2017-09-03 13:23:00

Nunci në Kolumbi: Françesku do të ndihmojë në ndërtimin e së ardhmes së vendit


Udhëtim, në të cilin Papa Françesku do të ketë mundësinë ta ftojë popullin “të mos bjerë në tentakulat e korrupsionit e të polarizimit”, të gjejë  ekuilibrin ndërmjet “së vërtetës” e “mëshirës”, për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara, nga 50 vjetët e luftës e të dhunës së Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), që shkaktuan 260 mijë viktima, më se 60 mijë të zhdukur e më se 7 milion të shpërngulur e refugjatë. Sipas nuncit apostolik në Kolumbi, imzot Ettore Balestrero, ky është objektivi i vizitës së Papës Françesku në vendin amerikanolatin, nga 6 deri më 11 shtator.

         Prelati nuk e fsheh se realiteti kolumbian karakterizohet akoma nga “dhuna” e nga “trafiku i drogës”, se shoqëria ka shumë dritëhije, edhe brenda familjes e ndërmjet familjeve, se veprimtaria e organizatës tjetër kryengritëse, “Ushtria për Çlirimin Kombëtar” (ELN) akoma vijon. Është e rëndësishme, nënvizon imzot Balestrero në mikrofonin e Radio Vatikanit, që t’u jepet fund “sekuestrimeve, marrjes së fëmijëve ushtarë, sulmeve kundër infrastrukturave jetësore të vendit e vendosjes së minave kundër njeriut”. Por le ta dëgjojmë vetë imzot Balestreron në një pjesë nga intervista e tij:

            Papa vjen si shtegtar i shpresës dhe i pajtimit. Natyrisht, pritet me gëzim të madh, si mik, që mund të ndihmojë në hedhjen e një hapi: një hap drejt Zotit e, edhe drejt vëllezërve, për t’u dhuruar dashuri, për të ndërtuar ura. Në një vend si Kolumbia, Papa do të na ftojë sigurisht, të mos biem në tentakulat e korrupsionit, të polarizimit, të gjejmë ekuilibrin ndërmjet së vërtetës e mëshirës për të ndërtuar kështu, Kolumbinë e re. 53 vjetët e luftës kanë lënë plagë të hapura, por i kanë dhënë popullit edhe urtinë e nevojshme për të ardhmen. Kolumbia është vend në shndërrim e sipër, tashmë më tepër urban se sa rural. Po e mbyll kapitullin e FARC-ut, por akoma jo zbatimin e marrëveshjes me këto forca guerrilase. Është vend me problemin e dhunës, të trafikut të drogës, por, pavarësisht nga këto, po zhvillohet ekonomikisht, ka shumë burime natyrore e njerëzore e mund të shkojë drejt rrugës së demokracive perëndimore. E natyrisht, pëson edhe dobësitë e tundimet e këtyre demokracive. Prandaj, vizita e Papës mund të na ndihmojë për të ndërtuar një të ardhme të ekuilibruar, me respekt për Zotin e për njerëzit.

         Cili është roli i Kishës në udhën e paqes, që ka nisur Kolumbia?

         Kisha është e thirrur ta shoqërojë nga afër popullin e vet, pikërisht siç bënë famullitari i Armero-s dhe ipeshkvi i Arauca-s, që u vranë për shkak të fesë e që Papa do t’i lumnojë pikërisht gjatë këtij udhëtimi, në Villavicencio. Përsa u përket kryengritësve të FARC-ut, Kisha nuk ka marrë pjesë në bisedime, por ka bashkëpunuar në disa aspekte të tjera, ndër të cilët, njëri, shumë delikat: ndërgjegjësimi se viktimat duhet të jenë në qendër të zgjidhjes së konfliktit. Edhe Papa do të takohet me viktimat e ish-guerrilasve e, në Villavicencio, do të lutet para të Kryqëzuarit, që në vitin 2002, ishte i pranishëm në masakrën e Bojaya-s, kur një predhë mortaje goditi kishën e vendit, duke shkaktuar 117 të vdekur. E do të lutet edhe që autorët të pendohen, pasi duke goditur të afërmin cënuan edhe dinjitetin e tyre njerëzor.








All the contents on this site are copyrighted ©.