2017-09-02 18:29:00

Papa: paqe për Korenë, fetë t’i kundërvihen retorikës së urrejtjes


Liderët fetarë të jenë “kumtues të paqes”, që të mbillet shpresa e ardhmërisë, në të cilën “të dëgjohet britma e shumë njerëzve, që nuk e duan luftën”, e të luten për më shumë harmoni ndërmjet njerëzve e bashkësive, ndërmjet popujve e shteteve”. Kjo, thirrja drejtuar nga Papa Françesku Këshillit Korean të Liderëve fetarë (Korean Council of Religious Leaders), pritur sot paradite në Vatikan. Përfaqësuesit e feve kryesore të Koresë janë në Romë për një shtegtim ndërfetar. Duke i pritur, Papa kujtoi takimin e tij me liderët fetarë në Kore, në vitin 2015 dhe falënderoi imzot Hyginus Kim Hee-jong, kryeipeshkëv i Gwangju e kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Koresë që - në këtë çast tensioni në zonë për shkak të hedhjes së raketave nga Koreja e Veriut - e pikërisht pardje, në një intervistë dhënë agjencisë Sir, nënvizoi vlerën e paqes, që nuk duhet kërkuar kurrë me armë, por vetëm me dialog.

Papa u përqendrua kryesisht tek dialogu ndërfetar, shteg nëpër të cilin, edhe pse shpesh me hap jo aq shpejtë, Kisha katolike nuk lodhet kurrë së ecuri, posaçërisht duke nisur nga Koncili II i Vatikanit e në vijim. Për Françeskun, kjo është detyrë, që i pëlqen Zotit e që të çon drejt paqes.

Prej këndej, i ftoi liderët  fetarë t’i favorizojnë  proceset e pajtimit: “Jemi të thirrur - theksoi - për të qenë ‘kasnecë të paqes’, duke mishëruar një stil, që i kundërvihet dhunës, stil paqësor, të shprehur me fjalë, që nuk kallin frikë e me gjeste, që u kundërvihen fjalimeve të ngarkuara me urrejtje".

Papa vijoi ta vërë deri në fund theksin mbi dialogun: dialog me zemër të hapur, plot respekt. Sepse respekti reciprok është kusht, e njëkohësisht  edhe qëllim i dialogut ndërfetar. Është të respektosh të drejtën për jetë, për paprekshmëri fizike e për liritë themelore: lirinë e ndërgjegjes, të fesë, të mendimit e të shprehjes, që përbëjnë themelin për ndërtimin e paqes, për të cilën secili nesh është i thirrur të lutet e të punojë - theksoi Françesku.

“Bota na shikon ne - vërejti në vijim Papa - e kërkon përgjigje të njëzëshme për shumë probleme, që e shqetësojnë, si  dinjiteti i shenjtë i çdo njeriu, varfëria, mospranimi i dhunës, posaçërisht asaj që kryhet duke dhunuar emrin e Zotit e duke mos respektuar shenjtërinë e fesë së çdo njeriu, korrupsioni, kriza e familjes, e ekonomisë, e ekologjisë, e, jo e fundmja, ndonëse në fund, e shpresës. Duhen shpërvjelur mëngët, prandaj, pa e ngritur zërin, sepse udha që duhet bërë me ngulm së bashku, është e gjatë e në të duhet mbjellë shpresa e ardhmërisë, në të cilën duhet ndihmuar njeriu të jetë më shumë njerëzor. “Nuk pushoj s’i kërkuar Zotit - përfundoi Papa - dhuratën e paqes e të pajtimit vëllazëror për popullin e dashur korean”.








All the contents on this site are copyrighted ©.