarmi që, po ta përshkosh, mund ta shijosh e të shikosh sa i mirë është Zoti, që i dhuroi gjithë këtë pasuri flore e faune në pyjet e tij, në rrëmoret, në Chocò, në shkëmbijtë vetmitarë  mes të detit, në malet, si ato të Makrenës e në shumë e shumë vise të tjera. Njëlloj, plot gjallëri, kultura e këtij kombi e, mbi të gjitha, cilësitë  e njerëzve të tij, me shpirt të mirë e mikpritës, trima e sypatrembur përballë pengesave.

Ky takim – vijoi - më jep mundësi të vlerësoj përpjekjet e bëra këto vite për t’i dhënë fund dhunës së armatosur e për të gjetur udhët e pajtimit.

E Papa kujtoi tërë udhën e përshkuar, me angazhimin e të gjithëve, për të ndërtuar unitetin e kombit e për të siguruar bashkëjetesën paqësore.

Motoja e këtij vendi - kujtoi - thotë: “Liri e rend”. Në këto dy fjalë përmblidhet një mësim i tërë. Qytetarët duhet të nderohen në lirinë e tyre e të mbrohen me një rend të qëndrueshëm. Nuk është ligji i të fortit, por forca e ligjit, ajo që miratohet nga të gjithë, që e mban në këmbë bashkëjetesën paqësore - theksoi Papa duke kujtuar, në vijim, se duhen ligje të drejta, që mund ta garantojnë këtë harmoni e të ndihmojnë për të kapërcyer konfliktet, që e rrënuan këtë komb për dhjetra vjet me radhë. Ligje, që nuk lindin nga kërkesa pragmatike për t’i dhënë urdhëra shoqërisë, por nga dëshira për të zhdukur shkaqet strukturore të varfërisë, që lindin përjashtim e dhunë!  Papa kërkoi të shërohet shoqëria nga kjo sëmundje, që e bën të brishtë, pa harruar se padrejtësia është rrënja e të gjitha të zezave shoqërore.

Prej këndej, thirrja që Papa e ka më pranë zemrës,  për t’i ndihmuar gjithë të përjashtuarit nga radhët, ata që nuk përfillen nga shumica e që flaken në skutat e shoqërisë. Sepse - nënvizoi me forcë - të gjithë jemi të nevojshëm për ta ndërtuar shoqërinë! Jo vetëm ata me gjak të pastër, por të gjithë! Pasuria gjindet në larmi: në etnitë e ndryshme, në banorët e zonave më të harruara, më të ligshta, më të shfrytëzuara e të keqtrajtuara, e edhe në gratë, me ndihmesën, me talentet, me rolin e tyre si nëna. Kolombisë i duhen të gjithë, për të hapur udhën e ardhmërisë së shpresës - kujtoi Ati i Shenjtë - e më pas u ndalua tek roli i Kishës:

“Kisha, besnike e misionit të saj - nënvizoi - angazhohet për paqen, drejtësinë e të mirën e përbashkët. Është e vetëdijshme se parimet ungjillore përbëjnë një përmasë domethënëse të indit shoqëror kolombian e, prandaj, mund të ndihmojnë shumë në zhvillimin e vendit”.

Më pas theksoi edhe rolin e familjes e, sidomos, të të varfërve:

“Ju lutem t’i dëgjoni të varfërit, ata që vuajnë. Shikojini në sy, vërejini fytyrat e tyre të brazduara nga dhimbja e duart e tyre, që shtrihen drejt jush, në lutje. Prej tyre mund të marrësh mësime të vërteta jete. Sepse ata që rënkojnë të lidhur me zinxhirë, e kuptojnë më mirë se askush tjetër, regëtimin e Atij, që vdiq mbi Kryq - siç shkruhet në himnin tuaj kombëtar” - theksoi Papa.    

Keni para vetes një mision të bukur, sa fisnik, aq edhe të vështirë. Rijeton në zemrën e gjithë kolombianëve shpirti i bashkatdhetarit të madh: ”Gjithsesi përballë shtypjes, plaçkitjes e braktisjes, përgjigjja jonë është jeta! As përmbytjet, as murtaja, as uria, as kataklizmat e, aq më pak, luftërat e pafundme në rrjedhë shekujsh, nuk mundën ta shuajnë fitoren guximtare të jetës mbi vdekjen”. “E mundur - prandaj - vijon Gabo - utopia përmbysëse e një jete, në të cilën askush të mos mundë të vendosë për të tjerët deri mënyrën e vdekjes, ku të jetë e vërtetë dashuria, e mundshme lumturia, e ku fiset e dënuara me njëqind vjet vetmi, të kenë, më në fund, e përgjithmonë, një mundësi të dytë përmbi dhe (Gabriel García Marquez, Fjalim me rastin e Çmimit Nobel).

E tepërt - theksoi me forcë në përfundim Françesku - koha e kaluar me frymën e urrejtjes e të hakmarrjes. Vetmia e njerëzve, gjithnjë njëri kundër tjetrit, zgjati tepër, njëqind vjet! Nuk duam që kurrnjë tip dhune ta shtrëngojë a ta asgjësojë jetën. Desha të vij deri këtu për t’ju thënë se nuk jeni vetëm, se jemi të shumtë ne, që duam t’ju shoqërojmë në këtë hap para: ky shtegtim synon të jetë nxitje për ju, të jetë kontribut, që ta sheshojë paksa udhën drejt pajtimit e paqes. Jeni të pranishëm në lutjet e mia. Lutem për ju, për të sotmen e të ardhmen e Kolombisë!”

Pas këtij takimi të parë, Papa u nis drejt katedrales e, kur arriti në Sheshin Bolivar, iu dorëzuan çelësat e qytetit. Pastaj, vizitoi katedralen, bekoi besimtarët nga Pallati kardinalor duke u drejtuar përshëndetjen e dytë 22 mijë të rinjve, bisedoi me ipeshkvijtë, me të cilët mbajti fjalimin e tretë të këtij shtegtimi, për t’u takuar, në orën 22.00 me atë evropiane, me Komitetin Drejtues të CELAM. Po me ditën e tretë të shtegtimit të Papës në Kolumbi, në atmosferën e një orari ku ngatërrohet dita amerikane me natën evropiane, do t’ju njohim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.