2017-09-03 15:57:00

Del, më 6 shtator, libri i Wolton në dialog me Papën


Do të dalë më 6 shtator libri i Dominique Wolton, realizuar me Papën, titulluar “Politique et société” (Politika e shoqëria - Editions de l’ Observatoire). Është një dialog i thellë me Françeskun, shkruar nga sociologu francez gjatë disa takimeve me Atin e Shenjtë. Vëllimi ndahet në tetë kapituj: paqja e lufta; fetë e politikat; Evropa e larmia kulturore; kultura e komunikimi; identiteti, koha e gëzimi; mëshira tradita e fati. Pjesa e fundit i kushtohet e tëra Papës Bergoglio.

Të shumta e të shumëllojshme, pra, argumentet që trajtohen. Duke folur për emigrantët, posaçërisht për afrikanët, që ikin nga mjerimi a nga dhuna, nënvizon se Evropa e ka shfrytëzuar gjithnjë Afrikën e sot  Kontinenti është tokë e varfër e ka nevojë për investime, që të mund t’u japë banorëve të vet punë e bukë. Në këtë e në drejtime të tjera, Evropa ka përgjegjegjësi të veçantë. Po të kenë punë, njerëzit nuk kanë nevojë të nisen, e po të mos ketë luftë, nuk kanë pse të ikin. Por kur ka luftë, s’kanë nga t’ia mbajnë! Do të ikin. Tani  lind vetvetiu pyetja: “Kush e bën luftën? Kush i jep armët? Ne!”.

Duke folur për Evropën, Papa pohon se nuk shikon më figura si Schumann, as si Adenauer. Sheh veç një Evropë që ka frikë, që mbyllet në vetvete, duke harruar historinë e saj me integrim kulturor të fuqishëm.  E ka edhe  gjëra të tjera, që nuk duhen harruar: Papa e konsideron gabim  mospërmendjen e rrënjëve të krishtera në Kushtetutën e Bashkimit Evropian.

Françesku flet për Shtetin laik: ekziston një laicitet i drejtë - vëren - por në disa vende, si Franca, ndjehet fryma e një laiciteti, që i konsideron fetë  si kulturë e pakicës, domethënë, si nënkulturë. Evropa duhet t’ia hapë zemrën transhendencës.

Lidhur me luftën, Papa pohon se nuk i pëlqen të përdorë termin “luftë e drejtë”. E vetmja gjë e drejtë - vëren - është paqja, “sepse asnjë luftë  nuk është e drejtë”.

Flet edhe për Kishën, që nuk është vetëm hjerarkia ose kleri: papët, ipeshkvijtë, meshtarët. Kishë është populli. Nëse do ta njohësh Kishën - thekson – shko në një fshat ku jetohet jeta e Kishës, ose në një spital, ku do të gjesh shumë të krishterë që ndihmojnë, ose në trojet e varfra, ku do të takosh një mori misionarësh, që japin jetën për ato vise.

Kritikon një lloj mësimi të moralit katolik, me rregulla të tipit: “Nuk mund ta bësh, duhet ta bësh!”. Morali - shpjegon - është pasojë e takimit me Jezusin. Ndërsa krijohet rreziku të flitet vetëm për moralin “në bel e teposhtë”, e të mos flitet fare për mëkatet e tjera, si urrejtja, zilia, fodullëku, kotësia, lidhja me mafien…

Tundimi - shpjegon - është të uniformohen rregullat. Citon, në vijim, Nxitjen apostolike Amoris laetitia, kur bëhet fjalë për familjet në vështirësi, duke kërkuar të mirëpriten, të shoqërohen, të shoshiten, të integrohen e të mos kufizohet gjithçka vetëm te pyetja e kanë marrë apo jo Kungimin. Njerëzia dëgjon shpesh nga Kisha vetëm një “jo”. Është ndalimi, që përpiqen t’ia imponojnë farizenjtë Jezusit. Të mëdhenjtë e Kishës – vijoi Papa – janë misionarë, me vizion që shkon shumë përtej.

Françesku flet edhe për shtrirjen e pushtetit në zgjidhjen e mëkatit të abortit ndër të gjithë meshtarët. E kjo nuk do të thotë ta shikosh abortin si diçka e zakonshme, sepse vijon të jetë mëkat mortar, vrasje e një të pafajshmi. Por do të thotë ta lehtësosh faljen.

Përsa i përket martesës, pohon se jo vetëm për Kishën, por edhe për njerëzimin, është bashkim i një burri me një grua. Kjo është natyra e gjërave. Nuk mund të tallesh me të vërtetën. Bashkimet e tjera mund të quhen “civile”. Pas tyre është ideologjia gender, e gjinisë, e tani - shton - edhe në librat, fëmijët mësojnë se mund të zgjedhin të njëjtin seks, pavarësisht nga natyra e tyre. Edukim, ky, që e favorizon këtë gabim.

Për islamin, Papa pohon se dialogu po shkon mirë e se Imami i Al-Azhar erdhi ta takojë në Vatikan. Por është i mendimit se myslimanëve do t’u bënte mirë studimi kritik i Kuranit, siç kanë bërë të krishterët me Shkrimet Shenjte. Metoda historike e kritike e interpretimeve do t’i bënte të evoluonin. Ndërsa sot ka akoma myslimanë, që nuk e pranojnë parimin e reciprocitetit. Në Arabinë Saudite është çështje mendësie. Por disa vende të Gjirit janë më të hapura e lejojnë të ndërtohen Kisha. E bëjnë këtë, sepse kanë shumë punëtorë katolikë.

Së fundi, një rrëfim: Françesku rrëfen se, në moshën 42 vjeçare, u takua për një farë kohe me një psikanaliste hebreje “për të sqaruar disa gjëra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.