2017-09-06 11:15:00

Papët shtegtarë në Kolombi


Papa i parë, që shkeli në Amerikën Latine e në Kolombi, ishte Pali VI, i cili kreu një shtegtim apostolik në Bogotà, nga 22 deri më 25 gushti i vitit 1968. Ishte vizitë e ngarkuar me ngjarje: më se 20 takime e kremtime, gjatë të cilave shuguroi 200 meshtarë e diakonë, kremtoi meshën me campesinos, hapi Asamblenë II të përgjithshme të Ipeshkvijve të Amerikës Latine, bekoi selinë e re të CELAM (Konferenca Ipeshkvnore Latinoamerikane) dhe u takua me vëzhguesit e Kishave të krishtera e me bashkësinë hebraike të kryeqytetit kolumbian.

Papa i dytë, që shtegtoi në Kolombi, ishte Gjon Pali II (1-8 korrik 1986). Papa polak vizitoi Bogotanë, Chiquinquira-n, Cali-n, Tumaco-n, Popaya-n, Pereira-n, Chinchina-n, Medellin-in, Armero-n, Lèrida-n, Bucaramanga-n, Cartagena-n e Barranquilla-n. Rreth tridhjetë veprimtari, nga të cilat po kujtojmë vetëm kremtimin gjatë të cilit Papa ia kushtoi Kolumbinë Zojës, në Bazilikën e Chiquinquirà, takimet me banorët e “barrios” (lagjet e varfra të Bogotasë) e të Medellin; me Konferencia Latino Americana de Religiosos (CLAR), me ipeshkvijtë e CELAM e me indianët vendas; vizitën tek varri i Pedro Claver dhe mesazhin drejtuar të burgosurve, transmetuar përmes radios në të gjithë vendin.

Papa Françesku është i treti Papë, në rendin kronologjik, që shkon në Kolombi, por Papa i parë latinoamerikan, që e viziton vendin. Në këtë shtegtim apostolik (6-11 shtator 2017), parashikohen 12 ngjarje publike: takimi me autoritetet, me ipeshkvijtë, me Komitetin drejtues të CELAM, 4 kremtime eukaristike, lumnimi i Shërbëtorëve të Zotit Jesús Emilio Jaramillo Monsalve e Pedro Maria Ramirez Ramos, një takim lutjeje, vizita në shtëpinë-familje Hogar S. Josè dhe në Shenjtëroren  e Shën Pedro Claver -  dhe takimi me klerin e rregulltarët.  Ky, shtegtimi i 20-të apostolik i Papës Bergoglio – i njoftuar më 10 mars të këtij viti, nëntë muaj para nënshkrimit të paqes së Havanës, që ka për qëllim të vulosë udhën e re të pajtimit në Kombin kolombian.








All the contents on this site are copyrighted ©.