2017-09-01 17:55:00

Përmbytje në Azi: 1200 të vdekur. Në rrezik, shkolla për 1,8 milion fëmijë


Ndërsa uragani i tmerrshëm Harvey mbërriti në Luizianë, duke lënë pas vetes një Teksas të shkatërruar, furia e shirave, që bien pa pushim, më intensivet që nga viti 2005, u përplas mbi rajonet e Azisë jugore, duke mbuluar me ujë sidomos Bangladeshin, Indinë dhe Nepalin. Bilanci i viktimave është dramatik: më se 1200 vetë kanë humbur jetën (800 të vdekur vetëm në Indi). Fshatra të tëra janë fshirë nga faqja e dheut, së bashku me spitalet, të korrat, shkollat, ndërsa rritet vazhdimisht numri i banorëve pa ushqim e pa ujë. Qindra, të plagosurit, por statiskat më të frikshme informojnë për miliona civilë, që detyrohen të braktisin shtëpitë. Në Mumbai, kryeqyteti financiar i Indisë, pallatet shemben si të ishin prej rëre: i fundit, rënë natën e shkuar, varrosi 40 vetë nën tulla e dhe. Ndihma e shpejtë nuk arrin t’u bëjë ballë kaq shumë emergjencave. Kryedioqeza ka hapur të gjitha shkollat e famullitë për të strehuar të shpërngulurit.

         Ky sezon monsonesh, veçanërisht i ashpër, po vë në rrezik edhe edukimin e arsimimin e 1,8 milion fëmijëve. Alarmi jepet nga organizata “Save the Children”, e cila informon për 18 mijë shkolla të dëmtuara, ose të shkatërruara, të cilave u shtohen edhe mijëra struktura shkollore, që përdoren për strehimin e të shpërngulurve. “Save the Children” kërkon t’i jepet përparësi këtij problemi, pasi “sa më gjatë mbeten fëmijët jashtë sistemit shkollor, aq më i madh është rreziku që të mos kthehen më në bangat e shkollës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.