2017-09-05 14:05:00

Imzot Viganò në Luiss: strategjia mbi përmbajtjen, qendra e reformës së mediave vatikanase


Reforma e mediave të Vatikanit është “investim i madh për risimin teknologjik”, por, para së gjithash, është fjala për “krijimin e një sistemi të integruar”. Këtë nënvizoi Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, me rastin e paraqitjes së punës kërkimore me titull “Komunikimi dhe teknologjia: modele dhe raste të ndërthurjes dinamike të mediave” në Universitetin LUISS në Romë.

         Duke folur me gazetarët, komunikatorët institucionalë dhe me ata të mediave vatikanase, prefekti nënvizoi se “elementi qendror” i reformës së mediave “nuk është teknologjia, pavarësisht nga vjetërimi” i strukturës. Themelore, theksoi imzot Viganò, është “strategjia e mënyrës së tregimit, strategjia e përmbajtjes”. Papa nuk dëshiron një lloj “lyerje me bojë të re” të mjeteve të komunikimit, por “një sistem të ri prodhimi e transmetimi”, që nuk është thjesht, fryt i koordinimit dhe i bashkimit të mediave ekzistuese. Që këndej, realizimi i një “sistemi të ri, origjinal”. Një “model i ri i komunikimit të integruar”.

         Pikërisht kësaj fushe i kushtohet puna e qendrës kërkimore X.ITE (iksajt) në Universitetin Luiss, që mundëson krahasimin e përvojës personale me atë të të tjerëve, për të kuptuar çfarë nevojitet për përmirësimin e udhës së reformës. Një punë kërkimore, rezultatet e së cilës dëshmojnë se rruga e bërë deri tani është “korrekte”, nënvizoi imzot Viganò. Mediat e Vatikanit, theksoi ai, duke dhënë statistika, duhet ta shmangin logjikën e “dukjes” e të çlirohen nga “ankthi i performancës”.

         Ka ndryshim, nënvizoi ai, ndërmjet “dukjes e të qenët me vend”, pra tjetër është të bësh çdo përpjekje për t’u dukur e tjetër, kur dukesh e njihesh, sepse i ke thënë e bërë gjërat me vend. Jemi në mes të udhës, vërejti imzot Viganò, e, për të ecur përpara nevojitet “krijimtari”, që i jep forcë projektit. “Duhet të harmonizojmë të vjetrën e të renë – shtoi – të vetëdijshëm se idetë janë gjëja më e çmuar”. Ka rëndësi, përfundoi, të lidhen e të bashkëpunojnë bota akademike e ajo e zbatimit në praktikë, bota katolike e ajo jo katolike, sepse kur jemi të sigurtë për identitetin tonë nuk duhet të kemi frikë nga konfrontimi e dialogu.

         Puna kërkimore e paraqitur në Universitetin Luiss nga dy pedagogë italianë, Simona Romani dhe Paolo Peverini (këshilltar i Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimin), ka si objekt analize krahasuese institucione me rëndësi botërore, si: Disney, Eni, gazeta “New York Times”, Shtëpia e Bardhë gjatë administratës së Barak Obamës, organizata “Save the Children” dhe Fondacioni italian Veronesi. Rezultatet tregojnë se për të qenë i integruar si duhet, komunikimi duhet të jetë një fenomen dinamik, ku përfshihen në mënyrë dialektike të gjithë protagonistët, që së bashku, gjejnë një mënyrë të re për ta treguar përmbajtjen e punës së tyre me vërtetësi dhe emocion, sipas logjikës së plotësimit të njëri-tjetrit, sinergjisë, gjithanshmërisë dhe bashkëveprimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.