2017-09-04 14:02:00

Një libër i ri i Nënë Terezës, me parathënie të Papës, në kryevjetorin e shenjtërimit


Mbushet sot një vit nga dita kur Papa Françesku e lartoi në altar Shën Nënë Terezën, si e pati quajtur atë ditë të lume, e si e quajmë tashmë të gjithë. E pas një viti, gjatë të cilit njerëzimi vijoi ta kujtojë në një mori mënyrash Nënën e Shenjtë të të varfërve, Ajo na dhuron një libër të ri, me tekste të panjohura e me parathënie shkruar nga vetë Papa.  Libri, i shtypur në Shtypshkronjën e Vatikanit, titullohet “Ta duam të padashurin”, parathënia e Papës “Ne nuk jemi Organizata jo qeveritare”. Po e kujtojmë me parathënien e shkruar nga Françesku, sintezë e jetës së Nënë Terezës, që nis me një shprehje të Shenjtes e përfundon me lutjen: “Mëshirë kërkoj nga Zoti mbi botën mbarë, me ndërmjetësimin e Nënë Terezës!"

Është një shprehje e Nënë Terezës, që këtu nuk e lexojmë, por që do të dëshiroja të ishte sfond i reflektimit tim: “Ne nuk jemi Ojq”. Ojq punojnë  për  diçka, ne, për Dikë!”. Prandaj edhe unë e përsëris shpesh se Kisha  nuk është Ojq, sepse punon për Krishtin e për të varfërit, në cilët jeton Krishti, na shtrin dorën, lyp ndihmë, kërkon një shikim të mëshirshëm,  do dashurinë tonë.

Duke rilexuar këto faqe mendova të reflektoj për pesë fjalë.

Fjala e parë është lutja. Nënë Tereza na fton pa u lodhur kurrë ta shuajmë etjen në gurrën e Dashurisë, në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, të pranishëm në sakramentin e Eukaristisë, që të marrim, pastaj, forcë për t’i ndihmuar më të varfërit ndër të varfër, me zemrën plot gëzim. Nënë Tereza e fillonte ditën me Meshën Shenjte, e mbaronte me adhurimin e Jezusit Sakrament. Dashuri pa anë e fund! Kështu puna mund të shndërrohet në lutje! Nuk duhet të harrojmë kurrë ta mbajmë një Ungjill të vogël në xhep, ta lexojmë një faqe e të hyjmë edhe ne në tregimin, që lexojmë. Të përpiqemi të hyjmë në mendimet e ndjenjat e Jezusit, të flasim me Të, t’i lypin hirin e Shpirtit Shenjt; kështu do të bëhemi burra e gra, që dinë ta shijojnë jetën  e t’i dhurojnë një shikim të ri, njeriut që takojnë.

Fjala e dytë është dashuria e krishterë. Kjo do të thotë të bëhesh i afërt me periferitë e burrave e të grave, që i takon çdo ditë, të kesh mëshirë për të fundmit në korp e në shpirt - pa harruar se mëshirën mund ta provosh vetëm kur i pranon në zemrën tënde nevojat dhe plagët e tjetrit - kur bëhesh dëshmitar i ledhatimit të Zotit për çdo plagë të njerëzimit. E kjo bëhet e mundur kur secili nga ne është me Zotin, flet me Të, ia hap zemrën për të banuar aty Shpirti i Tij. Kështu mund të jemi të aftë të ofrojmë atë, që dëshirojnë njerëzit: praninë e afërsinë e Zotit mëshirë.

Fjala e tretë është mëshira vepruese, apo mëshira trupore e shpirtërore, që domethënë kujdesi për njeriun në përgjithësi e për çdo njeri, në veçanti. Në Misericordiae vultus, bula për shpalljen e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, shkruaja:

