2017-09-05 14:56:00

Kolombia e pret Papën si “kasnec i paqes”


Ishte 2 tetori i vitit të kaluar e Papa Françesku, duke u kthyer nga shtegtimi në Gjeorgji e Azerbajxhan, u përgjigjej në avion pyetjeve të gazetarëve lidhur me një shtegtim të mundshëm në Kolombi, sapo procesi i paqes të ishte i sigurt, në mënyrë që të mos kishte më kthim mbrapa. Nuk kaloi as një vit e Papa po niset për në Bogota  Villavicencio, Medellín e Cartagena. Motoja e shtegtimit të 20-të apostolik, që fillon nesër e përfundon më 11 shtator, me rikthimin në Romë/Ciampino, është “Po e bëjmë hapin e parë”, pikërisht për të vënë në dukje procesin e pajtimit në vijim, në një vend të trazuar prej 50 vjetësh lufte ndërmjet qeverisë së Bogotasë e Fuerzas Armadas Revolucionarias de Columbia(Farc).

Pas Palit VI, më 1968 dhe Shën Gjon Palit II, më 1986, Françesku është  Papa i tretë që përqafon Vendin Latinoamerikan. Me më se 48 milionë banorë, nga të cilët 94% katolikë – edhe pse jo të gjithë praktikantë - Kolombia tashmë është gati ta presë Papën. Konferenca ipeshkvnore, e kryesuar nga imzot Oscar Urbina Ortega, kryeipeshkëv metropolit  i Villavicencio, e ka nisur prej kohe përgatitjen me takime, debate, katekizma, kremtime fetare. Udhëve të Bogotasë, që nuk i fshehin plagët  as kontradiktat e qytetit, bien menjëherë në sy afishe, me fotografinë e Françeskut, buzagaz si gjithmonë. Mbi një rrokaqiell, një orë e ndritshme, që e numëron kohën së prapthi, tregon se pas 24 orësh Papa do të jetë në Kolombi. Avenida, apo udha 26 , që lidh aeroportin me qendrën, është pothuajse krejtësisht e lirë nga trafiku: pas uljes në aeroport, Françesku do ta përshkojë këtë udhë me papamobil, deri në nunciaturën apostolike, i pritur nga rreth 700 mijë vetë.

Ky vend, ku shkel Papa, ka pas shpine një dhimbje të pafashitur, pasojë e një konflikti, që shkaktoi 260 mijë të vdekur, më se 60 mijë të humbur dhe 7 milionë të shpërngulur e refugjatë. Kështu flasin statistikat, por ka shumë mundësi që shifrat e sakta të mbeten përgjithnjë të panjohura. Ndërsa grupi tjetër i armatosur i vendit, Ushtria e çlirimit kombëtar, e cila prej pak kohe ka nisur bisedimet me qeverinë, e pranoi armëpushimin me rastin e vizitës së Papës, duke krijuar një atmosferë të denjë sa për këtë vend katolik, aq edhe për Françeskun, që vjen si kasnec i paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.