“Një bashkëpunim më i ngushtë i feve me qeveritë dhe aktorët ekonomikë e shoqërorë, për të mbrojtur sistemet energjitike, që janë me të vërtetë në shërbim të mbarë familjes njerëzore”. Këtë urojnë liderët fetarë myslimanë, kristianë dhe hebrenj, mbledhur dje në Astana, kryeqytet i Kazakistanit, në takimin ndërfetar: “Së bashku për kujdesin ndaj shtëpisë sonë”, organizuar në kuadrin e Ekspo 2017. I pranishëm, delegati i Vatikanit, kardinali Peter Turkson, prefekt i dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor.
Nismat ndërfetare, që janë marrë këto vjet për ambientin dhe klimën - shkruajnë në Deklaratën e përbashkët, shpërndarë në përfundim të takimit nga liderët fetarë - tregojnë se fetë mund të jenë nxitje e fuqishme për veprimtari konkrete në favor të shtëpisë së përbashkët dhe t’u kujtojnë njerëzve vlerat fetare e normat morale, sidomos vlerën e bamirësisë, të solidaritetit e të mbrojtjes së drejtësisë. Më pas deklarata e përbashkët ndalohet fort tek mbrojtja e energjisë. Duhet thelluar - shkruhet - vetëdija se mbrojtja e energjisë, ndikon shumë mbi mbrojtjen e natyrës dhe të vëllezërve më të ligshtë “Mënyra si lind, si transportohet e si konsumohet energjia – nënvizojnë liderët fetarë - ka e do të ketë ndikim shumë domethënës mbi ekosistemet e, prej këndej, mbi sigurimin e ujit e të ushqimit, mbi tregtitë tona, mbi ekonomitë, mbi shëndetin, zhvillimin, luftën e paqen”.
“Energjia nuk është pasuri e krijuar nga njeriu, por burim që Zoti krijues ia besoi njeriut, për të mirën e gjithë familjes njerëzore. Prej këndej, nuk duhet të përdoret për të fituar sa më shumë, e në një kohë sa më të shkurtër”, nënvizohet në deklaratën e përbashkët të liderëve fetarë.
Nesër në Expo-në e Astanës, do të jetë Dita e Selisë së Shenjtë, e pranishme në Ekspozitë me pavijonin e saj, titulluar: “Energy for the Common Good: Carring for our Common Home”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |