2017-09-02 18:43:00

Papa: burimet energjitike nuk duhet të jenë burime konflikti


“Burimet energjitike nuk duhet të lihen në dorë spekullimit, e as të bëhen burim konfliktesh”. E pohoi Papa në mesazhin e tij për National Day të Selisë së Shenjtë, në Expo 2017 të Astanës, në Kazakistan

Për Françeskun, vihet në lojë vetë dinjiteti ynë; vihen në lojë drejtësia e paqja. Mënyra si i shfrytëzojmë pasuritë energjitike - shpjegon - është  tregues i mënyrës si e kryejmë detyrën e cila, sipas shumë traditave fetare, na u besua nga Zoti: kujdesin për planetin ku jetojmë, por edhe për vetë njerëzimin. Nëse e përdorim energjinë në mënyrë solidare e të qëndrueshme - kujton Papa - atëhere jemi duke e kryer mirë këtë detyrë. Përndryshe, jo!

Françesku nuk harroi të theksojë se gjithçka është dhuratë e trashëgim. Prej këndej kujtoi se ka shumë rëndësi të reflektojmë për format e përdorimit, edhe përmes teknologjive të reja e inovative, të burimeve energjitike. Forma, nga të cilat varet vetë shëndeti i planetit dhe mirëqenia e shoqërive tona - mirëqenie - shtoi, që duhet kuptuar në mënyrë të gjithanshme, e jo vetëm si prosperitet ekonomik e si aftësi konsumi.

Papa foli për “Energjinë e Ardhmërisë”, temë e Ekspozitës Ndërkombëtare, për të kujtuar se sfida “nuk ka të bëjë vetëm me shkencëtarët, teknologët e investuesit”, por edhe me  botën e kulturës, të politikës, të edukimit e edhe me botën fetare. Citoi edhe enciklikën “Lëvduar qofsh” dhe solli shembullin e Kazakistanit, atdhe i dialogut e i marrëveshjes ndërmjet feve.








All the contents on this site are copyrighted ©.