2017-09-01 13:19:00

Kard. Parolin: Papa në Kolumbi për hapin e parë të pajtimit


“Po hedhim hapin e parë”: kjo është motoja e udhëtimit të 20-të apostolik të Papës Françesku në Kolumbi, nga 6 deri më 11 shtator. Vizita e njoftuar nëntë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes së Havanës, synon t’i vërë vulën rrugës së re të pajtimit kombëtar, pas vitesh konflikti të përgjakshëm.

         Të ndryshme, temat, që do të karakterizojnë çdo ditë: në Bogotà mbizotërojnë zejtarët e paqes dhe mbrojtësit e jetës; në Villavicencio, theksi do të vihet mbi pajtimin; në Medellin, thirrja e krishterë dhe apostullimi; ndërsa në Cartagena, protagoniste është tema e dinjitetit të njeriut dhe e të drejtave të tij. Pikërisht sot, Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë – FARC, nga kongresi i tyre në Bogotà, lajmëruan se shndërrohen në parti politike, duke marrë emrin “Forca Alternative Revolucionare e Përbashkët” (Fuerza alternativa revolucionaria del comun). Çast i veçantë, në të cilin procesi i pajtimit, filluar me çarmatosjen e guerrilasve, vazhdon. Mbi rëndësinë e këtij udhëtimi të shumëpritur të Papës i kërkuam një koment Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin:

         Vizita e Papës në Kolumbi ka karakter kryesisht baritor, ashtu si të gjitha vizitat e Atit të Shenjtë në vende të ndryshme, prandaj, synon përforcimin dhe inkurajimin e vëllezërve në fe, përtëritjen e dashurisë së tyre të krishterë e nxitjen për ta jetuar shpresën, që vjen nga Krishti. Natyrisht, e gjithë kjo ndodh në një çast të veçantë për jetën e vendit, sepse pas 50 vjetësh konflikti e dhune, ka filluar procesi i paqes e kjo e bën udhëtimin shumë të rëndësishëm. Papa, si bari i Kishës universale e si lider shpirtëror, dëshiron ta shoqërojë këtë proces, duke e inkurajuar, sepse vërtet, pas zisë së rëndë, pas shkatërrimeve e vuajtjeve të shumta, populli kolumbian duhet të krijojë një realitet të ri paqeje dhe pajtimi.

         Pas arritjes së paqes, hyjmë në një fazë edhe më delikate. Cilat janë aspektet, që u interesojnë Selisë së Shenjtë dhe Kishës lokale e cilat inkurajojnë më tepër?

         Hyjmë në fazën e zbatimit, nuk mjafton nënshkrimi i një dokumenti. Sigurisht, është hap i nevojshëm dhe i domosdoshëm, por është e qartë se nuk mjafton: udha është e gjatë e, ditë për ditë, duhet të përfshijë të gjithë e gjithçka, sidomos zemrën dhe mendjen. Besoj se detyra, misioni themelor i Kishës, në këtë çast, është të favorizojë pajtimin. Kjo është pika qendrore: më duket se ka shumë nevojë për këtë, sepse paqja nuk do të ndjehet, nuk do të jetë një realitet i gjallë dhe i pranishëm, nëse nuk do të kemi pajtimin e krejt popullit kolumbian. E natyrisht, një nga mjetet kryesore të këtij pajtimi është aftësia për të falur, për ta dhënë e për ta marrë faljen.

         Cila është sot, jeta e Kishës në Kolumbi?

         Unë mendoj se është Kishë e gjallë dhe bujare, e cila ka përjetuar konfliktin e dhunën e madje, është prekur pjesërisht prej tyre, por nuk është frikësuar e ka vazhduar t’i shoqërojë besimtarët e vet, të cilët janë inkurajuar dhe mbështetur pikërisht nga prania e Kishës. Edhe sot, ajo punon seriozisht për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut dhe të të drejtave të tij, sidomos përmes veprave të shumta të bamirësisë e të solidaritetit.

         Motoja e vizitës së Papës Françesku është “Po hedhim hapin e parë”: ftesë për të qenë misionarë të pajtimit. Konkretisht, si është e mundur të punohet për pajtimin, kur plagët nuk janë mbyllur akoma?

         Duke shëruar zemrat e duke mjekuar plagët, duke dhënë shpresë, që është pastaj, karburanti, i cili e ushqen udhën konkrete të pajtimit e të paqes. Kjo moto është e rëndësishme, sepse folja përdoret në numrin shumës, pra, i përfshin të gjithë: të gjithë duhet ta ndjejnë se bëjnë pjesë në këtë udhë, në këtë proces, në këtë rrugë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.