“Dëshiroj me gjithë zemër që populli i krishterë të reflektojë gjatë Jubileut për veprat e mëshirës trupore e shpirtërore. Do të jetë mënyrë për të rizgjuar ndërgjegjen tonë, shpesh të topitur, përballë dramës së varfërisë  e për të hyrë gjithnjë më thellë në zemër të Ungjillit, ku të varfërit janë të zgjedhurit e mëshirës hyjnore. Predikimi i Jezusit na i paraqet këto vepra mëshire, që ta kuptojmë nëse jetojmë apo jo si dishepuj të Tij. T’i rizbulojmë veprat e mëshirës trupore: t’u japim të hanë të uriturve, të pinë të eturve, t’i veshim të zhveshurit, t’i mikpresim të huajt, t’u rrimë te koka të sëmurëve, t’i vizitojmë të burgosurit, t’i varrosim të vdekurit. E të mos i harrojmë as veprat e mëshirës shpirtërore; t’i këshillojmë dyshimtarët, t’i mësojmë të paditurit, t’i qortojmë mëkatarët, t’i ngushëllojmë të mjeruarit, t’i falim fyerjet, t’i mbartim me durim njerëzit e mërzitshëm, t’i lutemi Zotit për të gjallë e për të vdekur”. Nënë Tereza e bëri këtë faqe të Ungjillit doracak të jetës së saj, udhë drejt shenjtërisë, e kështu mund të bëhet edhe për ne.

Fjala e katërt është familja:  në të spikat figura dhe prania e nënës, e Nënë Tereza na flet kështu, nga këto faqe: “Nënat janë zemra e shtëpisë e janë ato, që e formojnë familjen, duke i mirëpritur, duke i dashur e duke u kujdesur me gjithë vetveten për fëmijët (…) [Në të vërtetë] shumë nga vuajtjet e të rinjve shkaktohen nga jeta familjare. (…). Është nëna ajo, që  e shndërron shtëpinë në fole dashurie. Nganjëherë të jesh nënë, mund të bëhet përvojë tejet e vështirë, mund të jetë kryq i vërtetë. Por kemi gjithnjë me ne Zojën e Bekuar, më të mirën e nënave, që na mëson të jemi përherë të ëmbël e të butë me fëmijët tanë. Në familje, nëna e babai na mësojnë të qeshim, të falim, të mikpresim, të flijohemi njëri për tjetrin, të dhurojmë pa kërkuar asgjë si shpërblim, të lutemi e të vuajmë së bashku, të gëzohemi e ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Në asnjë situatë jete nuk mund të jetohet, ashtu si jetohet në familje. E Nënë Tereza, në një nga përgjigjet gjatë takimeve të rrëfyera në këtë libër, na thotë: “Ju duhet të bëheni gjithnjë më shumë gëzimi e ngushëllimi i Zotit duke e çuar lutjen në familjet tuaja. Familja ka nevojë për dashuri, bashkim e punë të vazhdueshme. E kjo do të jetë dhurata më e madhe, që mund t’i ofroni Kishës”.

Fjala e pestë është të rinjtë: në mënyrë të veçantë ju drejtohem ju, të rinj. Thonë se Shqipëria është vendi më i ri në Evropë e ju drejtohem ju. Ju ftoj ta ndërtoni jetën mbi Jezu Krishtin, mbi Zotin: kush ndërton mbi Zotin, ndërton mbi shkëmb, sepse Ai është besnik, pavarësisht nga pabesitë tona(krh 2Tm2,13). Me këto fjalë në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Tiranë, gjatë vizitës sime në Shqipëri, më 21 shtator 2014, iu drejtova të rinjve të këtyre trojeve.

Gjithë të rinjve u kërkoj, tani, të mos e humbasin shpresën, të mos e lejojnë askënd t’ua rrëmbejë të ardhmen, që është në duart e tyre. Rrini në Tënzonë e duajuni, si ju do Zoti, jini konstruktorë urash për të copëtuar logjikën  e përçarjes, të mospranimit, të frikës nga njëri-tjetri, vihuni në shërbim të të varfërve, përballojeni me guxim jetën, që është dhuratë e Zotit. Fluturoni lart, si shqiponjat, simbol i vendit, që i dhuroi Kishës e botës Nënë Terezën. Ju inkurajoj t’i tërhiqni bashkëmoshtarët, për t’i ushqyer me Fjalën e Zotit, duke ia hapur zemrat Krishtit, Ungjillit, takimit me Zotin, dialogut ndërmjet jush, për t’i ofruar dëshminë tuaj botës.

Ju bekoj me dashuri. E uroj që këto faqe t’u bëjnë mirë zemrave tuaja, siç i bënë mirë simes, ndërsa lutem që paqja e mëshira të mbretërojnë në shtëpitë tuaja, në familjet tuaja, në jetën tuaj. Paqe e mëshirë kërkoj nga Zoti mbi botën mbarë, me ndërmjetësimin e Nënë Terezës!








All the contents on this site are copyrighted ©.