Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Nënë Tereza, samaritania e mirë

Nënë Tereza me jetimët e Sishu Bhavan në Kalkutë, 25 tetor 1979 - ANSA

07/09/2017 11:50

Emisioni i sotëm nuk mund të mos marrë parasysh atmosferën e festës, që ka përfshirë botën shqiptare, pas shugurimeve të para të kësaj periudhe. Fillimisht ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, më 2 shtator; pastaj, katedralja e Tivarit kushtuar Shën Pjetrit e së fundi, më 5 shtator, në 20-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës e në festën liturgjike të saj, shugurimi i shenjtërores kushtuar misionares shqiptare të dashurisë së krishterë. Prandaj, sot do të flasim për trashëgiminë e Nënë Terezës, duke e parë atë si Samaritanin e Mirë të Ungjillit, që ndalet e kujdeset për nevojtarin, pikërisht për atë, që të tjerët e kanë parë me bisht të syrit e kanë vazhduar rrugën pa pyetur për plagët e tij.

         Ndoshta jo të gjithë e kujtojnë se në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, më 4 shtatorin e vitit të kaluar, në altarin e Sheshit të Shën Pjetrit, mbi të cilin varej fugurja e shenjtes së re, ishte vendosur edhe ajo e Zojës së Lëmoshës, si për t’i thënë botës se në atë çast, Kisha i shikonte me vëmendje të veçantë të varfërit e të fundmit, të cilët ishin ulur idealisht në këmbët e altarit, nën mbrojtjen e jashtëzakonshme të Nënës së Krishtit e të misionares, që u mundua gjithë jetën t’ia shuante etjen Krishtit, duke u shërbyer mjeranëve.

         Ajo ngjarje e paharruar për shqiptarët e për gjithë botën, meshë, që u përkujtua pikërisht këto ditë, edhe përmes shugurimit të katedrales kushtuar shën Nënë Terezës në Prishtinë, i kujtoi çdo të krishteri se në qendër të jetës dhe të dëshmisë së tij për Krishtin duhet të jetë mëshira për të afërmin, kuptuar jo si fjalë abstrakte e koncepte teorike. Në altar u lartua shembulli i një gruaje, që e jetoi konkretisht mëshirën dhe dhembshurinë në çdo çast të jetës, ja pse Papa Françesku vendosi ta shenjtërojë gjatë Vitit jubilar kushtuar mëshirës.

         Është thënë shpesh se Nënë Tereza është ikona e Samaritanit të Mirë. Vërtet, shërbimi dhe impenjimi i saj lindin nga dashuria për Krishtin e nga pjesëmarrja e saj në mundimet e Zotit tonë, si një “Samaritane e mirë”, që përkulet mbi çdo të vuajtur, mbi çdo të gërbulur, mbi çdo të braktisur, mbi çdo të leckosur. A s’ishte vallë e saja, thirrja e përhershme për ta jetuar mëshirën personalisht, pa pritur që ta bëjnë të tjerët së pari? E pikërisht këtë synim e pati shpjeguar me përfytyrimin e pikës në oqean, vërtet e vogël, e brishtë, e ndrojtur para madhështisë së oqeanit, por nëse mungon, pati thënë Nënë Tereza, oqeani varfërohet. Mesazhi i “Lapsit të vogël në dorën e Zotit” ishte ky: “Hyji na ka dhënë një zemër, përdore për të dashur e përdori duart për t’u shërbyer të tjerëve”. Sepse murgesha e vogël e rrugëve të Kalkutës e konsideronte indiferencën si sëmundjen më të madhe të kësaj bote, e shërbimin ndaj të tjerëve mënyrën më të mirë për ta poshtëruar e përulur cinizmin e pashpirt e për t’i dhënë njerëzimit një arsye për të jetuar e shpresuar.

         Është kjo “Samaritane e Mirë”, që ashtu si personi i Ungjillit që kujdeset për njeriun e sulmuar nga kusarët, na propozon ilaçin e mëshirës së krishterë si shërim për plagët e botës, duke bërë hapin e parë drejt një epoke, në të cilën të gjithë njerëzit duhet ta përdorin këtë ilaç kundër të këqiave të kësaj bote.

07/09/2017 11:50