Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Vladimir Gjika, meshtar martir nën komunizëm, rumun, me origjinë shqiptare.

I Lumi Vladimir Gjika

31/08/2017 12:53

Si sot, më 31 gusht të vitit 2013 u shpall i Lum Vladimir Gjika (1873-1954), meshtar martir i fesë së krishterë nën diktaturën komuniste, rumun, me origjinë shqiptare.

Po kujtojmë se kalendari liturgjik i Kishës katolike e përkujton të Lumin Vladimir Gjika më datën 16 maj.

I Lumi Vladimir Gjika u lind në Stamboll më 1873 nga një familje shqiptaro-rumune dhe u kthye nga ortodoksia në katolicizëm, më 1902, në Romë, gjatë studimeve për filozofi dhe teologji. Deshi të shugurohej meshtar ose murg, por Papa Piu X e këshilloi t’i kushtohej apostullimit si laik.

Pas shumë shërbimesh të çmueshme për Kishën si besimtar laik, u shugurua meshtar në vitin 1923. Nga ky vit, u dërgua nga Selia e Shenjtë në Sidney, Budapest, Dublin, Buenos Aires, ku mori pjesë në kongreset eukaristike ndërkombëtare.

Kreu misione apostolike edhe në Japoni, Kinë e Ceylon. Vdiq ndër torturat e sigurimit, në një burg komunist në Rumani. Ndër provat e shumta, paraqitur nga dioqeza e Bukureshtit për lumnimin e tij, janë edhe dokumentet, që u gjetën në arkivat e ish policisë politike të regjimit dhe dëshmitë e shokëve të burgut.

Pra,  si sot, me 31 gusht 2013, në Bukuresht, në pavionin qendror të Romexpo, në orën 11.00, u kremtua Mesha solemne me ritin e Lumnimit të imzot Vladimir Gjikës. Më pas u nderuan edhe reliket e të Lumit të ri, Meshtar e Martir. Kremtimin e kryesoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Atë Gjika u arrestua në vitin 1952, vetëm e vetëm pse nuk pranoi t’i shkëpuste lidhjet e Kishës katolike në Rumani me Selinë Apostolike të Vatikanit. Pastaj, erdhi burgimi i gjatë e i mundimshëm. Pas një vit vuajtjesh e torturash, vdiq si martir në burgun e Zhilavës, pranë Bukureshtit, më 16 maj 1954.
Për këtë Lumnim, që lidhet drejtpërdrejt me Kombin shqiptar, sepse i imzot Vladimir Gjika me gjak ishte shqiptar, pyetëm kardinalin Anxhelo Amato:

Hirësi, a mund të na thoni diçka për këtë të Lum, që i përket sa Rumanisë, aq edhe Shqipërisë...

Nga familje fisnike, me origjinë shqiptare, Vladimir Gjika i përdori talentet e shumta, që i kishte dhuruar natyra e hiri i Zotit, gjithnjë në shërbim të të varfërve. I kthyer në vitin 1902 në fenë katolike e i shuguruar meshtar në Paris, më 7 tetor 1923, në moshën 50-vjeçare nisi apostullimin e përkushtuar në shërbim të më të vegjëlve, më të varfërve. Në vitin 1939 vendosi të mbetej në Rumani, për të përballuar nevojat e refugjatëve polakë, pas pushtimit nazist të Polonisë.
Besnik ndaj teologjisë së tij të nevojës (théologie du besoin) ai ndihmoi me të gjitha forcat të sëmurët, të plagosurit e robërit e luftës. E vijoi këtë udhë edhe më 1948 kur, pas abdikimit dhe largimit të mbretit Mikel, regjimi komunist nisi sulmin sistematik kundër katolikëve, me synim, asgjësimin e tyre.

Ç’mund të na thoni për martirizimin e tij?

Imzot Gjika, më 18 nëntor 1952, u burgos në Zhilavë, një nga kampet më të tmerrshme të shfarosjes në Rumani. Dinjiteti, falja e persekutuesve, ndihma shpirtërore ndaj të burgosurve, që vuanin përkrah tij, jeta e thellë e lutjes, e bënë shembull tepër të lartë dëshmie ungjillore. Më 16 maj 1954 u shua, pas torturave mizore në kthetrat e sigurimit të shtetit. Njeri me përshpirtëri të thellë, ithtar i ekumenizmit, dëshira më e madhe tij ishte ta shikonte të bashkuar Kishën Katolike me atë Ortodokse.

Çfarë rëndësie ka Lumnimi i Vladimir Gjikës?

Janë tre, mesazhet e tij. I pari, dëshira ekumenike. Ëndërronte unitetin e Kishës. Propozonte shenjtërinë, si mjet i domosdoshëm për të çuar përpara bashkimin e të krishterëve. Në martirizimin e miliona të krishterëve ortodoksë të persekutuar posaçërisht në Rusi e në Evropën e Lindjes nga regjimet komuniste, shikonte garancinë e një rilindjeje të vërtetë që, në logjikën e misterit të Pashkëve, duhet të sillte bashkimin e dëshiruar.
Aspekti i dytë ka të bëjë me impenjimin konkret të dhembshurisë ndaj refugjatëve, të plagosurve të luftës, të sëmurëve, të cilët i mirëpriti, i vizitoi, i ndihmoi.
Aspekti i tretë lidhet me dëshminë e tij të martirizimit, nën regjimin çnjerëzor të stalinizmit. U detyrua t’i nënshtrohej hetimeve torturuese, ditë-natë, shoqëruar me rrahje pa pikë mëshire, aq sa t’i rrezikohej dëgjimi e shikimi, e me tipe të ndryshme varjesh. I duroi të gjitha me fe e guxim e, sidomos, me ndihmën e lutjes.

31/08/2017 12:53