Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Riti i shugurimit të shenjtërores së Shën Nënë Terezës në Prishtinë

Shenjtërorja e Nënë Terezës në Prishtinë - RV

05/09/2017 13:13

Shugurimi i shenjtërores kushtuar Shën Nënë Terezës, në Prishtinë, filloi sot, në orën 11:00, me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve të kishës. Prinë ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues, pas të cilëve ecnin i Deleguari i posaçëm i Vatikanit, kardinali shqiptar Ernest Simoni (Troshani), shoqëruar nga ipeshkvi i vendit imzot Dodë Gjergji bashkë me kryeipeshkvijtë e ipeshkvijtë e tjerë të ftuar.

Në hyrje të kishës u bekua uji për ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve. Kisha dhe hapësira e saj u spërkatën me ujë të bekuar. Kori i kishës përcolli ceremoninë gjatë gjithë kohës. Pas Ungjillit dhe predikimit vijoi kushtimi apo shugurimi, i cili filloi me litanitë, gjatë të cilave thirren në ndihmë shenjtorët e Kishës katolike. Më pas, vendosja e relikeve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezës, në vendin e përgatitur enkas – pranë shtatores së saj, anash altarit kryesor. Altari u pastrua me ujë të bekuar dhe u lye me bagmin apo vajin e shenjtë, sipas ritit të shugurimit. Me këtë bagëm u vajuan edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e kishës. Mbi altar u dogj kemi, shoqëruar nga kënga e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e ipeshkvit. Mesha vijoi si zakonisht me Eukaristinë e përkujtimin e Darkës së mbrame të Krishtit.

Në mbyllje të gjithë besimtarët kënduan lutjen “Lavd e nder të qoftë, o Zot” në shenjë mirënjohjeje për këtë ngjarje të rëndësishme. Të pranishmit u shpërndanë pas marrjes së bekimit solemn të kardinalit Ernest Simoni.

05/09/2017 13:13