Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Françesku: të hapim horizonte gëzimi e shprese, si Nënë Tereza

Figurja e Nënë Terezës ditën e shenjtërimit - ANSA

05/09/2017 15:06

“Si Nënë Tereza, të hapim horizonte gëzimi e shprese për gjithë njerëzimin e shkurajuar, nevojtar për mirëkuptim e dashuri”. Ky, tweet-i i botuar sot nga Papa Françesku në faqen e tij të internetit @Pontifex në 9 gjuhë, pikërisht në ditën e përkujtimit liturgjik të Shenjtores, në 20-vjetorin e vdekjes të “Nënës së të varfërve” dhe të nesërmen e kryevjetorit të shenjtërimit, kryesuar nga ai vetë në Sheshin e Shën Pjetrit. Themeluese e Misionareve të Bamirësisë, Çmim Nobel për Paqen më 1979, Nënë Tereza është një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të mrekullive që mund të bëjë njeriu i dashuruar me Jezu Krishtin!

Më 26 tetor 1985, duke e paraqitur para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, sekretari i OKB-së Pérez de Cuiéllar e quajti “gruaja më e pushtetshme në botë”. Kuptohet vetvetiu se motra imcake, e mbështjellë e tëra me sarin bardh e blu, u turpërua nga kjo paraqitje e bujshme, para gjithë atyre burrave, që përfaqësonin botën! Kaq bujë, e për kë? Për atë që i kandte ta quante veten “lapës i vogël në duart e Zotit”. Por pikërisht ky “Lapës i vogël”, në dorën e të Gjithëpushtetshmit, do të shkruante faqe të pashlyeshme mëshire e, vetëm me forcën e fesë, do të hapte shtëpi për nevojtarët edhe në vende me porta të mbyllura, ku askush nuk guxonte të trokiste, lë më të hynte, si Kuba e Bashkimi Sovjetik. Vetëm portat e   vendit të saj, pas të cilave i vdisnin njëra pas tjetrës, nëna e motra,  nuk do t’i hapeshin, kur ajo trokiti dëshprueshëm, duke pritur më kot në prag. E kur iu hapën, mundi të përqafojë vetëm dy rrasa të akullta varresh, të cilat, megjithatë, i ngrohu me lotët e saj e me dashurinë e saj, që dinte të ngrohë gjithë botën. E kur ndokush e pyeste cili ishte sekreti i saj, Tereza e vogël- e madhe, gjithnjë çarmatosëse, përgjigjej thjeshtësisht: “Lutem!”.

Me rastin e Shenjtërimit, më 4 shtatorin e një viti më parë, Papa Françesku pohoi: “Nuk do ta kemi të lehtë ta thërrasim Shën Tereza: shenjtëria e saj është aq pranë nesh, kaq e dhembshur, kaq frymëzuese sa, pa dashur, do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza”. E shtoi:

“Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje”.

Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk di ta flas gjuhën e tyre, por di t’u buzëqesh në gjuhën e tyre”.

Nëse Papa Françesku e shenjtëroi, ishte Shën Gjon Pali II ai, që e lumnoi  më 19 tetor 2003. Me Karol Wojtylën Nënë Tereza pati lidhje të vërteta vëllazërore. E paharrueshme, vizita e Papës polak, më 1986, në shtëpinë e Kalkutës, ku Nënë Tereza strehonte njerëzit në prag të vdekjes. E po Gjon Pali II deshi një cak për misionaret e bamirësisë pikërisht në Vatikan, “Shtëpinë e Marisë”. Në homelinë e Lumnimit, Papa Wojtyla pohoi se Nënë Tereza nuk deshi të ishte vetëm shërbëtorja më e vogël, por kryesisht shërbëtorja e më të vegjëlve. Si Nënë e vërtetë për të vegjlit, u përkul mbi ata që vuanin nga format e ndryshme të varfërisë: “Madhështia e saj, nënvizoi Papa - qëndron në aftësinë për të dhënë gjithçka, pa bërë kurrfarë llogarie, për të dhënë e për të dhënë, deri në dhimbje! E jetoi rrënjësisht  dhe e shpalli me guxim të pashoq Ungjillin”. E në këto fjalë mund të përmblidhet gjithë jeta e Nënë Terezës!

Nuk mund të mos e përfundojmë këtë përkujtim, me një lutje zhgjetore, drejtuar Shën Nënë Terezës në ditën e festës së saj:

“Ndërmjetëso për kombin tënd e tonin, për ne e të gjithë ata, që e quajnë veten shqiptarë!”.

05/09/2017 15:06